E martë, dhjetor 23, 2014 Kosova 05:21

Kronika

Opozita: Takimi në Bruksel, takim kurtuazie

Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Derisa presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, takimin e parë me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq, e ka quajtur takim konstruktiv, që synon normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, përfaqësuesit e partive politike opozitare këtë e kanë parë si takim kurtuazie.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se kompetencat e secilit institucion janë të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe secili institucion i ka të përshkruara qartë kompetencat e veta dhe në bazë të tyre duhet të zhvillohen edhe takimet e tilla.

“Mendojmë ka qenë më shumë një takim kurtuazie se sa ndonjë takim që sjell ndonjë fryt, por sido që të jetë nuk jemi kundër që të ketë takime të tilla, por gjithmonë duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin dhe duke u respektuar edhe Kushtetuta e Kosovës”, ka thënë Beqiri.

Kurse, Glauk Konjufca nga subjekti politik Vetëvendosje ka thënëpër Radion Evropa e Lirë se takimet e kryeministrit Thaçi dhe takimet e presidentes Jahjaga, janë në funksion të një krijimi të një imazhi relaksues ndërmjet marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.

Glauk KonjufcaGlauk Konjufca
x
Glauk Konjufca
Glauk Konjufca
Sipas Konjufcës, takimet e tilla i nevojite shumë Serbisë për imazhin e saj dhe lehtësimeve për integrim në BE.

“Ajo çka unë e shoh si tepër hipokrizi në këtë mes është se përderisa raportet mes liderëve tanë personalisht po rregullohen e këtë nuk po e përjetojnë popujt. E kam fjalën për raportet që në veri të Kosovës dhe në Luginë të Preshevës, po përkeqësohen edhe më tutje. Dhe, përderisa Serbia po thotë dhe po luan një imazh të një vendi shumë miqësor në nivelin e takimeve në Bruksel, në të njëjtën kohë ajo po i urdhëron strukturat e veta kriminale në veri që ta mbajnë Kosovës të ndarë”, është shprehur Konjufca.

Takimin e një dite më parë ndërmjet presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidentit serb, Tomisllav Nikoliq, Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e sheh si një takim simbolik, që mund të reflektojë në normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Ahmet IsufiAhmet Isufi
x
Ahmet Isufi
Ahmet Isufi
“Ne mendojmë që është një takim për një fotografi, që nuk ka pasur ndonjë përmbajtje sa u takon deklaratave të përfaqësuesve, të cilët janë takuar. Dhe, mendojmë që kjo është një iniciativë e Bashkimit Evropian për t’i normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Për dallim prej takimeve të tjera që kanë qenë mes kryeministrash, ky takim më shumë ka qenë kurtuazi”, ka theksuar Isufi për Radion Evropa e Lirë.

Pas takimit me dy presidentët e të dy shteteve, shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, që ka ndërmjetësuar takimin, tha se aty është trajtuar çështja e veriut të Kosovës dhe se “javët e ardhshme do të jenë kritike”.

Lidhur me këtë çështje, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë thënë se institucionet dhe negociatorët në bisedime, nuk mund ta kalojnë Kushtetutën e vendit dhe Dokumentin e Ahtisarit, për të marrë vendime të tjera jashtë këtyre dokumenteve.

Në anën tjetër, analistët politikë kanë vlerësuar se takimi ishte më tepër i karakterit simbolik dhe se, sipas tyre, nuk ka sjellë ndonjë risi në kuadër të dialogut tashmë të filluar që po zhvillojnë krerët e qeverive të dyja shteteve.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum