E premte, prill 25, 2014 Kosova 01:57

Aktuale

Reformë zgjedhore apo kthim prapa?

Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Madhësia e shkronjave - +
Marrëveshja e arritur në takimin midis liderëve partiakë për caktimin e Kosovës si një zonë zgjedhore, përbën vetëm një nga pesë çështjet kryesore të reformës zgjedhore.

Derisa partitë politike e kanë konsideruar këtë marrëveshje kryesisht si hap përpara drejt përmbylljes së reformave, përfaqësues nga shoqëria civile thonë se përcaktimi për një zonë zgjedhore paraqet kthim prapa dhe është në kundërshtim me rezolutën e Kuvendit të Kosovës.

Sidoqoftë, për kryetarin e Komisionit për reformën zgjedhore, deputetin Haki Demolli, marrëveshja paraqet fillimin e zgjidhjes së nyjës në këto reforma. Tani ai thotë se kanë mbetur edhe të paktën katër pika tjera, për të cilat liderët do të duhej të merreshin vesh para se reforma të draftohet dhe të kalojë për miratim në Kuvend. 

“Çështjet tjera mund të them se janë më të lehta për t’u zgjidhur. Kur jemi të listat e hapura apo të mbyllura, kjo është kategori kushtetuese dhe nëse vjen deri te ndryshimi i listave, atëherë gjithsesi që duhet të ndodhin edhe ndryshime kushtetuese".

"Sa i përket pragut zgjedhor, aty ka qëndrime të ndryshme, por besoj se do të ketë po ashtu një përafrim të qëndrimeve dhe tek e fundit edhe pesë përqindëshi aktual mund të jetë i pranueshëm për partitë politike”,
thotë Demolli.

Një nga çështjet tjera që në Komisionin për reformën zgjedhore është debatuar gati për një vit, ishte ajo e votës preferenciale. Ajo ka mundësuar që një qytetar të votojë për pesë kandidatë të një partie politike.

Haki DemolliHaki Demolli
x
Haki Demolli
Haki Demolli
Por, më pas ishte vlerësuar se kjo votë ishte edhe mundësi për manipulime gjatë zgjedhjeve. Haki Demolli shpreson që liderët ta kenë këtë parasysh dhe të marrin vendim adekuat.

“Sigurisht që do të shkohet në zvogëlimin e votës preferenciale apo në zvogëlimin e numrit të kandidatëve që mund të votojë një qytetar”, shpjegon Demolli.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile nuk e shohin aspak pozitive marrëveshjen e liderëve që Kosova të përcaktohet si një zonë zgjedhore.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se kjo marrëveshje është kthim prapa dhe në kundërshtim me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, e cila bazohej pikërisht në marrëveshjen paraprake të liderëve politikë, e cila, mes tjerash, parashihte që Kosova të ketë më shumë zona zgjedhore.

Driton SelmanajDriton Selmanaj
x
Driton Selmanaj
Driton Selmanaj
“Nuk mund të quhet reformë nëse kemi vetëm disa ndryshime krejtësisht teknike të ligjit. Por, përmbajtja e saj do të ishte që të ndryshohej zona zgjedhore, të ndryshohej pragu, të ndryshohej përbërja e KQZ-së, assesi të mos diskutohej mbyllja e listave”, shprehet Selmanaj.

Por, aplikimi i më shumë zonave zgjedhore do të kërkonte shumë kohë dhe do të mund të sillte një situatë kur do të aplikoheshin standarde të dyfishta për shumicën shqiptare dhe pakicat, thotë njëri nga pjesëmarrësit e takimit të liderëve ku ishte vendosur për një zonë zgjedhore, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Sipas tij, Kosova si një zonë zgjedhore, ishte zgjidhja ndoshta jo më e mira, por më e përshtatshmja për momentin:

“Në këtë gjendje ne nuk mund të bëjmë ndarje në zona, përderisa nuk e kemi një regjistrim të saktë të popullsisë së Kosovës, përderisa kemi në disa komuna më shumë votues sesa që kemi banorë dhe përderisa pakicat, kryesisht ajo serbe, kërkon që të ketë një zonë ose të kemi zgjedhje duale, që serbët dhe pakicat të kenë një zonë e për shqiptarët më shumë zona - çka për ne është e papranueshme. Edhe pse jo zgjidhja më e mirë, jemi pajtuar tani për tani me këtë gjendje dhe këtë zgjidhje”.

Një subjekt politik që kërkon më shumë zona zgjedhore, ishte Aleanca Kosova e Re. Nënkryetari i kësaj partie, Ibrahim Makolli, thotë se AKR-ja ka kërkuar që Kosova t’i ketë shtatë zona zgjedhore.

Ibrahim MakolliIbrahim Makolli
x
Ibrahim Makolli
Ibrahim Makolli
“Si Aleancë për Kosovë të Re, ne kemi insistuar që Kosova të ketë më shumë sesa një zonë zgjedhore dhe kemi kërkuar që Kosova të ketë shtatë zona”, deklaron Makolli.

Sidoqoftë tani u mbetet liderëve të partive politike që të merren vesh në lidhje me pragun zgjedhor, listat e hapura apo të mbyllura, votën preferenciale, përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe çështjen e ulëseve të rezervuara për minoritetet.

Në këtë të fundit, besohet se do të përfshihen në bisedime edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, të cilët në vazhdimësi kanë kërkuar që Kosovë të garantojë përfaqësim sa më të lartë të pakicave në Parlament, qoftë edhe përmes rezervimit të ulëseve.

Zijadin Gashi

zijadin.gashi+gmail.com

Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.
Twitter
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum