E martë, korrik 29, 2014 Kosova 00:32

Aktuale

Rikujtojnë Balajn e Xheladinin

Në 6 vjetorin e vrasjes së Mon Balajt
Në 6 vjetorin e vrasjes së Mon Balajt
Lëvizja Vetëvendosje ka rikujtuar të dielën ngjarjet e përgjakshme të protestës së 10 shkurtit të vitit 2007, kur dy aktivistë të saj, Mon Balaj e Arben Xheladini, sipas raporteve të deritashme, ishin vrarë nga policia ndërkombëtare që shërbente në kuadër të UNMIK-ut.

Të prirë nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, aktivistë të këtij subjekti politik, familjarë të viktimave dhe qytetarë, kishin dalë në qendër të Prishtinës ku gjashtë vjet më parë humbën jetën Balaj e Xheladini.

Me këtë rast, Albin Kurti rikujtoi se protesta e 10 shkurtit nuk ishte e dhunshme, por ajo, sipas tij, u përgjak nga policia rumune që shërbente në kuadër të administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara e njohur si UNMIK. 

“Para gjashtë vjetëve, në këtë vend, janë shkrepur 232 plumba nga policia e UNMIK-ut. Ata plumba u shkrepën kryesisht në kokat dhe gjokset e protestuesve, nga afërsia nën 20 metra dhe në kohën kur protestuesit po tërhiqeshin nga gazi lotsjellës. Përveç se u vranë Arbeni e Moni, atë ditë u plagosën rëndë e lehtë edhe 80 protestues të tjerë dhe u arrestuan gjashtëmbëdhjetë aktivistë”, tha Kurti.

Para të pranishmëve që kishin dalë të përkujtonin viktimat e 10 shkurtit, Kurti tha se Vetëvendosje nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për dy aktivistët e vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ai akuzoi autoritetet ndërkombëtare për fshehjen e krimit dhe lirimin e dy policëve rumun, të dyshuar se kishin kryer vrasjen e Balajt e Xheladinit.

“Ashtu si nuk do të ndalemi asnjë ditë në betejat tona për drejtësi për gjithë popullin, njësoj nuk do të ndalemi as në betejën tonë për drejtësinë për 10 shkurtin. Krimi i 10 shkurtit është krim i vazhdueshëm dhe rezistenca jonë ndaj këtij sistemi e këtij regjimi që e mban këtë padrejtësi është pjesë e rrugëtimit tonë drejt fitores, drejtë drejtësisë, që është e njëjta rrugë”, theksoi Kurti.

Protesta e 10 shkurtit e vitit 2007 kishte si qëllim kundërshtimin e Planit të Ahtisarit, i cili më vonë u shndërrua në bazë të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Kurti dhe Vetëvendosje e kishin konsideruar dhe vazhdojnë ta konsiderojnë këtë plan si zgjidhje jo të mirë dhe jo të drejtë të statusit të Kosovës.

Zijadin Gashi

zijadin.gashi+gmail.com

Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.
Twitter
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum