E shtunë, nëntor 29, 2014 Kosova 02:12

Kronika

Shpërbërje e institucioneve paralele apo transferim kompetencash?

Mitrovicë
Mitrovicë

Multimedia

Paralelizmat institucionalë në veri të Kosovës, janë një çështje që duhet zgjidhur dhe tashmë janë dhënë shenja të qarta se kjo çështje do të trajtohet nga Prishtina, Beogradi dhe Bashkimi Evropian, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë.

Sipas tyre, kjo çështje është paralajmëruar të diskutohet edhe në takimin e ardhshëm, më 19 dhe 20 shkurt, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq.

Daçiq, së fundmi ka deklaruar se çështja e institucioneve paralele duhet të zgjidhet.

Ardian Arifaj nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave - KIPRED, thotë se çështja e strukturave ilegale dhe paralele duhet të analizohet, si dhe të vlerësohet se si duhet qasur atyre dhe çfarë duhet të bëhet me to.

“Kur është fjala për strukturat e sigurisë, komponentet e sigurisë të shtetit serb që funksionojnë brenda territorit të Kosovës, sigurisht që ato duhet patjetër të largohen nga Kosova dhe të shpërbëhen".

"Por, kur është fjala për struktura tjera që ofrojnë shërbime për qytetarë, siç janë shërbimet shëndetësore, arsimore dhe edukative, atëherë duhet të gjendet mënyra se si këto, të themi, të transferohen nga kompetenca apo kontrolli që e ka mbi to tash Serbia, nën kompetencat e shtetit të Kosovës dhe shteti i Kosovës t'i marrë kompetencat që t’i mbajë gjallë dhe t'i ofroj këto shërbime për qytetarët e Kosovës që jetojnë atje”
, thotë Arifaj.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, thotë se është reale që të pritet që, gjatë këtij viti, çështja e institucioneve apo strukturave paralele në veri të zgjidhet. Ai thotë se Serbia do të jetë e detyruar që t’i shpërbëjë sidomos strukturat e sigurisë në veri të Kosovës nëse dëshiron ta marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Sipas Matoshit, pritet që strukturat paralele, të cilat nuk janë të inkriminuara, të legalizohen dhe integrohen përmes një procesi zgjedhor që mund të ndodhë brenda këtij viti, ose më së largu në pranverën e vitit të ardhshëm. 

“Si shpagim, serbët e Kosovës do të përfitojnë aplikimin strikt të pakos së Ahtisarit, e cila iu mundëson në realitet edhe krijimin e asociacionit të komunave të tyre, por tashmë, me krijimin e fondit të veçantë, edhe njëfarë lloj, po e quaj, autonomie financiare. Në këtë rast, unë mendoj, se Serbia është e detyruar që t’i shpërbëjë strukturat ilegale, sidomos ato të sigurisë, që njihen me emrin ‘mbrojtje civile’ ose dikur ‘rojat e urës’”, vlerëson Matoshi.

Por, të dy këta njohës të rrethanave dhe zhvillimeve politike në vend, vlerësojnë se shpërbërja e institucioneve apo strukturave paralele dhe ilegale në veri, do të gjenerojë edhe rezistencën ndaj këtij procesi nga ana e disa grupeve serbe në veri.

Për analistin Arifaj, shumica e qytetarëve në veri të vendit dëshirojnë jetë normale dhe përmirësim të kushteve në atë pjesë të vendit, por ka edhe grupe, të cilat janë të lidhura me politikën dhe krimin dhe i druhen çfarëdo ndryshimi të gjendjes në veri të Kosovës.

“Më e rëndësishme është, gjithashtu, që të përmendim, se këto grupe shpeshherë janë treguar se dinë t'i detyrojnë qytetarët atje, pa marrë parasysh se me çfarë masash, që të bëhen pjesë e aksioneve që organizojnë këto grupe dhe që mund të sjellë një përshkallëzim më të madh të gjendjes atje".

"Megjithatë, gjithashtu kemi vërejtur se Serbia ka pushtet të madh, ka fuqi të madhe në veri të Kosovës dhe mund ta diktojë kahen, drejtimin e zhvillimeve në veri. Pra, ose të nxisë përshkallëzime, por edhe të pengojë përshkallëzimin e çfarëdo situate në këtë pjesë të Kosovës”, thekson Arifaj.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Matoshi, i cili madje pret edhe dhunë, siç e vlerëson ai, të intensitetit të ultë.

Halil MatoshiHalil Matoshi
x
Halil Matoshi
Halil Matoshi
“Gjithsesi, njerëzit, grupet e interesit, do të përpiqen që t’i ruajnë privilegjet e tyre, qoftë në krimin e organizuar, qoftë në privilegjet që u jep organizimi paralel i pushtetit atje. Mirëpo, unë mendoj se do të ketë rezistencë, madje edhe dhunë të intensitetit më të ultë, por serbët e Kosovës do t’i nënshtrohen vendimeve, vullnetit dhe imponimeve që do t’ju vijnë nga Beogradi”, pohon Matoshi.

Ndryshe, njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike, vlerësojnë se për çfarëdo tranzicioni paqësor në veri të Kosovës, duhet të jetë e përfshirë tërë kohën bashkësia ndërkombëtare, e sidomos Bashkimi Evropian.

Sipas tyre, BE-ja duhet të sigurojë mekanizma, të cilat do t’i detyronin të dyja palët që të përmbahen nga dhuna, nxitja dhe përshkallëzimi i saj.

Bekim Bislimi

beka.bislimi+gmail.com

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum