Ndërlidhjet

Zgjerohet skandali me mish kali në Evropë


Ilustrim
Ilustrim
Rumania tha se do të hetojë nëse ishte ky vend burimi i mishit të kalit, që ka shkaktuar skandal të ushqimit në Evropë.

Ministri rumun i Bujqësisë, Daniel Constantin, tha se qeveria do të kërkojë nga autoritetet rumune që të raportojnë nëse ka qenë vendi i tij, që ka furnizuar eksportin me produkte me mish kali.

“Kam kërkuar një raport (në lidhje me eksportin e mishit të kalit) dhe nuk dëshiroj që të komentoj para se presidenti i Autoritetit të Sanitarisë dhe Veterinarisë të ma paraqesë raportin. Shpresoj ta marr atë sot, dhe pas kësaj do të jem gati që të dal me detaje. Shpresoj që t'i identifikojmë ata (eksportuesit) sa më shpejt që të jetë e mundur. Në fund të fundit, kjo është çështje që ka të bëjë me kontrollin e produkteve këtu, para se të dalin në tregun e BE-së”, u shpreh Constantin.

Ai tha se autoritetet rumune do të dënojnë çdo shkelje, po qe se ajo konfirmohet në raport.

Mishi i kalit është zbuluar në disa produkte ushqimore të mishit të viçit të shitura në Francë dhe në Britani- kryesisht në lazanjë- nga gjiganti ushqimor Findus.
Kompania ka nisur tërheqjen e produkteve të tilla nga raftet e dyqaneve në Britani dhe në Francë.

Të shtunën zyrtarët qeveritarë britanikë dhe francezë premtuan se do të dënojnë përgjegjësit e shitjes së mishit të kalit në produktet e mishit të viçit.

Ministri francez për Çështje të Konsumit, Benoit Hamon, tha se një hetim ka gjetur se mishi i kalit ka origjinën në Rumani, edhe pse ka pasur lidhje edhe me kompanitë franceze, holandeze dhe qipriote, si dhe me një fabrikë në Luksemburg.

Ministri britanik i Mjedisit, Owen Paterson, tha se mund të ketë më shumë raste të ushqimit të kontaminuar derisa tregtarët po testojnë produkte tjera viçi për të gjetur gjurmët e mishit të kalit.

Analistët thonë se skandali kërcënon të prekë besimin e konsumatorëve në industrinë gjigante të ushqimit të Evropës, derisa po rritet presioni për kontrollime më të mëdha.

Skandali i ri vjen në më pak se një muaj, pasi që rrjeti i supermarketeve Tesco dhe ai i ushqimeve të shpejta Burger King, gjetën mish kali në hamburgerët e viçit.(a.isufi)
XS
SM
MD
LG