Ndërlidhjet

Besimi i qytetarëve ndaj mediave


Qytetarët dhe mediat në Maqedoni
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:44 0:00

Qytetarët dhe mediat në Maqedoni

Në Maqedoni, qytetarët thonë se gjithnjë e më pak u besojnë mediave, si pasojë e influencës së theksuar të partive politike në redaksitë informative.

Qytetarët janë të mendimit se mediat mbase në të shumtën e rasteve anashkalojnë temat që prekin problemet reale të vendit duke u përqendruar më shumë në temat politike, të cilat siç shprehen ata, pothuajse nuk ndryshojnë aspak pesë vitet e fundit.

“Mediat nuk janë objektive, janë shumë të njëanshme. Varet se nga cili kënd i shikon. Krejtësisht varet nga ajo kush i financon, pra janë të varura nga pronari. Mediat informojnë më shumë për politikë sesa për realitetin, jo ata që flasin, mendoj gazetarët, por ata që i financojnë me një fjalë ua kanë shkelur dinjitetin mjeteve të informimit”, thotë qytetari i parë.

“Jo s`u besoj mediave, madje as që i dëgjoj, e para sepse skam kohë të lirë. Dhe, e dyta, të gjitha informatat janë bërë si ato seritë spanjolle. Mendoj se më shumë merren me politikë, sepse ajo i udhëheq mediat”, shprehet një qytetare.

"Po ka shumë politikë në to”, pohon qytetari tjetër i anketuar nga Radio Evropa e Lirë.

Të lodhur nga politika, qytetarët konsiderojnë se mediat më shuëm duhet të merren me ekonomi dhe me problemet sociale.

"Gjithsesi më shumë do të doja të merren me ekonomi, me problemet sociale me problemet tona”, shprehet një tjerër i anketuar. Por ka edhe të tillë që mendojnë se shumë probleme madje edhe fshihen nga media dhe nuk trajtohen:

“Shumë gjëra që duhet të thuhen, mbulohen nuk shtjellohen në media".

“Tanimë nuk shoh asgjë në asgjë nuk besoj. Mediat janë kryekëput të varura nga qarqe të caktuara të politikës”, thotë qytetari tjetër.

Ndër të anketuarit, ka qytetarë që duan të jenë edhe pjesë e mediumeve, kryesisht me komente dhe një gjë të tillë ofrojnë portalet, prandaj edhe shprehin më shumë besim ndaj tyre:

“Po më shumë u besoj ueb portaleve, sepse aty mund të lihen dhe komente, kuptohet se jo të gjitha portalet, pastaj kam besim tek informacionet e radios”.

Ndërsa, njohësit e komunikimeve potencojnë se është me rëndësi fakti se qytetarët humbin besimin në forcën e fjalës së lirë, njëherësh edhe mundësisë për t’u bërë pjesë aktive, përmes debatit në krijimin e politikave shtetërore, si formë shumë e rëndësishme për demokratizimin e vendit.

"Në situatën kur keni një masë jokritike të homogjenizuar , atëherë krijohet një ambient që çfarëdo që të ndodhë në skenën politike, qytetarët do ta pranojnë pa reflektuar, thjesht, nuk reagojnë. Në Maqedoni shumica e qytetarëve ende nuk e kanë të qartë se çka ndodhi në Parlament më 24 dhjetor, në fakt, se atë ditë u atakua ose jo demokracia. Shumë nga qytetarët s'e kanë të qartë se çka ndodhte gjatë mbajtjes së protestave pas vrasjes së Martin Neshkovskit, dhe unë mendoj se kjo paraqet problem serioz për demokracinë e vendit”, vlerëson Igor Micevski, nga Shkolla e lartë e Gazetarisë dhe Marrëdhënieve me Publikun.

Arsim Sinani, ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë se se mungesa të debatit që gjithnjë e më shumë është i pranishëm në Maqedoni, rreth çështjeve të ndjeshme, paraqitet rrezik të vërtetë për t’u humbur masa kritike ndaj politikë-bërjes në vend. Kjo, sipas tij, rrezikon në masë të theksuar dhe demokratizmin e vendit.

“Në Maqedoni kemi një situatë ku mediat, të cilat janë kundër pushtetit gjegjësisht kundër politikës së VMRO DPMNE-së dhe kryeministrit Nikolla Gruevski, ata media ndiqen, kontrollohen dhe mbyllen. Ose u dërgohen ekipe të inspektimit për t'iu gjetur parregullsi. Kjo ka krijuar një Maqedoni që unë do ta quaja Maqedonia e erës së Gruevskit".

"Shikoni sa ka debat politik në Maqedoni, sa ka debat kulturor ose për çështjet e arsimit ose problemet sociale? Më duhet të theksoj se fatkeqësisht në Maqedoni nuk kemi debat, për asgjë, jo debat të mirëfilltë, duke anashkaluar debatin me një pjesë të caktuar të analistëve",thekson Sinani.

Sipas njohësve të komunikimeve, është e e domosdoshme ngritja e vetëdijes edhe te vetë qytetarët për të kuptuar se, mungesa e debatit për çështjet e ndjeshme, me të cilat përballet vendi, jo vetëm që lëndon lirinë e të shprehurit dhe të drejtën për informim, por pa të kërcënohet demokracia dhe e ardhmja e vendit duke krijuar kushte për keqpërdorim.
XS
SM
MD
LG