E martë, korrik 29, 2014 Kosova 16:47

Rajoni

Maqedoni: Komunat kërkojnë kredi

Mbi 15 komuna në Maqedoni kanë mungesë të fondeve financiare për shlyerjen e detyrimeve ligjore për zgjedhjet lokale të 24 marsit.

Sipas Kodit zgjedhor, komunat nga buxheti i tyre duhet të ndajnë para për financimin e këshillave zgjedhore nëpër vendvotime dhe detyrime tjera financiare.

Në mesin e komunave që përballen me vështirësi financiare është edhe komuna e Haraçinës, që gjendet pranë Shkupit.

Kryetari i saj, Bastri Bajrami thotë se njoftimi që ka marrë nga KSHZ-ja, se komuna duhet të bëjë financimin e zgjedhjeve, ka rënduar edhe më shumë gjendjen financiare të komunës, e cila deri para dy muajve kishte të bllokuar xhirollogarinë bankare.

Bajrami thotë se edhe shumë komuna të tjera përballen me vështirësi të natyrave të ndryshme.

Ato gjatë tërë mandatit kishin probleme dhe tani është dashur edhe ky problem që të na mveshet. Ne si komunë nuk kemi mjete që ti kryejmë këto obligime për zgjedhjet lokale. Por, në qoftë se vërtetë nuk duan të na ndihmojnë, atëherë ne kërkuam që qeveria apo ministria e financave të na mundësojë marrjen e ndonjë kredie me një afat të arsyeshëm që ne të mundemi ti kthejmë. Nëse na mundësojnë një kredi e tillë, ne mund ti zhvillojmë zgjedhjet lokale pa problem”, thotë Bastri Bajrami.

Komunat që hasin në vështirësi të këtilla janë komuna kryesisht të vogla me përjashtim të komunës së Tetovës.

Sipas Bajramit, mjetet e nevojshme për financimin e zgjedhjeve varen nga madhësia e komunës por ato nuk mund të jetë më pak se 50 mijë euro nëse në komunë mbahen dy rrethe zgjedhore.

Nga komisioni shtetëror i zgjedhjeve thonë financimi i këshillave zgjedhore nga ana e komunave është paraparë me nenin 88 të Kodit zgjedhor.

Nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi thotë se komisioni ka diskutuar problemin që është ngritur nga komunat të cilat i ka orientuar të kërkojnë ndihmën e pushtetit qendror, pasi KSHZ-ja, sipas tij, nuk është përgjegjëse për financimin e pushtetit lokal.

Ne kemi shqyrtuar këtë çështje dhe të njëjtat i kemi orientuar që të paraqiten në Ministrinë e financave dhe në qeverinë e Maqedonisë që këtë çështje ta zgjidhin me organet kompetente, meqë ne jemi vetëm për organizimin e zgjedhjeve dhe menaxhojmë vetëm me buxhetin që ja japin për harxhimet që janë të parapara me nenin 88 pika 4 dhe të gjitha të tjera janë në kompetencë të komunave të cilat duhet ti paguajnë ato”, thotë nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.

Por, ndryshe nga KSHZ-ja, ministri i Pushtetit Lokal, Nevzat Bejta thotë se komunat duhet të sigurojnë vetëm kushte për mbarëvajtjen e zgjedhjeve por jo edhe të financojnë këshillat zgjedhore.

Me sa kam unë njohuri komunat janë të obligueshme vetëm të gjejnë hapësira ku duhet të punojë Komisioni komunal zgjedhor. Pra, ato janë të obligueshme të gjejnë hapësirat, kompjuterët e të tjera për periudhën që do të punojnë, këtë e bëjnë të gjitha komunat. Në të kundërtën, nëse komunat bëjnë financimin atëherë nuk do të kishte nevojë të ekzistonte KSHZ-ja”, thotë Nevzat Bejta, ministër i Pushtetit Lokal dhe kandidat për kryetar të komunës së Gostivarit

Lidhur me problemin ditë më parë u prononcua edhe Kryetari i Bashkësisë së Komunave të Maqedonisë, Koce Trajanovski i cili njëherësh është edhe kryetar i qytetit të Shkupit.

Ai tha se do të gjendet zgjidhje për problemin me komunat të cilat nuk kanë paraparë mjete për realizimin e zgjedhjeve lokale, por pa dhënë detaje tjera.

Ndryshe, zgjedhjet lokale më 24 mars do të mbahen në 84 komuna dhe qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e pushtetit lokal.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum