E premte, tetor 24, 2014 Kosova 14:42

Bota

Bota dënon provën bërthamore të Koresë Veriore

Mediat duke dhënë lajmin për provën bërthamore
Mediat duke dhënë lajmin për provën bërthamore
RFE /RL
Koreja e Veriut thotë se ka kryer me sukses një provë të tretë bërthamore nëntokësore, duke nxitur kështu dënimin ndërkombëtar të këtij veprimi.

Agjencia zyrtare koreane e lajmeve tha se prova ishte ”për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare dhe sovranitetin kundër armiqësisë së pamatur të SHBA-së”.

Është konfirmuar se prova bërthamore është kryer në masa të larta sigurie dhe me një mënyrë të përsosur duke e përdorur një pajisje miniaturë dhe më të lehtë bërthamore, por me fuqi më të madhe shpërthyese sesa herët e kaluara dhe ajo nuk ka shkaktuar ndonjë ndikim negativ në mjedisin ekologjik përreth”, ka thënë njëri nga spikerët e televizionit korean.

Njoftimi u bë, pasi që u dalluan aktivitete sizmike në vendin ku është kryer prova bërthamore.

Prova bie ndesh me Rezolutat e Këshillit të Sigurimit, që i bëjnë thirrje veriut, që të ndalojë punën për të zhvilluar armë bërthamore.

Prova që erdhi para mbajtjes së fjalimit vjetor të presidentit amerikan Barack Obama, është dënuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, fuqitë perëndimore, Japonia dhe Koreja Jugore.

Presidenti amerikan Barack Obama ka bërë thirrje për “veprime të shpejta dhe kredibile të komunitetit ndërkombëtar”.

Ai tha se prova “provokuese” bërthamore nuk e ka bërë Korenë Veriore më të sigurt dhe se Uashingtoni do të vazhdojë “me hapat e nevojshëm për të mbrojtur” aleatët e tij në Azi.

Ministria e Jashtme britanike kërkoi “reagim të fuqishëm” ndaj provës.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe e quajti lëvizjen e Koresë Veriore si “kërcënim serioz” që nuk mund të tolerohet.

Koreja Jugore e përshkroi atë si “kërcënim të papranueshëm për sigurinë e gadishullit Korean dhe të Azisë veri-lindore”.

Ministri i Mbrojtjes i këtij vendi Kim Kwan-Jin iu tha gazetarëve se shpërthimi bërthamor është vlerësuar të ketë qenë 6 deri në 7 kilotonë dhe se ushtria e vendit të tij është vënë në “gjendje gatishmërie”.

Koreja Jugore do të bashkëpunojë fuqishëm me aleatët përfshirë SHBA-të dhe komunitetin ndërkombëtar. Ne do ta bëjmë Korenë Veriore që ta paguajë çmimin për këtë provë bërthamore”, është shprehur ai.

Kina, aleati më i ngushtë i Koresë Veriore shprehu “kundërshtimin e fuqishëm" për provën bërthamore të Phenianit.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme bëhet thirrje për qetësi dhe thuhet se bisedimet për çështjet bërthamore duhet të rinisin në mes të Koresë Veriore, Kinës, SHBA-së, Koresë Jugore, Japonisë e Rusisë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon e dënoi provën si provokim “të një destabiliteti të thellë”.

Ai shprehu besimin se Këshilli i Sigurimit “do të mbetet i bashkuar dhe do të ndërmarrë veprimet e duhura”.

Këshilli do të diskutojë provën në një seancë urgjente të martën.

OKB ka ashpërsuar sanksionet ndaj Phenianit pas lansimit të një rakete balistike në muajin dhjetor.

Koreja Veriore ka kryer prova të tjera bërthamore edhe në vitin 2006 dhe 2009.

Prova bërthamore e së martës është e para që kryhet nën liderin e ri Kim Jong Un, i cili ka trashëguar të atin, Kim Jing Il në dhjetor të 2011-ës.

SHBA dhe fqinjët e Koresë Veriore frikësohen se Pheniani është në kërkim të një mjeti bërthamor që do të përshtatej me raketat me rreze të gjatë veprimi.(a.i.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum