E mërkurë, tetor 22, 2014 Kosova 03:35

Aktuale

Sekreti më i fshehtë në Papat

RFE /RL
Në një njoftim të papritur, Vatikani ka bërë të ditur të hënën se Papa Benedicti XVI do të japë dorëheqje më 28 shkurt, për arsye shëndetësore. Njoftimi, nga shumë është parë si thyerje e traditës.

Gazetari i specializuar për çështje të Vatikanit, Gerard O’Connell, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se vendimi mund të ketë ndikim edhe te pasardhësit e Benedictit.

...sepse, ai thotë se nëse një njeri nuk ka forcë fizike ose mendore për të bërë punën, ai duhet të japë dorëheqje. Dhe, ka qenë gjithmonë e mundur që Benedicti XVI të japë dorëheqje, sepse ai ka folur për këtë mundësi disa herë”, thotë O’Connell.

Dorëheqja e Benedictit është e para në gati 600 vjetët e fundit dhe cilësohet si e pashembullt në epokën moderne. “Duhet të kesh mendje të fuqishme në trup të fuqishëm dhe unë nuk i kam”, ka thënë Papa, duke arsyetuar largimin e tij. O’Connell thotë se ky është konstatim racional.

Vendimi i tij është vendim historik. Asnjë papë në kohën moderne nuk ka dhënë dorëheqje. Çdonjëri ka vdekur në zyrë. Por, ai është një papë me mendje ende të qartë, i aftë fizikisht, i cili ka ardhur te një vendim shumë i ndërgjegjshëm. Ai ka peshuar punën që ka dhe aftësitë e tij mendore dhe fizike dhe ka ardhur të një konstatim shumë racional: nuk jam më për këtë punë”, thotë O’Connell.

Benedicti XVI ka marrë udhëheqjen e Kishës Katolike në vitin 2005, kur kishte 78 vjet. Deri në këtë kohë, Joseph Ratcinger ka qenë kardinal i Gjermanisë.

O’Connell thotë se ai ka qenë i shquar si profesor edhe para se të bëhej peshkop, kardinal dhe papë.

“Ai është papa i parë që ka shkruar biografinë e Jezusit”, thotë O’Connell.

Në ditën kur Vatikani ka bërë publike dorëheqjen e Benedictit, kanë nisur edhe spekulimet se kush do ta pasojë atë.

Si kandidat me shumë gjasa është përmendur kardinali nga Gana, Peter Turkson, njëherësh kryetar i Këshillit të Papës për Drejtësi dhe Paqe. O’Connell thotë se lista mund të jetë e gjatë.

Është vështirë të thuhet se nga do të vijë papa i ardhshëm. Mendoj se kemi disa kandidatë italianë, një nga Amerika e Veriut... Mund të jetë një ose dy nga Amerika e Jugut. Është shumë e vështirë të parashikohet tani”, thotë O’Connell.

Vendimi i Papës ka zënë papritur shumëkënd, jo vetëm jashtë, por edhe brenda Kishës.

“Mendoj se e gjithë Kisha ka qenë e befasuar. Vetëm një ose dy njerëz e kanë ditur. Vitin e kaluar kemi pasur rrjedhje të informacioneve të ndryshme nga Vatikani. Këtë vit, ky ka qenë sekreti më i fshehtë në këtë papat”, thotë O’Connell.

Liderë botërorë, përfshirë edhe presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, kanë falënderuar Benedictin XVI për shërbesën në krye të Kishës Katolike.

Benedicti ka pasuar në këtë post Papa Gjon Paulin II. Papa i ri duhet të zgjidhet deri në fund të muajit mars.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum