Ndërlidhjet

Obama: Lufta në Afganistan përfundon më 2014


Obama: Lufta në Afganistan përfundon më 2014
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:11 0:00

Obama: Lufta në Afganistan përfundon më 2014


Presidenti amerikan, Barack Obama, ka deklaruar se lufta e Shteteve të Bashkuara në Afganistan “do të përfundojë” në fund të vitit 2014.

Në fjalimin vjetor para Kongresit, Obama ka thënë se kontingjenti prej 66,000 trupash do të reduktohet për më shumë se gjysmën.

Këtë pranverë, forcat tona do të kalojnë në rol mbështetës, ndërsa forcat afgane të sigurisë do të marrin rolin udhëheqës. Dua të njoftoj se gjatë vitit të ardhshëm, 34,000 trupa të tjerë amerikanë do të kthehen nga Afganistani. Kjo tërheqje do të vazhdojë. Dhe, në fund të vitit të ardhshëm, lufta jonë në Afganistan do të marrë fund”, ka thënë Obama.

Ai, megjithatë, ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në Afganistan edhe pas vitit 2014. Obama ka thënë se Uashingtoni po negocion një pakt për të trajnuar forcat afgane dhe, rrjedhimisht, për të parandaluar vendin nga rrëshqitja në një tjetër kaos.

Ai po ashtu ka thënë se me Kabulin janë duke u zhvilluar bisedime për t’iu lejuar forcave amerikane që të ndjekin “mbetjet e Al Kaidës dhe bashkëpunëtorët e saj”.

Obama ka thënë se Al Kaida tani është vetëm “hije e vetvetes”.

Presidenti amerikan është zotuar se do të ndihmojë vendet si Jemeni, Libia dhe Somalia për të luftuar kërcënimet nga ekstremizmi islamik. Ai ka thënë se “do të vazhdojë të marrë masa të drejtpërdrejta kundër atyre terroristëve që përbëjnë kërcënim serioz për amerikanët”.

Duke folur për Iranin, Obama i ka bërë thirrje Teheranit që të ndjekë zgjidhjen diplomatike për programin e tij të kontestueshëm bërthamor. Ai ka thënë se koalicioni ndërkombëtar është i vendosur që të ndalojë republikën islamike nga krijimi i armës bërthamore.

Liderët e Iranit duhet të dinë se tani është koha për zgjidhje diplomatike”, ka theksuar Obama.

Obama i ka bërë këto komente një ditë pasi Koreja e Veriut ka kryer provën e tretë bërthamore nëntokësore, në përgjigje të asaj që Phenjani e ka quajtur “armiqësi të Shteteve të Bashkuara”.

Presidenti e ka cilësuar veprimin e Koresë së Veriut si “provokim” dhe është zotuar se do të udhëheqë botën në marrjen e masave të forta.

Obama po ashtu ka thënë se do të bëjë reduktime të mëtejshme të arsenalit bërthamor të SHBA-së dhe Rusisë, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Çështjet e brendshme, megjithatë, kanë dominuar fjalimin e Obamës.

Ai i ka bërë thirrje Kongresit, i cili është i ndarë midis Senatit të kontrolluar nga demokratët dhe Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, që të bashkëpunojë për reduktimin e deficitit dhe shmangien e shkurtimeve enorme, që mund të nisin në muajin e ardhshëm.

Obama, i cili favorizon rritjen e taksave për amerikanët e pasur, ka thënë se çelësi i suksesit për të ardhmen ekonomike të vendit qëndron në forcimin e klasës së mesme.

Menjëherë pas fjalimit të Obamës, senatori Marco Rubio ka kundërshtuar shumicën e propozimeve të Obamës në përgjigjen zyrtare të Partisë Republikane.

Shpresoj se presidenti do të braktisë maninë për rritjen e taksave dhe të punojë me ne për të arritur rritje reale në ekonomi”, ka thënë Rubio. (v.t.)
XS
SM
MD
LG