E martë, shtator 30, 2014 Kosova 23:54

Rajoni

Howitt: Gjendja në Maqedoni, shumë serioze

Richard Howitt dhe Trajko Veljanovski
Richard Howitt dhe Trajko Veljanovski
Në funksion të zhbllokimit të krizës politike, së fundmi raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë Richard Howitt ka realizuar një varg takimesh me kreun shtetëror dhe me përfaqësuesit e partive politike të Maqedonisë.

Howitt, fillimisht, është takuar me anëtarët e Komisionit parlamentar për të drejtat dhe liritë e njeriut, ndërsa më pas edhe me kreun e Parlamentit Trajko Veljanovski.

“Gjendja është shumë serioze, si për shtetin, ashtu dhe të ardhmen e saj në BE”, ka deklaruar Howitt, pas takimit.

Me këtë rast, Howitt ka nënvizuar se shumë detaje do të japë të premten, pasi të ketë dëgjuar qëndrimet e të gjithë përfaqësuesve politikë.

“Porosia ime është se në të ardhmen ne do të takohemi në BE. Kjo është kritike dhe kohë e ndjeshme për vendin tuaj dhe për marrëdhëniet e vendit tuaj me BE-në”.

“Do të jemi me ju, do t'ju dëgjojmë dhe do të zhvillojmë dialog me ju. Jam i sigurt se do të jeni në anën time dhe të jeni të sigurt se unë do të jem në anën tuaj. Ditët dhe javët e ardhshme edhe janë të vështira dhe gjithçka që duhet të bëhet, do të bëhet", është shprehur Howitt.

Paraprakisht Howitt, nga anëtarët e Komisionit anketues ka kërkuar të referojnë për punën e këtij organi dhe të flasin për gjendjen dhe të drejtat e njeriut në vend.

Kryetari i Komisionit parlamentar për të drejtat dhe liritë e njeriut, Bekim Fazliu, nga Partia Demokratike Shqiptare në pozitë, para raportuesit të Parlamentit Evropian ka shprehur shqetësimin e tij për shkeljen e të drejtave të njeriut si pasojë e mosreformimit të sistemit gjyqësor, si dhe influencës politike gjatë vendimmarrjes në shqiptimin e dënimeve.

“Është shqetësues numri i madh i ankesave të bëra, pa dallim të përkatësisë etnike, ku qytetarët ankohen për punën e gjykatave, gjegjësisht nuk janë aspak të kënaqur me vendimet e gjyqësorit. Konkretisht, vlerësojmë se në Maqedoni assesi nuk arrin të reformohet sistemi gjyqësor, i cili fatkeqësisht ende është në varësi të drejtpërdrejtë të politikës apo të disa strukturave të qeverisë”, ka theksuar Fazliu.

Nga ana tjetër, nënkryetarja e Parlamentit, Suzana Salihu, tha se në Maqedoni problemi qëndron në vështirësitë që paraqiten gjatë zbatimit të ligjeve me shenjë evropiane, si dhe pavarësia e institucioneve.

“Sa i përket ligjeve, qytetarët e Maqedonisë nuk janë të diskriminuar në asnjë mënyrë. Po ku qëndron problemi i Republikës së Maqedonisë? Nëse Maqedonia arrin të implementojë këtë Kushtetutë dhe nëse arrin të implementojë ligjet që ka, atëherë ne me të vërtetë do të mburremi me respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut”, ka potencuar Saliu.

Ndërkohë, Silvana Boneva, nga VMRO-DPMNE, e kryeministrit Nikolla Gruevski, fillimisht ka shprehur keqardhje për mungesën e deputetëve të opozitës maqedonase, me ç’rast edhe një herë u ka bërë thirrje që të kthehen në institucionin ligjdhënës.

“Ne dëshirojmë që të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur opozita në Parlament dhe mendoj se komisioni anketues i propozuar nga presidenti i shtetit, është vendi më i duhur ku mund të jepet përgjigje saktësisht se është shkelur ose jo demokracia më 24 dhjetor dhe jo rruga siç preferon opozita”, ka thënë Boneva.

Ndërkohë, të enjten, përmes një deklarate të përbashkët shefat e misioneve të Bashkimit Evropian, zyra e lidhjeve e NATO-s, OSBE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësim të madh nga gjendja politike në vend, njëherësh duke u bërë thirrje të gjitha palëve që ta përforcojnë dialogun politik.

"Me shqetësim të madh e ndjekim gjendjen politike në vend. Na duhen masa urgjente për tejkalimin e tensioneve politike që pasuan pas ngjarjeve më 24 dhjetor. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që në mënyrë maksimale të përforcojnë dialogun politik, të fokusohen në prioritetet strategjike të vendit dhe t'i vendosin në vend të parë interesat më të mira të vendit dhe qytetarëve të saj", thuhet në deklaratën e përbashkët të BE-së, NATO-s, OSBE-së dhe SHBA-së.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum