E premte, dhjetor 19, 2014 Kosova 16:45

Intervista

Rohan: Të përjashtohen ndarja dhe autonomia rajonale

Albert Rohan
Albert Rohan
Në pesë-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, bashkë-hartuesi i Planit të Ahtisaarit, Albert Rohan, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë se si shtet i ri që është, Kosova ka bërë përparime pozitive. Megjithatë, ai tërheq vërejtjen që, në kuadër të negociatave të tashme, të mos bëhen lëshime për veriun, duke thënë se duhet përjashtuar plotësisht, si ndarja, ashtu edhe autonomia rajonale e komunave serbe. Rohan, që thotë se ka lidhje të veçanta me Kosovën, që nga vitet ‘90, porosit kosovarët të qëndrojnë unikë në çuarjen e shtetit përpara.




RADIO EVROPA E LIRË
Zotëri Rohan, në pesë-vjetorin e pavarësisë së Kosovës si e shihni shtetin e ri, i cili po përballet me sigurimin e sa më shumë njohjeve dhe të rimëkëmbjes ekonomike?

ALBERT ROHAN
Pikë së pari kur të analizohet situata në Kosovë duhet pasur parasysh se është një shtet shumë i ri, vetëm pesë vjeç. Në këto pesë vjet është arritur mjaft, si në aspektin e njohjeve, ashtu edhe në atë të ndërtimit të institucioneve, sistemit legal, të gjitha këto janë mjaft pozitive.

Natyrisht se ka edhe shumë për t’u bërë. Kosova është njohur nga rreth 100 shtete, por të tjerët ende hezitojnë ta njohin. Ekonomia është e dobët, papunësia e madhe ka probleme sociale, institucionet duhet të forcohen më shumë, Pra, ende ka shumë gjëra për t’u bërë. Por, për të bërë një bilanc, unë situatën do ta quaja pozitive.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët varfërinë, papunësinë…Kush mendoni se është përgjegjës për këto probleme, varfërinë, papunësinë e lartë, si dhe faktin se Kosova ende nuk është bërë anëtare e OKB-së?

ALBERT ROHAN
Anëtarësimi në OKB nuk ka të bëjë shumë me situatën ekonomike, në të vërtetë situata ekonomike është e keqe gjithandej në Evropë, papunësia është e madhe edhe në demokracitë e mëdha, si në Itali apo Spanjë, por sigurisht se kjo është e ndërlidhur me çështjen e njohjes dhe normalizimin e situatës.

Derisa kjo nuk është tërë çështja, megjithatë është vështirë që të ketë investime, për shembull. Është problem i vështirë, andaj nuk do ta fajësoja askënd në mënyrë specifike për këtë situatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, në Bruksel, po zhvillohet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si e shihni këtë proces, mendoni se me të vërtetë ai do të çojë drejt normalizimit, kur merret parasysh kundërshtimi i fortë i Serbisë për pavarësinë e Kosovës?

ALBERT ROHAN
Pikë së pari ky dialog është i një rëndësie tepër të madhe. Ata që e kundërshtojnë këtë dialog, jetojnë në një botë ëndrrash. Natyrisht që Kosova duhet të normalizojë raportet me Serbinë dhe Serbia është faktor shumë i rëndësishëm.

Unë jam optimist, sepse sipas mendimit tim, edhe Prishtina edhe Beogradi kanë interes për arsye të ndryshme që dialogu të çojë në disa rezultate pozitive. Dhe, në të njëjtën kohë, ka presion. Serbia dëshiron që të marrë datën për hapjen e negociatave me BE-në, dhe e di se duhet të përmbushë disa kushte derisa ta marrë atë. Nuk ka shumë kohë, sepse Komisioni do të raportojë në muajin prill, andaj mendoj se vullneti politik ekziston në të dyja palët për të arritur marrëveshje.

Zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu, varet nga përkushtimi i BE-së

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë jo të gjitha marrëveshjet që janë arritur në raundet e fundit të negociatave, zbatohen sot?

ALBERT ROHAN
Po, por, Menaxhimi i Integruar i Kufirit është vendosur dhe duket se po funksionon mirë. Natyrisht që marrëveshja është një gjë dhe zbatimi një gjë tjetër. Por, ta shohim një shembull, mendoj se është shumë e rëndësishme që Serbia të tërheqë këtë personelin e fshehtë policor që gjendet në veri. Kjo mund të bëhet brenda dy ditësh, sepse secili e di se kush janë ata njerëz dhe mund të largohen.

Gjërat tjera si zgjedhjet lokale do marrin më shumë kohë. Por, këtu BE-ja do të luajë rol thelbësor. Bashkimi Evropian duhet të jetë i përkushtuar në përmbushjen e marrëveshjeve nga të dy palët.

RADIO EVROPA E LIRË
A është BE-ja e përkushtuar?

ALBERT ROHAN
Mendoj se po. Mendoj se zonja Ashton e di shumë mirë se çka është e nevojshme. Mendoj se ajo do të këmbëngulë dhe do të jetë një lloj garantuese e marrëveshjeve.

RADIOE EVROPA E LIRË
Përmendët veriun dhe policinë serbe. Ka pasur shumë sugjerime për zgjidhjen e çështjes së veriut, në veçanti në lidhje me strukturat paralele. Ju keni thënë gjithnjë se zgjidhja gjendet në Planin Ahtisaari. Çka nëse ky plan modifikohet?

ALBERT ROHAN
Po qe se të dy palët pajtohen, ato mund të pajtohen për çdo gjë, kjo është në rregull, por nuk mendoj se këtu kemi të bëjmë me një çështje të tillë. Mendoj se dy pyetjet, nëse duhet ketë ndarje - kjo përjashtohet plotësisht, askush nuk do ta pranojë këtë dhe mundësia e dytë është autonomia rajonale, që, sipas mendimit tim duhet të refuzohet, sepse është e panevojshme, sepse nuk është e duhur që të ketë dy lloj grupe serbe në Kosovë, një në veri me autonomi rajonale dhe tjetra në jug, me autonomi komunale. Mendoj se autonomia komunale, që ofrohet me Planin Ahtisari i ofron komunitetit serb vetëqeverisje në masë të madhe dhe kjo është ajo që duhet në të vërtetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar Drejtues ka përfunduar punën me Kosovës, dhe Zyra Civile Ndërkombëtare është shuar. Megjithatë, mbeten ende institucione ndërkombëtare si KFOR-I, EULEX-i. Përderisa për KFOR-in, ekziston një pikëpamje pozitive, përse mendoni se EULEX-i nuk u tregua më i suksesshëm?

ALBERT ROHAN
Është punë shumë e komplikuar. EULEX-i ka dy anë të mandatit, njëra të mbështesë institucionet kosovare në fushën e drejtësisë dhe këtë po e bëjnë mirë. Dhe, tjetra është që të hetojnë krime të caktuara, krimin e organizuar, korrupsionin. Këto çështje komplikuara dhe mund t’i shohim në shtete tjera, ku proceset marrin shumë vjet. Do të doja që EULEX-i të jetë më efektiv, por duhet të pranojmë se kjo nuk është çështje e lehtë…


Vuaj dhe gëzohem për Kosovën me kosovarët 

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rohan, një pyetje tjetër më personale. Ju mbase e dini secilën shkronjë të Planit Ahtisaari dhe keni lidhje të veçanta me Kosovën. Në këtë rrafsh, si i përjetoni personalisht lajmet nga Kosova, qofshin ato pozitive apo negative?

ALBERT ROHAN
Kam qenë i lidhur me Kosovën  për kohë të gjatë, për herë të parë kam ardhur në vitin 1992, dhe ndërkohë, shumë më herët para negociatave në Vjenë, kam qenë atje çdo vit, në vitet 1998-1999, gjatë luftës kam qenë dy herë. Natyrisht, kam shumë miq në Kosovë dhe ndjej shumë për Kosovën, vuaj për Kosovën me kosovarët dhe gëzohem kur të ketë lajme pozitive dhe kështu po ndihem aktualisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mesazhi keni në këtë pesë-vjetor?

ALBERT ROHAN
Mesazhi im është që të jeni krenarë për atë që keni arritur dhe të fokusoheni në problemet reale që kanë njerëzit, që kanë të bëjnë me situatën ekonomike e sociale dhe përforcimi i institucioneve. Mesazhi im do të jetë se në situatën kur ka shumë probleme që duhet të tejkalohen, e tëra shoqëria, të gjitha partitë politike, shoqëria civile duhet të bashkohen dhe të fokusohen për të përmirësuar imazhin dhe për t'i tejkaluar këto probleme. Duhet të qëndrojnë së bashku.

Albana Isufi

albana.isufi+gmail.com

Albana Isufi merret me gazetari nga viti 2001. Si korrespondente nga Prishtina për Radion Evropa e Lirë ka punuar nga janari i vitit 2004. Nga janari i vitit 2012 punon si gazetare/redaktore në programin për Kosovën të Radios Evropa e Lirë në Pragë.
Twitter
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Lorik Prej : Gjermani
17.02.2013 15:45
@zoteri,

ju ishit nje prej projektuesve me amerikanin Wisninger te Paketes se Ahtisarit qe i hap rruges per kantonizimin e Kosoves dhe krijimin e Srbska Krajines ne Kosove. Me ket pako lejohet acosiimi i komunave serbe ne Kosove dhe lidhjet speciale me Serbin dhe tash kjo do behet realitet me ndryshim se serbet tani do ken kompetenca shtes ne keto komuna, kurse tash deklaronio verbalisht se nuk duhet te pranoni autonomi territoriale

Pako Ahtisarit=Autonomi Territoriale

Nga : Besa
16.02.2013 14:51
Mire shum paska fol, kjo dmth qe ne kemi mbeshtetje nderkombtare

gezuar

Nga : Anonim
16.02.2013 14:50
Pasi vet vehten s'pi dojna, bile dikush po na dojka, po athu pse se???

Nga : Hamza Hatika Prej : Albania-Tirane
16.02.2013 12:27
Perendimi tregoi forcen dhe diplomacine per te rikthyer ate qe ai vete shkateroi pothuaj nje shekull me pare me trojet etnike shqiptare, Kosova mbetet loja e forces dhe fjales per ta!
Serbia e pafajshme sipas saj kerkon ate qe ju dhurou dhe habitet pse po ata e perveluan?!
Shqiptaret duhet te perfitojne nga koha dhe te vrapojne mbi logjiken e hakmarjes per t'u bere me elokuent ndaj ligjeve te perendimit dhe te mbajne lart flamurin e paqes dhe te globalizmit.
Veriu mbetet akoma konflikti i Europes dhe nafta qe e la makinen e NATO-S ne Iber, eshte sarkazma qe duhet lexuar me kujdes nga shqiptaret, ndersa serbia rreh ushtaret e KFORIT, tegjithe habiten me kurajon e tyre dhe moralin lart qe mbajne perseri nen psikologjine e dhunes kombetare.
Ata jane leksion per shqiptaret qe duhet te jene antipod i tyre duke trumbetuar leksionet e NENE TEREZES, aja na ka mbetur ikone e dites.
Diplomacia mes vendeve " armiq: po thyen kedo qe s'e besonte se mudn te ulen ne bisedime, te cialt po perparojne dhe zerat per shkrirje te strukturave ne veri duket se jane bast i fituar i perendimit pas kontrabandes dhe Kosovareve qe leket e emigranteve i dergojne ne treguan, made in serbia....
Ora e vonuar troket ngadale por e sigurte se familia e madhe europiane dikton edhe per ish jugosllavine nen ligjet e saj progresiste se vetem aty ata do te jene aktoret me zerin e tyre origjinal dhe fytyren e sinqerte se me ne fund jane pjse e pamohuar e saj.....