E shtunë, dhjetor 20, 2014 Kosova 03:57

Bota

Shpërthimi i meteoritit në Rusi, i jashtëzakonshëm

Meteoriti ra mbi liqenin e ngrirë Chebarkul, në rajonin Chelyabinsk, Rusi.
Meteoriti ra mbi liqenin e ngrirë Chebarkul, në rajonin Chelyabinsk, Rusi.
Pesëmbëdhjetë shkurti nuk ka qenë një ditë e zakonshme për banorët e rajonit rus Çeliabinsk. Një meteorit, i cili sipas ekspertëve ka pasur forcën e një bombe atomike, është përplasur në Tokë. Shpërthimi ka shkaktuar panik të paparë, mbi 1,000 njerëz të plagosur dhe dëme materiale.

Marina Ivanova është shkencëtare në Laboratorin e Meteoritëve në Institutin Vernadsky të Moskës. Ajo shpjegon se çfarë ndodh kur një meteor bie në drejtim të sipërfaqes së Tokës.

“Meteoritët kanë rënë në Tokë gjatë gjithë historisë së planetit. Shumë meteoritë bien çdo ditë, por shumica nga ta janë shumë, shumë të vegjël. Të mëdhenjtë kanë qenë të rrallë gjatë historisë së njerëzimit. Shumica e pjesëve të vogla të asteroideve dhe kometave digjen në atmosferë, por nëse kanë masë të madhe dhe mbijetojnë ngrohjen nga fërkimi, ato godasin Tokën. Këto pjesë të materialit kozmik lëvizin shumë më shpejt se shpejtësia e zërit”, thotë Ivanova.

Gjurmët e meteoritit...Gjurmët e meteoritit...
x
Gjurmët e meteoritit...
Gjurmët e meteoritit...
Pamjet amatore kanë treguar meteoritin të ketë lënë gjurmë të madhe të tymit dhe dritë intensive në qiellin e Rusisë. Ivanova thotë se lëndimet në njerëz, në zonën ku bie meteoriti, janë të rralla, porse rasti i së premtes në Rusi ka qenë i jashtëzakonshëm.

“Kjo ngjarje, në përgjithësi, ishte shumë e jashtëzakonshme. Ndodh ndoshta një herë në 30 ose 40 vjet. Mund të ndodhë kudo, në çdo pjesë të botës. Shpërthimi më i madh i regjistruar i një objekti të hapësirës ishte Tunguska, në rajonin e Siberisë, më 1908. Ai ka qenë rreth 5,000 kilometra në lindje të Çeliabinskut”, thotë Ivanova.

Meteoriti, i rënë të premten, thuhet se ka peshuar rreth 10 tonë dhe se mund të ketë pasur përbërje të madhe të hekurit. Ai nuk është vënë re paraprakisht nga shkencëtarët.

“Është e pamundur të vihen re trupat kozmikë të kësaj madhësie – për shembull, disa tonë. Është shumë më e lehtë të vëzhgohen asteroidet e mëdhenj dhe të parashikohet lëvizja e tyre”, thekson Ivanova.

Ministria e Emergjencave në Rusi ka nisur të shtunën një operacion të gjerë pastrimit të rrënojave që ka shkaktuar meteoriti.

Rreth 50 njerëz të lënduar, kryesisht nga xhamat e thyer të dritareve, mbeten në spital, por plagët e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën.

Autoritetet rajonale thonë se shpërthimi i meteoritit ka shkaktuar dëme në vlerë prej 13 milionë dollarësh dhe se të gjitha familjeve të prekura do t’iu paguhet dëmshpërblim.

Shpërthimi i meteoritit në Rusi ka ndodhur në të njëjtën ditë kur Tokës i është afruar në afërsi rekorde asteroidi 2012 DA 14, i cili ka pasur madhësinë sa gjysma e fushës së futbollit.(v.tela)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum