E enjte, tetor 02, 2014 Kosova 16:28

Kronika

Jeta në ndjekje të konkurseve për punë

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Berta Zeqiri nga Prishtina, 28 vjeçare, është e papunë.

Ajo vitin e kaluar ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, ndërsa tashmë vazhdon studimet në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Blerta tregon se që nga përfundimi i studimeve ka konkurruar në dhjetëra konkurse, si në institucione publike po ashtu edhe private, por përveçse në disa raste është ftuar për intervista, ajo nuk ka mundur të fitojë një vend pune.

Ka me dhjetëra, dhjetëra konkurse që janë shpall në gazeta ditore, në portale të ndryshme elektronike. Kam aplikuar, ka pas raste kur jam ftuar në intervista, mirëpo fatkeqësisht nuk më kanë pranuar askund".

"Unë mendoj se problemi kryesor, se nuk po pranohem në punë është se nuk kam të njofshëm. Sepse gjithkund pa pas dikën të njofshëm, nuk mundesh të pranohesh, pra familjarizimi, padyshim është shumë i shprehur si në institucione private dhe  ato qeveritare”, thotë Blerta.  

Jeta pa punë është e vështirë dhe e padobishme, thotë e shqetësuar Blerta.

Ajo tregon  se për mjete financiare varet nga pjesëtaret e familjes se saj.  Edhe pse thotë se fatmirësisht, nuk qëndron keq financiarisht, por gjerat vetvetiu, thotë ajo janë të kufizuara.

Jemi shtatë anëtarë të familjes, dy vëllezër i kam jashtë Kosovës, edhe babi më punon, vëllezërit më dërgojnë para, kështu për të ardhura nuk jam keq, por megjithatë problemi është se tashmë kam një moshë, kam përfunduar fakultetin, thjesht po ndihem e pa dobishme për derisa nuk po punoj".

"Është shumë e vështirë që të jetosh më paratë të cilat nuk i fiton vetë, sepse kufizimet janë gjithmonë shumë të shprehura, edhe pse anëtaret e familjes nuk më limitojnë, por megjithatë unë ndjehem shumë keq”, shprehet ajo.

Se papunësia vazhdon të mbetet brenga kryesore për qytetarët, vërehet kur në  institucionet publike dhe private, shpallen konkurse për vende pune.

Në këto konkurse aplikojnë dhjetëra të papunë për një vend të lirë të punës. Kjo ka ndodhur  edhe në kompaninë e telekomit “KUJTESA”.

Arbër Arifi, drejtor ekzekutiv, në këtë kompani  thotë se interesimi për punës është shumë me i madh se sa mundësitë e punësimit.

Ai ndërkaq shprehet se mosha e të punësuarve në kompani, por edhe atyre të interesuar për punë është prej 25 deri në 30 vjeç.

Numri i të interesuarve për punë është shumë i madh, apo enorm, më i lartë, se sa është mundësia e punësimit. Më  kujtohet se në rastet e fundit, janë dhjetëra konkurrime për një vend pune, mund të jenë 10-20-30 për një vend pune”, shprehet Arifi. 

Ndryshe, nga rezultat e regjistrimit të fundit për papunësi, rezulton se 44.9 për qind është shifra papunësisë në vend, ndërsa sipas Agjencisë për Statistika të Kosovës, 28 për qind e popullatës është më e re se 15 vjeçare, ndërsa gati dy të tretat, apo 65 për qind, i përkasin grupmoshës 15 deri 64 vjeçare, grupmoshë kjo që njihet si ekonomikisht aktive.

Po, sipas të dhënave zyrtare, në sektorin publik janë të punësuar rreth 78 mijë punëtorë, ndërsa në sektorin privat numri i të punësuarave arrin shifrën 123.233.

Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë, theksojnë se gjatë periudhës pas pavarësisë, janë angazhuar në konsolidimin e çështjeve ligjore, kanë modernizuar qendra për aftësime profesionale, duke ofruar 38 profesione të ndryshme, në mënyrë që qytetarët e regjistruar në qendrat komunale për punësim trajnimet për këto lami t’i ndjekin falas.

Behxhet Gaxhiqi, këshilltar politik në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, (MPMS) si rezultat gjatë kësaj periudhe përmend miratimin e Strategjisë për Punësim, dokument ky nga i cili janë punësuar rreth 12 mijë persona.

Përmes kësaj strategjie, MPMS tri vjet radhazi ka përfituar projektet të cilat kanë qenë të financuara nga Banka Botërore, projektet këto që janë implementuar në bashkëpunim mes komunave dhe MPMS".

"Për tri vjet radhazi, viti 2010, 2011, 2012 kanë qenë vitet që duke konsideruar se për këtë periudhë duke zbatuar këto projekte janë punësuar rreth 12 mijë persona" thekson ai.

Ndërsa, nga projektet tjera, Gaxhiqi, thotë se për pesë vite radhazi, kjo ministri për çdo vit ka arritur të punësoi mbi 8000 persona.

Sidoqoftë, 256 mijë punëkërkues janë të regjistruar në zyrtar e punësimit në gjithë Kosovën, thotë Gaxhiqi, shifër kjo që sipas tij ndahet në dy kategori.

"Mes atyre që janë pasivë dhe atyre që janë aktivë. Ata që janë aktivë janë mbi 101,000, të cilët në aspektin kohor shkojnë lajmërohen në zyrat e punësimit, si persona të papunë dhe që kërkojnë punë".

"Ndërsa pjesa tjetër janë pasiv, të cilët janë regjistruar për një kohë dhe nuk janë shkuar të lajmërohen në zyrat e punësimit, dhe kjo rezulton se këta kalojnë në aspektin e pasivitetit. Kjo nënkupton se një numër prej tyre janë punësuar". 

Sidoqoftë, pesë vjet më parë, para shpalljes së pavarësisë, pritjet e kosovarëve ishin se me formimin e shtetit të ri, do të përmirësohej edhe gjendja sociale, duke u rritur në këtë mënyrë shkalla e punësimit.

Por, një gjë e tillë, sipas tyre dhe njohësve të çështjeve ekonomike, nuk ndodhi, pasi në tregun e punës në Kosovë hyjnë deri në 35 mijë të rinj, ndërkaq ky treg absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

Nadie Ahmeti

nadie.ahmeti+gmail.com

Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum