E dielë, prill 20, 2014 Kosova 00:44

Bota

‘Shtetësia e merituar’ në qendër të reformës së migracionit në SHBA

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Artikujt e ndërlidhur

Madhësia e shkronjave - +
Toma” është një imigrant i paligjshëm, rreth 50 vjeç, i cili jeton në verilindje të Shteteve të Bashkuara. Ai flet pak anglisht. Thotë se ka marrë një vizë turistike pesë vjet më parë dhe ka lënë qytetin e tij të lindjes Kutaisi në Gjeorgji. Që atëherë, nuk është kthyer më kurrë.

Kam një familje për të ushqyer. Duhet të bëj diçka. Pasi jam në Amerikë, familja ime dhe të afërmit e mi nuk mbesin të uritur. Kam ndihmuar shumë njerëz që të mbijetojnë, duke u dërguar para. Kam dërguar para për operacionet që nuk kanë mundur t’i paguajnë. Për këtë i detyrohem Amerikës. Unë e dua vendin tim, por e respektoj edhe këtë. Ky më është si nëna e dytë”, thotë Toma.

Në më pak se një muaj prejse presidenti amerikan, Barack Obama, është inauguruar për mandatin e dytë, liderët e Shtëpisë së Bardhë dhe të Kongresit kanë aktualizuar reformat e migracionit.

Toma thotë se “shansi i madh” mund të vijë tani. Dhe, jo vetëm për të, por për afro 11 milionë imigrantë të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, të cilët mund të nisin rrugën e shtetësisë në një të ardhme jo aq të largët.

Audrey Singer, ekspert për politikat e imigracionit në Institutin Brookings, thotë se është “pjekur” koha për reformën e parë të madhe të imigracionit që nga mesi i viteve 1980.

Duke se yjet janë rreshtuar dhe ky është shansi më i mirë që ne kemi parë në disa vjet. Për më tepër, sinjalizimi vjen nga njerëz dhe vende ku më parë ka pasur rezistencë: liderë të lartë republikanë po flasin për herë të parë për legalizimin e njerëzve, të cilët ndodhen në Shtetet e Bashkuara pa status të zgjidhur”, thotë Singer.

Shumica e imigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara janë nga Amerika Latine. Statistikat e fundit nga Qendra e Kërkimeve “Pew” bëjnë të ditur se gati 60 për qind e tyre janë nga Meksika.

Demografi i kësaj qendre, Jeffrey Passel, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se rreth 50,000 imigrantë të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara janë nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Në vitin 1986, Kongresi ka votuar për t’iu dhënë statusin ligjor rreth 3 milionë imigrantëve të paligjshëm, duke shpresuar se ky veprim do të frenojë rrjedhën e njerëzve përtej kufirit meksikan.

Në vend të kësaj, ka ndodhur e kundërta. Por sot, shumë ligjvënës amerikanë, duke përmendur pamundësinë e dëbimeve masive, thonë se shtetësia për të paligjshmit është mënyra më e mirë për të proceduar.

Shumë republikanë janë ngrohur me idenë në frymën e demografisë së ndryshuar të vendit. Votuesit latinë janë shfaqur si forcë e madhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, duke hedhur shumicën e mbështetjes së tyre për Obamën, i cili është parë si më i ndjeshëm ndaj kauzës së imigracionit.

Në fund të janarit, një grup i senatorëve nga të dyja partitë, përfshirë ish-kandidatin republikan për president, John McCain, ka publikuar një plan për reformën e imigracionit, i cili përfshin shtetësinë eventuale.

Projekti, megjithatë, e bën të mundshme “rrugën e shtetësisë” pas përmirësimit të sigurisë kufitare të SHBA-së dhe zbatimit të disa masave. Plani i Obamës nuk i përmban të gjitha këto.

Reformat e vërteta nënkuptojnë krijimin e një rruge të përgjegjshme për të fituar shtetësinë – një rrugë e cila përfshin kontrollimin e së kaluarës, pagesën e taksave dhe mësimin e anglishtes”, ka thënë Obama në fjalimin e tij vjetor më 12 shkurt.

Çështja e fitimit të shtetësisë do të jetë ushqim për debate grindavece në muajt e ardhshëm.

Senati ka pasur seancën e parë dëgjimore për reformën e imigracionit më 13 shkurt, ku ndarjet partiake kanë nisur të shfaqen. Republikanët kanë akuzuar administratën Obama për nënvlerësim të sigurisë kufitare dhe i kanë quajtur “amnisti” përpjekjet për legalizim.

Sidoqoftë, çështja e shtetësisë do të përballet me sfidën më të fortë në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga Republikanët.

Toma thotë se është i gatshëm të paguajë taksat dhe të kalojë nëpër procesin e shtetësisë. Kjo mundësi, shton ai, do të ishte frymëzim për të dhe imigrantët e tjerë të paligjshëm, të cilët mezi presin të dalin nga kjo hije.

Do të lutem për presidentin e këtij vendi, nëse kjo ndodh”, thotë Toma.(v.tela.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum