Ndërlidhjet

Bisedimet vazhdojnë të mërkurën


Bruksel, 19 shkurt 2013.
Bruksel, 19 shkurt 2013.
Në Bruksel ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, për të vazhduar sërish të mërkurën.

Takimi, i cili ka qenë i pesti me radhë, është zhvilluar edhe këtë herë nën praninë e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Bruksel, Rikard Jozwiak, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndonjë marrëveshje të arritur.

“Bisedimet për sot kanë përfunduar. Nuk ka marrëveshje, nuk ka deklarata. Bisedimet pritet të vazhdojnë nesër (të mërkurën) pasdite. Atmosfera sot ka qenë shumë e mirë. Dy kryeministrat kanë folur gati tri orë. Burimet e mia thonë se bisedimet kanë qenë shumë të hapura, ndonëse tash për tash nuk mund të flasim për ndonjë arritje. Një gjë të tillë ndoshta mund ta shohim gjatë ditës së nesërme”, ka thënë Jozwiak.

Bashkimi Evropian nuk ka dalë ende me deklaratë zyrtare.

Bisedimet në nivel të kryeministrave midis Kosovës dhe Serbisë kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Në këtë raund është thënë se do të flitet për çështjen e veriut të Kosovës dhe strukturat paralele të Serbisë atje.

Pjesa veriore e Kosovës është konsideruar si tema më e nxehtë e bisedimeve.

Sido që të jetë, rezultatet nga këto bisedime është thënë se janë esenciale për përparimin e Kosovës dhe të Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane. (v.tela)


Plotësimi i kushteve

Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka thënë sot, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, se ky vit është kyç për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Hashim Thaç dhe Jose Manuel Barroso
Hashim Thaç dhe Jose Manuel Barroso
Barroso ka thënë se nëse Kosova i përmbush kushtet e caktuara në Studimin e Fizibilitetit të Komisionit Evropian, mund të presë në muajin qershor edhe lëvizjen drejt Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

"Nëse kushtet plotësohen, atëherë Komisioni Evropian është i gatshëm të lëvizë përpara", ka thënë Barroso.

Ai ka bërë të ditur se në takim me Thaçin është biseduar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.

Barroso ka thënë se raporti i Komisionit Evropian, që ishte raporti i parë lidhur me përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash, ka pranuar që Kosova ka bërë një përparim në legjislacion, por ka ftuar Kosovën që të bëjë më shumë në implementimin e legjislacionit në të ardhmen.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi është zotuar se Kosova do të punojë në përmbushjen e kritereve dhe obligimeve që ka marrë nga Bashkimi Evropian.

Në pyetjen se çfarë mund të bëjë Kosova më së shumti rreth veriut të Kosovës, Thaçi ka thënë se Kosova, si shtet sovran, ka Kushtetutën e saj dhe "ajo Kushtetutë ofron mundësi të shumta për pakicat, përfshirë edhe veriun".

Thaçi ka thënë se është një situatë ndryshe në veri, mirëpo ka insistuar që Kosova do të jetë shtet sovran në kufijtë e saj dhe se do të respektohet integriteti territorial i saj.

Kryeministri i Kosovës ka takuar sot në Bruksel edhe kryetarin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy.

Hashim Thaçi dhe Herman Von Rompuy
Hashim Thaçi dhe Herman Von Rompuy
Duke folur për takimin me homologun e Serbisë, Ivica Daçiq, Thaçi ka thënë se qëllim i këtyre bisedimeve nuk është që Kosova dhe Serbia të mundin njëra-tjetrën, por të lëvizin përpara drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

“Besoj se në këto bisedime do të ngadhënjejnë vlerat evropiane dhe të kemi fqinjësi të mirë ndërshtetërore”, ka thënë Thaçi.

Herman van Rompuy ka kujtuar se Kosova duhet të përmbushë kriteret afatshkurtra, në lidhje me sundimin e ligjit, tregtinë, administratën publike dhe mbrojtjen e minoriteteve, si kusht për të avancuar në procesin evropian.
XS
SM
MD
LG