Ndërlidhjet

Sulme frikësimi në veri të Mitrovicës


Veri - foto nga arkivi
Veri - foto nga arkivi
Në dy muajt e fundit, sulmet me mjete shpërthyese në veri të Kosovës janë shpeshtuar dhe grupet e strukturuara kriminale në atë pjesë të vendit kanë për qëllim frikësimin e popullatës që jeton aty, e sidomos të serbëve që janë të ndërlidhur me institucionet e Kosovës, vlerësojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se gjatë dy muajve të fundit, janë shënuar mbi 20 shpërthime në veri të vendit, sulme të cilat kryesisht kanë qenë të drejtuara ndaj pasurisë ose pronës së individëve.

Numri më i madh i incidenteve të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, e kryesisht ato me përdorimin e mjeteve shpërthyese, eksploduese, kanë qenë të orientuara drejt individëve ose më mirë të them drejt pronës dhe pasurisë së individëve, të qytetarëve të përkatësisë etnike serbe, të cilët në çfarëdo lloj forme kanë pasur lidhje me institucionet e Republikës së Kosovës, qoftë në nivel lokal apo qendror. Kjo, sigurisht që e shtyn Policinë e Kosovës për ndjekjen e hetimeve kryesisht mbi motive të tilla të ndërtuara”, shprehet Hoti.

Zëdhënësi i policisë, Hoti, ka shtuar se fatmirësisht që nuk ka pasur rezultate fatale për jetët e njerëzve nga këto shpërthim.

Në një rast, sipas tij, ka pasur sulm të armatosur ndaj një zyrtari të Zyrës Administrative në veri, i cili ishte plagosur në këmbë.

Gjithashtu, sipas tij, dy fëmijë janë plagosur lehtë pas shpërthimit të një granate dore, e cila ishte hedhur në shtëpinë e tyre.

Ekspertët e sigurisë po ashtu vlerësojnë se grupet e strukturuara kriminale në veri kanë vënë në shënjestër bashkëkombësit e tyre me qëllim të mbjelljes së frikës për të mos bashkëpunuar me institucionet e Kosovës.

Naim Maloku, njohës i rrethanave të sigurisë në vend, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se rastet e thyerjes së sigurisë së përgjithshme në veri, përmes sulmeve me mjete shpërthyese, po ndodhin për shkakun se grupet e strukturuara kriminale po i frikësohen epilogut të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Unë mendoj se krejt kjo çka po ndodhë, do të thotë, po sulmohen praktikisht përfaqësuesit e komunitetit serb, të cilët po e pranojnë përfundimin e këtyre bisedimeve. Ngase, përfundimi i këtyre bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel, po shihet praktikisht - që ajo pjesë nuk do të fitojë ndonjë autonomi territoriale siç kanë menduar ose ndonjë ndarje eventuale nga Kosova".

"Të gjitha segmentet, të cilat janë tash të rrezikuara nga shtrirja e ligjshmërisë dhe funksionimit të shtetit në atë pjesë, praktikisht mundohen për ta penguar një gjendje të tillë”, bën të ditur Naim Maloku.

Zëdhënësi i policisë Hoti ka shpjeguar se hetimet e para flasin se shpërthimet janë shkaktuar nga grupe të strukturuara kriminale, të cilat dinë të manipulojnë me mjete të ndryshme eksploduese, përfshirë këtu edhe granatat e dorës, por edhe eksploziv plastik.

Nuk bëhet fjalë për individ, të cilët nuk kanë njohuri për përdorim të këtyre mjeteve dhe mund të themi se janë grupe të strukturuara mirë kriminale, të cilat kanë për qëllim, kryesisht, përdorimin e metodës së frikësimit përmes mjeteve të ndryshme me qëllim të arritjes së objektivave të tyre".

"Sigurisht që policia zhvillon hetimet veç e veç, për secilin rast dhe normalisht, kërkon ndërlidhshmërinë e këtyre rasteve, ndërmjet tyre. Gjithë se si , kur flasim për kurorëzimin e zhvillimit të hetimeve, normalisht, duhet që t’ju japim kohë hetuesve policorë në zhvillimin e këtyre hetimeve të pavarura”, shprehet ai.

Por, a janë këto grupe kriminale në veri të vendit pjesë të strukturave të sigurisë, të cilat i kontrollon shteti i Serbisë apo grupe kriminale të pakontrolluara?

Zyrtarët e policisë ende nuk kanë një përgjigje të saktë.

Por, eksperti për çështje të sigurisë Maloku, nuk beson se ato grupe janë nën kontrollin e shtetit serb.

Ai mendon se grupet e tilla kriminale janë marrë me veprimtari të kontrabandës, e cila e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës, por edhe atë të Serbisë.

Mendoj që janë jashtë kontrollit të Beogradit. Ata mund të jenë të identifikuara, se kush janë, por janë jashtë kontrollit. Tash janë segmente jashtë Qeverisë së Serbisë, të cilat në njëfarë forme mundohen për ta penguar dialogun dhe t’i pengojnë arritjet e marrëveshjeve në Bruksel”.

Ndryshe, eksperti për çështje të sigurisë, Maloku, ka vlerësuar se sulmet me mjete shpërthyese në veri të vendit, pavarësisht se janë shpeshtuar në dy muajt e fundit, megjithatë duhet konsideruar si të izoluara dhe se nuk ka sinjale që situata e sigurisë në veri mund të përshkallëzohet.
XS
SM
MD
LG