E dielë, maj 24, 2015 Kosova 21:15

Bota

Rrjetet sociale dhe terroristët

Ilustrim
Ilustrim
RFE /RL
Në fund të muajit janar, Twitter ka mbyllur llogarinë e një grupi terrorist të lidhur me Al Qaedan, me seli në Somali, Al-Shabaab. Llogaria u shua pasi që grupi postoi një video në Twitter me të cilën kërcënonte të vriste dy pengje keniane, po që se qeveria nuk përmbushte kërkesat e grupit.

Twitter nuk ka komentuar në lidhje me fshirjen e llogarisë, por disa ekspertë të mediave sociale arsyetojnë se Al-Shabaab ka shkelur kushtet e shërbimit të Twitter-it, të cilat ndalojnë kërcënimet direkte të dhunës.

Kjo çështje tashmë është bërë shumë e njohur. Ndonjë llogari e ndonjë organizate terroriste në Facebook ose Twitter vihet në qendër të vëmendjes, aktivistët dhe mediat flasin për të, shuhet nga rrjeti social- dhe më vonë, shfaqet llogaria e re.

Derisa grupet terroriste kërkojnë të arrijnë një audiencë më të gjerë globale, migrimi i tyre në rrjetet sociale, është dëshmuar si një sfidë për rrjetet si Twitter dhe Facebook.

Derisa qeveritë kërkojnë që rrjetet sociale t’i mbyllin llogaritë e këtyre grupeve terroriste, aktivistët e internetit, kërkojnë transparencë më të madhe të rregullave të kompanive të mediave sociale.

Aaron Zelin, nga Instituti për Politikat e Lindjes së Afërt në Uashington që së fundi ka publikuar një raport mbi përdorimin e mediave sociale nga grupet xhihadiste, tregon se çka ndodh kur të shuhen llogaritë.

Shumica e këtyre grupeve pas kësaj krijojnë një llogari të re dhe krijojnë një situatë të tillë, ku llogaria e re rri një kohë e aktivizuar, pastaj mbyllet, dhe është një si lojë e maces me miun”, shprehet Zelin.

Kjo është saktësisht ajo që ka ndodhur në muajin dhjetor në Pakistan, kur Facebook pezulloi llogarinë e një dege mediale të talibanëve, Umar Media. Faqja u mbyll, pasi që kishte thyer rregullat e Facebook-ut duke promovuar terrorizmin. Dy javë më vonë, një llogari e re Umar Media u krijua në Facebook, edhe pse nuk është e qartë nëse i takon të njëjtit grup.

Kompanitë private Twitter dhe Facebook lejojnë llogarinë e kujtdo, që pëlqen platformat e tyre. Por, për shkak të numrit të madh të përdoruesve globalë, ato po pëlqehen edhe nga terroristët e internetit në hapësirën publike- një shesh global qyteti në epokën digjitale.

Twitter konsiderohet në masë të gjerë si lider në mesin e rrjeteve sociale për shkak të përkushtimit për lirinë e shprehjes, por disa aktivistë janë të shqetësuar lidhur me mungesën e politikave të qarta të platformës sa i përket ekstremistëve ose organizatave terroriste.

Twitter në të vërtetë nuk ka ndonjë politikë në lidhje me organizatat terroriste në platformën e vet. Nëse dikush nxit dikë ose një grup njerëzish për dhunë, ky është një kërcënim i menjëhershëm, atëherë ata e mbyllin, siç bënë me Al-Shabaab-in”, thotë Zelin.

Përfaqësuesit e Facebook dhe të Twitter nuk i janë përgjigjur kërkesës së RFE/RL për intervista.

Rebecca MacKinnon, një eksperte mbi censurën në Internet dhe anëtare e Fondacionit New America, shpjegon se përveç kushteve të shërbimeve e rregullave që i administron përdoruesi dhe të sjelljes në platformë, rrjetet sociale janë subjekt i ligjit dhe qeverive në ndryshme, varësisht se ku operojnë.

Sa i përket kërkesave të qeverisë, për shembull, Twitter, operon sipas shteteve.

Shpresojmë se ajo që po e bëjnë ata është përgjigje ndaj kërkesave të obligueshme me ligj. Pra, nëse qeveria ka një urdhër që ligjërisht është i detyrueshëm dhe e bën të qartë se përmbajtja në fjalë është në kundërshtim me ligjin, atëherë shërbimi është i detyruar që ta mbyllë apo bllokojë atë”, tha MacKinnon.

Për shembull, në tetor të 2012, Twitter ka bllokuar një llogari neonaziste pas një kërkese të qeverisë gjermane, e cila argumentonte se llogaria shkelte ligjet kundër gjuhës së urrejtjes.

Në dy raportet mbi transparencën, Twitter ka thënë se ka qenë një rritje e qëndrueshme e kërkesave të qeverisë për heqjen e përmbajtjeve dhe vërejtjeve për të drejtat e autorit.

Në shumicën e rasteve, Twitter thotë se nuk i ka përmbushur kërkesat e qeverisë për të hequr përmbajtjen.

Sipas MacKinnon, “Facebook është më pak transparent në lidhje me mënyrat se si i është përgjigjur kërkesave të qeverisë ose se çfarë lloj kërkesash ka pasur nga qeveria”.

Shkruarja e mesazheve anglisht në Twitter, paraqet rrugë të sigurt të tërheqjes së vëmendjes së sistemeve filtruese të rrjeteve sociale. Aktivistët e internetit kanë vërejtur se Facebook dhe Twitter reagojnë shpejt kur organizata a individi shkruan anglisht.

Por, kjo mbase nuk paraqet rastin kur të tillët postojnë në gjuhë të tjera.

Sarah Kendzior, shkrimtare dhe antropologjiste, argumenton se Facebook mund të mos jetë i vetëdijshëm për praninë e disa grupeve terroriste për shkak se nuk e di se çka shkruajnë ata.

E di se Unioni Xhihadist Islamik, për shembull, ka një faqe në Facebook, dhe jo shumë njerëz i pëlqejnë, ose vërejnë se çka publikojnë ata kryesisht në gjuhën uzbeke”, thotë Kendzior.

Zelin gjithashtu thekson se Al-Shabaab në llogaritë arabe dhe somaleze nuk është shuar kurrë, edhe pse aty poston pak a shumë të njëjtat materiale si ato në anglisht.

Derisa organizatat terroriste vazhdojnë të përqafojnë mediat sociale, aktivistët për lirinë e shprehjes duket se do të bëhen më agresivë në thirrjet e tyre për më shumë politika transparente drejt gupeve ekstremiste terroriste.

Derisa qeveria ka dëshirë të shuajnë ato, platformat e mediave sociale, do ta kenë shumë vështirë të marrin vendim se ku të vendosin kufirin.(a.isufi)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum

Përzgjedhja Jonë

Si të vazhdosh jetën kur miqtë të martirizohen?

“Një nga gjërat më të vështira të xhihadit është kur e humbet një mik”, e pranon militanti çeçen i Shtetit Islamik, Musa Abu Yusuf Shishani, në një postim në rrjete sociale të publikuar së fundi.