E mërkurë, gusht 20, 2014 Kosova 12:43

Rajoni

Maqedoni: Kriza politike lë anash hallet e qytetarëve

Shkup
Shkup
Qytetarët e Maqedonisë thonë se janë lodhur që në fokus të vëmendjes të jenë problemet politike, përfshirë këtu së fundmi krizën e krijuar politike me vendimin opozitës maqedonase që të bojkotojë zgjedhjet vendore të caktuara për në mars.

Ata thonë se në këtë mënyrë, janë lënë tërësisht nën hije problemet reale, me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë, si kushtet e vështira për jetë, papunësia dhe rënia e kapacitetit konsumues.

“Gjendja ekonomike në Republikën e Maqedonisë është në një pozitë mizore. Them kështu, sepse unë këtu, në Çarshinë e Vjetër, punoj tash 15 vjet. Për çdo vit ka ndryshime për të keq. Do të thotë punojmë në çarshi, por punë nuk kemi, mezi i mbulojmë harxhimet që i kemi”, thotë pronari i një dyqani në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Sipas tij, politikë-bërësit janë fokusuar më shumë në problemet politike, duke i lënë anash tërësisht problemet ekonomike.

Të dhënat nga qendrat e ndryshme hulumtuese, dëshmojnë se është në rritje numri i qytetarëve, të cilët abstenojnë në zgjedhje. Kurse, qytetarët shprehen se politikanët i kanë harruar hallet e popullit:

“Politikanët për popullin nuk janë të interesuar aspak. Papunësia është e madhe, ne s’kemi ku shkojmë. Rrimë tërë ditën si taksi dhe plus marrim dënime. Politikanët interesohen vetëm për vete dhe shtëpinë e tyre”.

Ka të tillë që thonë se çdo pore e ekonomisë, shkrihet në interesa politike.

“Ekonomia e Maqedonisë është krejt politikë. Pra, e gjithë ekonomia është kjo, ndërtimi i përmendoreve, fasadat antike, pra e shihni e gjithë ekonomia është kjo”, thotë një qytetar.

Derisa një tjetër qytetar,  potencon se Maqedonia, në pamundësi të zgjidhë problemet reale, me të cilat përballet vendi, shkon rrugës së Greqisë, e cila përballë krizës ekonomike, merre me nacionalizma:

“Duhet të krijohen kushte që ne të fokusohemi në punë dhe politikanët në politikë, mendoj se menjëherë pas Greqisë jemi popull që më shumë dëshirojmë të flasim për politikë dhe shumë më pak për punë”.

Ndryshe, të dhënat statistikore flasin se një e treta e popullatës së Maqedonisë është e papunë, derisa kundrejt politikave të ndryshme shtetërore për të ndihmuar kategoritë e ndjeshme sociale, është në rritje edhe numri i atyre që jetojnë në kufirin e varfërisë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum