Ndërlidhjet

Shkup: Referendum kundër shtrenjtimit


Pamje nga protesta në Maqedoni
Pamje nga protesta në Maqedoni
Drejtuesit e Iniciativës qytetare “Aman” janë të vendosur të vazhdojnë, siç shprehen, betejën me institucionet për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe të ngrohjes qendrore.

Pas refuzimit të nismës nga shumica parlamentare për ndryshimin e ligjit për energjetikë, edhe pse kishin mbledhur 15 mijë nënshkrimet e nevojshme, sektori civil tani paralajmëron mbledhjen e 150 mijë nënshkrimeve të nevojshme për shpalljen e referendumit.

Nisma e tyre synon kthimin e tarifës e lirë të energjisë elektrike që aplikohej për katër orë duke filluar nga mesdita.

Ndërkohë, iniciativa qytetare kërkon edhe lirimin nga pagesa e detyrueshme të familjeve për ngrohjen qendrore edhe pse të njëjtën nuk e shfrytëzojnë, por paguajnë vetëm pse sistemi kalon nëpër banesat e tyre.

Edhe përkundër refuzimit të iniciativës së Amanit në Kuvend, ne nuk do të heqim dorë, do të vazhdojmë më tej. Nëse arrijmë të mbledhim 150 mijë nënshkrime, mendoj se referendumi do të jetë i suksesshëm, përkatësisht në referendum do të miratohej kërkesa për ndryshimin e ligjit për energjetikë i cili u refuzua nga deputetët në Kuvend”, thotë Aleksandar Goçev nga iniciativa qytetare Aman.

Nisma e këtillë mbështetet dhe vlerësohet e ligjshme edhe nga ekspertët juridik dhe njohës e sferës energjetike, por, ata dyshojnë në realizimin e saj pasi sipas tyre që të ketë sukses ideja e referendumit fillimisht duhet të funksionojnë parimet bazë të demokracisë në shtet.

Një shtet në të cilin sundon diktatura nuk ka shanse në asnjë mënyrë që të garantohet ndikimi i qytetarëve ndaj atyre që janë në pushtet pasi ata nuk e konsiderojnë pushtetin si të fituar nga qytetarët por e konsiderojnë si pushtet absolut që të mund të bëjnë çfarë të duan, pavarësisht vullnetit dhe interesit të qytetarëve".

"Sa do nënshkrimet të mblidhen nuk besoj se do të kenë sukses, kështu ka ndodhur në të kaluarën dhe kjo dëshmohet edhe tani me shumë ligje të cilat miratohet në procedura të shkurtuar pa asnjë debat paraprak”, thotë Mirjana Najçevska, ligjëruese universitare, e cila para gjykatës kushtetuese ka ngritur iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për detyrimin e qytetarëve të paguajnë për ngrohjen qendrore edhe pse të njëjtën nuk e shfrytëzojnë.

Refuzimin e nismën për ndryshimin e ligjit për energjetikë, shumica parlamentare e ka arsyetuar me siç thonë me mosrritjen e mëtejme të çmimit të energjisë elektrike.

Sipas tyre në rast të miratimit të ndryshimeve të propozuara dhe kthimit të tarifës së lirë, automatikisht kompania energjetike EVN do të kërkonte rritjen e çmimit të energjisë kërkesë kjo që do të miratohej nga komisioni rregullator për energjetikë.

Por, Ruhi Bakiu, ish anëtar i komisionit thotë se nisma e iniciativës qytetare “Aman” ishte e qëndrueshme në aspektin juridik dhe në favor të qytetarëve.

Ka qenë një iniciativë e drejtë për shkak se qytetarët janë të goditur shumë. Mirëpo, refuzimi i kësaj iniciative nga Kuvendi i Maqedonisë ishte veprim jo i drejtë pasi refuzimi i kësaj kërkese nuk mund të arsyetohet me atë se kjo çështje nuk duhet të rregullohet me ligj për shkak se çdo gjë që nuk rregullohet me ligj, nuk mund të rregullohet apo shtjellohet me akte nënligjore ashtu siç pretendon Kuvendi i Maqedonisë”, thotë Bakiu, i cili, edhe në cilësinë e anëtarit të KRRE-së kishte kundërshtuar vendimin për ngrohjen qendrore dhe heqjen e tarifës së lirë për energjinë elektrike.

Bakiu njëjtë sikur Najçevkska e vlerëson të drejtë nismën e referendumit, por ai shpreh dilema nëse do të ketë sukses pasi sipas tij pushteti do të bëjë gjithçka të mundur për dështimin apo refuzimin e nismës.

Ndryshe iniciativa qytetare “Aman” një kohë të gjatë kishte protestuar edhe kundër çmimit të energjisë elektrike duke vlerësuar se qytetarët e Maqedonisë marrin fatura më të larta të energjisë elektrike jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.
XS
SM
MD
LG