Ndërlidhjet

Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë, e lartë


Departamenti i neonatologjisë, QKUK.
Departamenti i neonatologjisë, QKUK.
Derisa në Kosovë në vitin 2000, shkalla e vdekshmërisë së foshnjave ka qenë 29 vdekje në 1 mijë lindje, 11 vjet pas, vdekshmëria ka rënë në 17 vdekje në 1 mijë lindje, bëjnë të ditur zyrtarët shëndetësorë.

Në një debat të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF- i është folur për strategjinë e uljes së shkallës së mortalitetit në vend.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i tha Radios Evropa e Lirë se synimi i këtij institucioni është që të ulë sa më shumë numrin e vdekjeve të foshnjave të porsalindura.

“Unë kam një strategji të qartë dhe është e bazuar në zotimin tim që unë kam nënshkruar në konferencën ndërkombëtare në Uashington, pra mbijetesën e shtuar për foshnje, si dhe strategjinë që Ministria e Shëndetësisë e ka për shëndetin e nënës dhe fëmijëve. Do të dizajnojmë edhe një plan operativ pesëvjeçar dhe do t’i adresojmë problemet një nga një, në mënyrë shumë konkrete, do t’i analizojmë shkaqet e vdekshmërisë”, tha Agani.

Ndërkaq, Mynavere Hoxha, shefe e njësisë së Kujdesit intensiv neonatal në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, bëri të ditur se vdekshmëria e foshnjave në Kosovë është e lartë, por krahasuar me vitet paraprake, ka rënie të dukshme.

“Duke u nisur nga fakti se shkalla e vdekshmërisë në vitin 1988 kemi 53 promil, ne kemi trashëguar që viti i luftës na ka zënë me një shkallë të mortalitetit me 31 promil, ku me punën tonë kemi arritur që ta zvogëlojmë këtë në 17 promil. Këtu nuk ka vend për kënaqësi, sepse ende është shkallë e lartë, por kemi qenë në shkallët më të larta të vendeve”, tha Hoxha .

Ndër shkaktarët e vdekjeve të foshnjave në Kosovë, Hoxha përmendi edhe infeksionet e ndryshme, problemet kardiokirurgjike etj.

“Në bazë të analizave që i bëjmë, foshnjat që lindin para kohe kërkojnë kushte speciale, derisa te ne shkaku i vdekshmërisë së foshnjave deri në 50 për qind të rasteve janë vdekje për shkak të prematuritetit dhe shkaktarëve të tij, si infeksionet, pastaj rastet kardiokirurgjike, që kërkojnë qendra të specializuara kardiokirurgjike, e që mungojnë te ne”, sqaroi Hoxha.

Drejtoresha e Fondacionit të nënave dhe foshnjave të shëndosha në Kosovë, Indira Hoti, thekson për Radion Evropa e Lirë, se misioni i këtij fondacioni është ndihma financiare që i bëhet Repartit të neonatologjisë, në mënyrë që të shpëtohen jetët e fëmijëve.

“Misioni ynë kryesor është shpëtimi i jetës së foshnjave të lindura para kohe në Kosovë. Ne i ndihmojmë kryesisht Klinikës së neonatologjisë, meqenëse shumica e lindjeve bëhen aty nga e gjithë Kosova”.

“Ne iu ndihmojmë me barna material shpenzues. Gjithashtu kemi instaluar sistemin e oksigjenit për fëmijët, në vlerë prej 50 mijë eurosh, si dhe iu ndihmojmë me sufatantin në vlerë 150 mijë dollarë çdo vit, që ndihmon në zhvillimin e mushkërive te foshnjat, gjë të cilën e bëjmë qe 5 vjet”,
u shpreh Hoti.

Ndërkaq, Agron Gashi nga UNICEF-i, bën të ditur se problematika e mortalitetit te foshnjat është globale dhe se rënia e numrit të vdekjes së foshnjave kërkon kohë.

“Trendët e rënies marrin kohë, edhe në nivelin global është shënuar rënie sidomos në dy dekadat e fundit, megjithatë shkalla e vdekshmërisë edhe në nivelin global edhe në Kosovë, duhet të adresohet në mënyrë që të shpëtojmë sa më shumë jetë. Kjo mund të arrihet përmes intervenimeve të ndryshme që janë të bazuara në dëshmi përmes implementimit të planeve konkrete dhe financimit”, tha Gashi.

Sidoqoftë, sipas kreut të Ministrisë së Shëndetësisë, Ferid Agani, synimi i këtij institucioni është që të bjerë koeficienti i mortalitetit nën 10, apo 10 të vdekur në në 1 mijë foshnje të lindura.
XS
SM
MD
LG