Ndërlidhjet

Beogradi - sytë kah Berlini


Beograd
Beograd
Gjermania ka qenë në mesin e vendeve më të zëshme të Bashkimit Evropian, sa u përket kushteve që duhet të përmbushë Serbia për të marrë datën e negociatave për anëtarësim në bllok.

Autoritetet gjermane i kanë bërë vazhdimisht thirrje Beogradit që të shpërbëjë strukturat e veta të sigurisë nga veriu i Kosovës. I kanë kërkuar edhe qasje konstruktive në bisedimet me Prishtinën dhe, mbi të gjitha, normalizim të marrëdhënieve me të.

Dhe, si duket jo pa të drejtë, ka deklaruar ministrja për Integrime e Serbisë, Suzana Grubjeshiq, se “në Bruksel zhvillohet dialogu, por në Berlin vendoset”.

“Ekzistojnë shanse, të mëdha dhe reale, që të marrim datën në muajin qershor. Por, një gjë e tillë tani nuk varet nga ne, por nga Gjermania dhe vendet e tjera. E dimë se Gjermania është më e fuqishmja dhe është në duart e saj të caktojë datën për bisedime me Serbinë”, ka thënë Grubjeshiq.

Ajo, së bashku me një delegacion të vendit të saj, ka qëndruar sot dhe dje në Berlin. Autoritetet gjermane, me në krye ministrin e Jashtëm, Guido Westerwelle, u kanë përsëritur zyrtarëve homologë nga Serbia se data e negociatave evropiane varet nga bisedimet me Kosovën.

Të mërkurën në Bruksel, ka përfunduar dita e dytë e rrethit të pestë të dialogut ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton. Lart në agjendën e këtij takimi është thënë se ka qenë veriu i Kosovës dhe strukturat paralele të Serbisë, që veprojnë në atë pjesë.

Largimi i këtyre strukturave thuhet se është kushti më i vështirë për Serbinë. Ajo insiston që Kuvendi i bashkësisë së komunave serbe në veri të Kosovës të ketë autoritetin për të marrë vendime për qytetarët e nacionalitetit serb. Prishtina, në anën tjetër, nuk pranon që t’i jepen kompetenca legjislative dhe ekzekutive këtij organi.

Deputetja gjermane e Parlamentit Evropian, Doris Pack, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet serbe në veri të Kosovës nuk mund të mbijetojnë dhe duhet të largohen, për hir “të së ardhmes evropiane të Serbisë”.

“Nuk mund të përgjigjem në pyetjen nëse Gjermania dhe vendet e tjera në Këshillin e Ministrave të Evropës janë të gatshme që të miratojnë datën e negociatave për Serbinë. Ajo varet nga bisedimet ndërmjet Daçiqit dhe Thaçit”.

“Nuk mund të parashoh rrjedhën e atyre bisedimeve, por nëse shënohet hap përpara, i cili do të çojë jo deri te njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, por në një përfundim të tillë që Kosova të mos ndahet në dy pjesë, që serbët në veri të kenë institucionet e tyre të rregulluara në të njëjtën mënyrë si ato në jug, pra sipas Planit Ahtisaari, atëherë mendoj se Qeveria në Berlin, por edhe ajo në Holandë dhe vende të tjera do të miratojnë datën e negociatave për Serbinë”,
ka thënë Pack.

Në pyetjen se cili është afati i fundit që i ka vënë Gjermania Serbisë për eliminimin e strukturave paralele, Pack ka këtë përgjigje:

“Të gjitha këto që kam përmendur si kushte nuk janë çështje e afateve. Ajo që është e rëndësishme, është vendosmëria, të ketë vullnet të vërtetë për një gjë të tillë. Nëse bëhen hapa të vendosur në këtë drejtim, atëherë nuk ka rënësi nëse është maji ose tetori. Qeveria në Beograd duhet të bindë partnerët në Bashkimin Evropian për seriozitetin e synimeve të saj”.

Strukturat paralele të Serbisë veprojnë në veriun e Kosovës që nga paslufta. Serbët e atjeshëm vazhdojnë të kundërshtojnë autoritetin e Prishtinës zyrtare, me gjithë përpjekjet e kësaj të fundit për integrimin e tyre në jetën shoqërore dhe institucionale.
XS
SM
MD
LG