E martë, korrik 29, 2014 Kosova 04:34

Kronika

Termokos ndërpret furnizimin me ngrohje

Kosova, këto ditë, po ballafaqohet me temperatura të ulëta. Këtë gjendje e ka vështirësuar edhe më shumë mungesa e ngrohjes nga ndërmarrja publike komunale e Prishtinës “Termokos”.

Edhe pse, sipas tyre, nuk është mbyllur ende sezoni ngrohës, qytetarët e Prishtinës po mërdhijnë.

Temperaturat do të vazhdojnë gjatë këtij muaji  të jenë deri nën minus 5  gradë celsius, thotë Sylë Tahirsylaj, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

"Gjatë ditëve në vijim moti do të jetë i ndryshueshëm, i përcjellë me vranësira, reshje shiu dhe borë, prandaj temperaturat në shkallë vendi gjatë këtij muaji do të luhaten minimalet mund të shkojnë deri në minus 5 gradë celsius, derisa më të lartat ditore deri në 10 gradë celsius", thotë ai.

Sezoni ngrohës do të duhej të zgjaste deri më 15 prill, por në mungesë të lëndës djegëse, mazutit,  kompania Termokos tashmë ka ndërprerë ngrohjen.

"Termokosi nuk e ka mbyllur ende sezonin ngrohës pasi që ajo duhet zgjasë deri më 15 prill, por që në mungesë të mazutit përkatësisht mjeteve për blerjen e tij janë shpenzuar, andaj jemi në pritje të përgjigjes nga konsumatorët tonë për të paguar të gjitha borxhet që kanë ndaj Termokosit, në mënyrë që ne të sigurojmë mazut për t'i ofruar atyre energji ngrohëse", shpjegon zëdhënësja Afërdita Uka, nga kjo kompani.

Sipas zonjës Uka, borxhi që konsumatorët i kanë kompanisë Termokos, arrin në rreth 17 milionë euro.

"Borxhi total që konsumatorët ja kanë Termokosit që nga pas lufta janë rreth 17 milionë euro prej të cilave 14 milionë janë borxhe të subjekteve banesore, dhe 3 milion subjekteve afariste. Institucionet janë parapagues të  rregullt të faturave të energjisë ngrohëse  por që nuk janë mjete të mjaftueshme për ti mbuluar shpenzimet operative që janë të nevojshme", shprehet ajo.

Ngrohja është ndërprerë edhe në shkolla. Drejtoresha e shkollës fillore Faik Konica në Prishtinë, Kumrije Kallaba Sahiti, tregon që ata tashmë përdorin mjete tjera për ngrohje.

"Nuk kemi ngrohje nga Termokosi, sepse tashmë është ndërprerë. Që disa ditë po ngrohemi me nxehjen tonë vetanake, që na financon Komuna e Prishtinës,  pasi që Termokosi ka ndërprerë".

Sidoqoftë Qeveria e Kosovës me  buxhetin e vitit 2013,  i ka ndarë për nevojat e Termokosit 3 milionë euro, derisa 2 milionë janë shpenzuar deri tani . Por 1 milion euro të tjera sipas zëdhënëses Uka nuk do të përdoren për blerje të mazutit për këtë sezon.

"Edhe 1 milion euro janë mbetur për fillimin e sezonit të ri ngrohës , e cila do  të fillojë në tetor të këtij viti, ato nuk mund të shpenzohen, janë dedikuar për sezonin tjetër ngrohës", shprehet Uka.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum