E shtunë, prill 19, 2014 Kosova 01:47

Aktuale

Anëtarët e partive po “rehabilitohen” në borde

Ilustrim
Ilustrim
Madhësia e shkronjave - +
Drejtorët dhe disa anëtarë të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të pavarura  kanë prejardhje kryesisht nga partitë politike dhe kjo është arsye e mos funksionimit të këtyre ndërmarrjeve, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Madje, sipas tyre, kjo nuk është një dukuri e re, pasi të gjitha partitë që kanë qenë në pushtet, kanë  inkuadruar militantët e tyre në bordet e ndërmarrjeve.

Avni Zogiani, nga Organizata Joqeveritare “Çohu” shprehet se funksionimi i kësaj dukurie, ka rezultuar më shkatërrimin e aseteve shtetërore.

Kemi ardhur deri në pikën, sa tashmë është e parëndësishme se kush do të jetë në borde, për shkak se përfshirja e politikës në sektorin e menaxhimit të aseteve publike dhe privatizimit, e ka shkaktuar dëmin maksimal dhe nuk e di se sa ka kuptim të debatohet, kur nuk ka mbetur asnjë sektor që nuk është dëmtuar seriozisht nga politika”, thekson Zogiani për Radion Evropa e Lirë.

Shqetësimet e shoqërisë civile, për siç thonë politizimin e bordeve, vijnë pas emërimit të Blerim Rexhës, si kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Blerim Rexha është profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, njëherësh anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Edhe Petrit Zogaj, nga organizata joqeveritare “FOL” thotë se drejtorët e bordeve të institucioneve ndërmarrjeve po emërohen në bazë të lidhjeve politike.

Ai thotë se kjo ka ndikuar në rënien e kredibilitetit të kompanive publike.

Siç  kemi parë edhe dje në Kuvendin e Kosovës, janë votuar anëtarë të partive politike, në këtë rast Partisë Demokratike, madje edhe kryesues të bordeve.  
Do të thotë në asnjë variant qeverisja aktuale nuk i ka parë bordet si mundësi që kompanitë dhe agjencitë e pavarura të kenë një mundësi zhvillimi
".

"Po si mundësi rehabilitimi persona të caktuar të cilët në një fazë apo tjetër, nuk kanë fituar pozita ekzekutive në qeverisjen aktuale ose edhe në Kuvendin e Kosovës”, shprehet Zogaj për Radion Evropa e Lirë.

Zogaj, thotë se gjatë shpalljes se konkurseve për këtë vend pune, nuk respektohen kërkesat e kërkuara në baza ligjore.

Madje sipas tij, pagat në këtë sektor janë shumë të mëdha, ndërsa shtohen edhe mundësitë për punësim të anëtarëve të familjeve të tyre në ndërmarrje të caktuara.

Pa dyshim se ky është një zinxhir i rehabilitimit, të anëtarëve të partisë, pastaj anëtarët e partisë familjarët e të cilëve i kanë votuar njerëzit në Kuvend, pastaj vetë familjarët e vetë. Do të thotë, këtu ka qasje familjare dhe nepotizmi”, thotë Zogaj.
 
Ndryshe, në njërën nga seancat e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, pritet të
emërohet edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës.

Për këtë pozitë ka konkurruar edhe ish ministri i Financave, Bedri Hamza, që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës.

Pak ditë para se të mbyllet konkursi për guvernator, Bedri Hamza kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të  Financave, me ç’rast kishte konkurruar për ta udhëhequr Bankën Qendrore të Kosovës.

Nadie Ahmeti

nadie.ahmeti+gmail.com

Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum