Ndërlidhjet

Maqedoni: Bie eksporti i mallrave


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoni flasin për rënie në eksportin e prodhimeve vendase në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Eksporti ka shënuar rënie për 250 milionë dollarë, gjegjësisht për 21.4 për qind të prodhimeve destinuar për në Ballkanin Perëndimor.

Zore Temellkovski, nga sektori i biznes, thotë se autoritetet përkatëse duhet të ndërmarrin sa më parë masa për të krijuar kushte që prodhimet vendase të jenë konkurrente, të paktën në tregjet e vendeve të rajonit.

Në të kundërtën, sipas Temellkovskit, nuk do të mund të ndalet tatëpjeta që ka kapluar ekonominë e Maqedonisë.

“Tani duhet filluar të mendojmë seriozisht për të instaluar prodhime me kualitet të besueshëm, të paktën në tregun rajonal dhe më pas duhet bërë përpjekje në përmbushjen e standardeve që kërkohen në tregjet e vendeve evropiane dhe më gjerë, që Maqedonia të instalojë një prodhimtari të qëndrueshme”, thotë Temellkovski.

Ai thekson se duhet të ndërpriten fushatat e shtrenjta të Qeverisë për joshjen e investitorëve të huaj, sepse rezultati, siç shprehet Temellkovski, i ngjan atij proverbit popullor, “Bretkosa kur sheh se mbathet kali edhe ajo bën gati këmbën”.

Nga ana tjetër, Menders Kuçi, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se rënia e eksportit të prodhimeve vendore është diçka e pritshme, pasi politikat shtetërore ishin fokusuar vetëm në “shuarje e zjarrit” thënë kushtimisht, dhe jo krijimin e politikave të qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë.

“Edhe kundrejt sinjaleve serioze që i kemi dërguar ne, si oda ekonomike në Maqedoni, Qeveria shumë vonë dhe dobët reagon në këtë drejtim, ndërsa janë fokusuar në zbatimin e platformave ekonomike nga subjekti politik prej nga vijnë”.

“Fatkeqësisht, kjo garniturë politike, erdhi në pushtet me platformën ekonomike, duke pasur në fokus komponentin social sesa atë zhvillimore. Si pasojë e kësaj, ajo është e fokusuar kryesisht në ‘shuarjen zjarrit’, apo thënë kushtimisht blerjen e qetësisë në mungesë të ndërtimit të një strategjie të mirëfilltë për zhvillimin e ekonomisë”.

“Pikërisht kjo është ajo që edhe na kthehet si bumerang, pra mungesa e strategjisë zhvillimore në aspektin ekonomik ose si të doni quajeni, plane afatgjata për zhvillimin e ekonomisë”
, shprehet Kuçi.

Ndërsa, Zoran Vitanov, ish-zëvendësministër i Ekonomisë, konsideron se rënia rapide e eksportit të prodhimeve vendore, ka të bëjë me faktin se Maqedonia eksporton vetëm lëndën e parë, si pasojë e mungesës së mjeteve teknologjike për të përpunuar të njëjtën që ta ofrojë në treg si prodhim të gatshëm, si në lëmin e bujqësisë, ashtu dhe në atë të industrisë.

“Maqedonia si shtet nuk ka investuar pothuajse aspak në përmirësimin e teknologjisë në sektorë të caktuar, ndërkohë që dihet mirëfilli se “ajka e biznesit” pikërisht për këtë shkak nuk mblidhet në vendin tonë po në shtetet, të cilat kanë investuar në këtë drejtim”, potencon Vitanov.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë konsideron se me kthimin e borxhit prej 72 milionë eurosh, që ka pasur nga TVSH-ja e pakthyer dhe marrëveshjet e realizuara që aktualisht zbatohen, do të rritet dhe kapaciteti i kompanive vendore për të investuar më shumë në rritjen e prodhimit, me këtë edhe eksportin, veçanërisht në vendet fqinje.
XS
SM
MD
LG