E mërkurë, korrik 23, 2014 Kosova 01:37

Aktuale

Bojkoti i zgjedhjeve, kthim prapa

Shkup
Shkup
Kriza politike dhe gjasat gjithnjë e më të vogla për zgjidhjen e saj, kanë shtuar si asnjëherë më parë presionet e komunitetit ndërkombëtar ndaj partive politike.

Ata kërkojnë fillimin e menjëhershëm të dialogut politik për kapërcimin e dallimeve që po rrezikojnë procesin integrues dhe marrjen e një raporti pozitiv për nisjen e bisedimeve me BE-në për anëtarësim.

Pas letrës së komisionarit për Zgjerim, Shtefan Fyle, dërguar liderëve politikë për nisjen e dialogut dhe shefit të diplomacisë gjermane, i cili, po ashtu theksoi rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të krizës, është ambasadori i OSBE-së në Shkup, Ralt Bret, i cili në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se bojkoti i zgjedhjeve nga ana e opozitës, do të kthente Maqedoninë pas në të gjitha sferat e jetës.

“Bojkoti i zgjedhjeve lokale nga partia më e madhe opozitare, është kthim prapa për shtetin dhe institucionet demokratike. Pa marrë parasysh se sa mirë do të zbatohen këto zgjedhje, nëse ndodh bojkoti, zgjedhja e qytetarëve do të jetë e kufizuar, sikurse që do të vihej në pikëpyetje edhe konkurrenca. Ne, si OSBE, kuptohet se jemi të brengosur nga një zhvillim i këtillë i ngjarjeve, për reformat që janë në rrjedhë e sipër, si dhe për aspektet e sigurisë".

"Nëse ngecjet vazhdojnë, kjo do të kishte pasoja afatgjata negative. Andaj, apelojmë te të gjithë liderët politikë që të vazhdojnë me dialogun politik dhe të bëjnë gjithçka për kapërcimin e situatës dhe gjetjen e zgjidhjes së pranueshme”, ka deklaruar ambasadori i OSBE-së, Ralt Bret, duke shtuar se gjendja e tanishme mund të reflektohet edhe në sfera tjera të jetës, si në largimin e investitorëve të jashtëm dhe në vazhdimin e humbjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të vendit.

Duke komentuar interesin në rritje të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës, ish-diplomati Denko Maleski, thotë se ata duan të ndihmojnë klasën politike që të mos pamundësojnë edhe më shumë perspektivën evropiane të qytetarëve, krahas çështjes së emrit, që, po ashtu, kërkon zgjidhje urgjente.

Por, Maleski thotë se ndërkombëtarët nuk vijnë këtu me propozime, pasi zgjidhjen duhet ta gjejnë vetëm liderët politikë.

“Kuptohet se kjo mund të përjetohet si formë e presionit, por nuk duhet të gënjejmë veten se dikush nga jashtë do t'i hynte zgjidhjes së këtij problemi. Tani është koha që ne të mësohemi me mënyrën e funksionimit të aleatëve tanë të ardhshëm evropian. Ne duhet të dëshmojmë se jemi në gjendje të udhëheqim shtet dhe aspak nuk besoj se dikush nga jashtë vjen me ndonjë propozim për zgjidhjen e krizës. Ata kërkojnë zgjidhje dhe ne atë duhet ta gjejmë”, thotë Maleski.

Ndërkohë, në opinion kanë qarkulluar edhe informacione mbi mundësinë e arritjes së një kompromisi me atë që partitë do të merren vesh për shtyrjen e zgjedhjeve, pavarësisht mbylljes së afateve ligjore.

I pyetur të komentojë një variant të këtillë, nënkryetari i Komisionit Shtetëror zgjedhor, Subhi Jakupi, thekson:

“Ne, si KSHZ, nuk mund të flasim për shtyrjen e afateve, të cilat tashmë janë përcaktuar me Kodin zgjedhor dhe në aspektin ligjor një mundësi e këtillë nuk mund të ndodhë. Por, nëse partitë politike ndërmarrin një hap të tillë, atëherë ato do të duhet të ndërhyjnë edhe në ndryshimin dhe plotësimin e Kodit zgjedhor dhe ne këtë do ta respektonim”.

Opozita ka vendosur t'i bojkotoj zgjedhjet lokale dhe të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të ngjarjeve më 24 dhjetor të vitit të kaluar në Kuvend, kur deputetët e opozitës me dhunë u larguan nga seanca, për të mos penguar miratimin e buxhetit për këtë vit.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum