E premte, nëntor 28, 2014 Kosova 23:46

Aktuale

AAK-ja nis betejën për Prishtinën

AAK
AAK
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mblodhi të shtunën në kryeqytet anëtarë të saj nga mbarë vendi, për t’iu komunikuar lajmin se po synon të forcojë zërin e saj në Prishtinë.

Kryetari Ramush Haradinaj tha se pavarësisht gjendjes jo të mirë në mbarë Kosovën, AAK-ja ka fokusim Prishtinën.

Ai sqaroi se partia e tij nuk ka traditën më të mirë të punës në kryeqytet, dhe se nuk ka vend për mburrje në këtë aspekt, por traditë ka dhe është pjesë e skenës politike në kryeqytet.

Haradinaj kumtoi se këtë detyrë ia ka besuar Besnik Tahirit.

“Në momentin e sotëm ne, me energji të reja, me situatën e re të krijuar, po shkojmë edhe një hap më tutje. Po dëshirojmë t’i dalim hakut, t’u dalim përballë qytetarëve të Prishtinës, dhe Prishtinës si kryeqytet yni. Por, që të kemi sukses në këtë punë, nga kryesia kemi emëruar zotin Besnik Tahiri, që të merret përsipër të gjitha punët organizative të AAK-së, të krijojë strukturë në Prishtinë që të aftësohet për zgjedhjet komunale që do të vijnë”, tha Haradinaj.

Sipas ish-kryeministrit Haradinaj, ky vendim nënkupton që Prishtina të ketë degën e saj, dhe të gjitha lagjet dhe vendbanimet e kryeqytetit të bëhen me nëndegë, për të shtrirë partinë dhe strukturat e saj.

Qindra simpatizues ishin mbledhur për të dëgjuar lajmin e ri të partisë, në një prej hoteleve të kryeqytetit.

Këtë gjë e shfrytëzoi më së miri bashkëpunëtori i ngushtë i kryetarit të partisë, amerikani Steven Schook. Ai tha se struktura e re e AAK-së për Prishtinën, mund të dalë e suksesshme vetëm në rast se të gjithë e kuptojnë si të veten.

“Nëse secili prej jush në këtë sallë mund t’i sigurojë 50 vota, ai fiton. Kjo është detyra juaj. Ramushi i ka kërkuar dikujt që t’i ndihmojë me Prishtinën. Nëse ai ka kërkuar nga një njeri, për të cilin unë kam respekt të madh, është inteligjent, i fuqishëm, dinamik, ka energji, ka kapacitet të madh, dhe karakter të madh. Kështu që dëshiroj nga të gjithë ju që t’i ndihmoni këtij njeriu, për t’i ndihmuar Ramushit. Kërkoj nga ju që t’i ndihmoni Besnik Tahirit”, tha Schook.

Vetë i ngarkuari me punë, Besnik Tahiri, tha se do ta përqendrojë punën e tij në tri pika, duke shpjeguar se ka bërë edhe plane për këtë strukturë, pas konsultave që ka bërë në terren, dhe se kryefjalën do ta ketë te prishtinasi.

“Në qoftë se ne, si prishtinas, si qytetarë të këtij vendi e të këtij kryeqyteti, dëshirojmë të jemi pjesëmarrës në atë që quhet vendimmarrje, në atë që quhet proces politik dhe në atë që quhet ndikim në shoqëri, atëherë ju ftoj të gjithë ju që ta pyesni veten se në çfarë situate, në çfarë fuqie, në çfarë ndikimi është një prishtinas, dhe mbi të gjitha, çfarë ambienti, çfarë hapësire dhe sa i barabartë është në Kosovën e pavarur një prishtinas, i cili dëshiron të kërkojë punë, dëshiron të kërkojë ambient, dhe dëshiron të ketë zë, në qytetin e vet, në vendin e vet, të cilin e shijon e gjithë Kosova”, theksoi Tahiri.

Tahiri tha se partia ka vendosur që programin e sotëm ta quajë si Aleanca për Prishtinën.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum