Ndërlidhjet

Prapë bombë në veri


Mitrovicë
Mitrovicë
Pjesa veriore e Mitrovicës sot para mëngjesit është trandur nga një shpërthim, i cili ka ndodhur në rrugën e Kolashinit.

Policia e Kosovës thotë se cak i sulmit ishte dega e Fondit Republikan të Serbisë për sigurimet dhe pensionet invalidore.

Zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti, konfirmon për Radio Evropa e Lirë se nuk ka të lënduar nga ky shpërthim, i cili ndodhi rreth orës 03, në veri të Mitrovicës.

“Policia pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ka vërtetuar se bëhet fjalë për një granatë dore M-75. Të lënduar nuk ka, por ka dëme në muret dhe xhamat e ndërtesës”, thotë Zahiti.

Forcat e rendit thonë se ende nuk ka të dyshuar për këtë sulm, dhe as ndonjë motiv të mundshëm për këtë incident.

Filiali i këtij institucioni të Serbisë në veri të Mitrovicës, gjendet në rrugën që çon për te fshati Suhadoll, ndërsa është sulmuar për të dytën herë brenda këtij muaji.

Pjesa matanë lumit Ibër, ka qenë arenë e shpërthimeve të shumta ditëve dhe javëve të fundit.

Së fundit cak i një sulmi me bombë ka qenë shtëpia e një polici të Kosovës, i nacionalitetit boshnjak. Para tij, ishte sulmuar prona e një serbi që punon në institucionet e Republikës së Kosovës.

Javën e shkuar, policia pati ndërtuar një motiv të mundshëm të shpërthimeve të shpeshta në zonën veriore të Kosovës, meqë shumica e personave që ishin cak të sulmeve me bomba, ishin nëpunës të institucioneve kosovare, përfshirë edhe policë.
Pas këtyre ngjarjeve, Policia e Kosovës ka shtuar praninë e forcave të saj në lagjet ku jetojnë serbë e shqiptarë. (f.aliu)
XS
SM
MD
LG