Ndërlidhjet

Politika “shtrin duart” në arsim


Ilustrim
Ilustrim
Në institucionet arsimore të Kosovës, sidomos në nivelin e lartë të shkollimit, një pjesë e numrit të mësimdhënësve janë të orientuar politikisht, apo drejtpërdrejt edhe në partitë politike.

Të paktën, kështu thonë disa të rinj në Prishtinë, shumica e tyre studentë në Universitetin e Publik.

Por, në rubrikën tonë të përjavshme VOX, ata shprehin mendime të ndryshme lidhur me shtrirjen ose jo të ndikimeve politike në institucionet e arsimit, apo përpjekjet për një gjë të tillë, si dhe reflektimi i këtyre ndikimeve te studentët.



Naser Thaçi, i cili studion në nivelin master në drejtimin financiar, është i bindur se ndikimet politike në universitet janë të pranishme.

“Në të gjitha aspektet ka ndikim politika. Për shembull, profesori im, punon në shumë institucione të tjera. Me të kemi pasur provim sot. E thirrëm në telefon profesorin dhe ai na tha ‘Më falni, por nuk e kam ditur se kam provim me studentë’. Në këtë rast, profesori vetëm e shikon interesin e vet dhe studentët pësojnë. Ka kush e dënon atë, por nuk guxon ta dënojë, sepse profesori ka kompetencë politike. E mbron politika atë”, thotë Naseri.

Valon Shala, po ashtu student në nivelin master, thotë se ndikimet politike në universitet, janë të dukshme dhe për pasojë, politika i mbron profesorët, siç i quan ai, të pandërgjegjshëm ndaj obligimeve të tyre.

“Profesorët kanë marrëdhënie me këta ‘të mëdhenjtë’ në politikë. Punojnë në disa vende pune, ndërkaq ne nuk na respektojnë thuajse ne nuk jemi asgjë për ta. Ne i paguajmë të gjitha. Janë shpenzime shumë të shtrenjta për të studiuar, në çdo aspekt".

"Për shembull, për çdo provim të rrëzon, vetëm për të fituar ai. Nuk ta vlerëson diturinë. E merr testin për ta kontrolluar dhe vetëm e hedh në kontejner. I hedh testet e studentëve. I kalon vetëm shtatë, ata që janë në fillim. Ai nuk ia ka frikën askujt. Nuk ka kush ta dënojë atë, sepse ata që duhet ta dënojnë, punojnë me të. Normalisht që politika është në këtë punë”,
pohon Valoni.

Në anën tjetër, një numër studentësh, vlerësojnë se ndikimet politike janë në fakultetet ku studiojnë, por ato nuk reflektojnë ndaj studentëve. Ndër ta është edhe Korab Lajçi, student në Fakultetin e Arkitekturës.

“Ndikimet janë në masë të konsiderueshme, por nuk ndikojnë aq shumë te studentët. Nuk kanë asnjë vlerë te studentët e tjerë, edhe pse janë disa grupe studentësh që janë paksa më të avancuar se të tjerët, për shkak se i avancojnë të njohurit, që e kanë dikë në fakultet ose kanë dikë në strukturat më të larta. Ndonjë notë aty-këtu, por jo shumë”, shprehet Korabi.

Elena Thaçi, studente në Fakultetin Juridik, vlerëson se ndikimet politike në fakultet ekzistojnë, por studentët nuk kanë ndonjë pasojë nga to:

“Ka ndikime politike, shihet qartë. Por, nuk ndikojnë te studentët. Unë nuk kam vërejtur kurrë, as në ligjërata e as në provime”.

Ngjashëm mendon edhe Selvie Qeriqi, studente e Fakultetit të Edukimit:

“Mendoj se ka, por nuk reflektojnë te studentët. Ndikime politike ka ndoshta ndërmjet profesorëve, gjë që mendoj se nuk është në rregull. Por, ato nuk shfaqet te studentët”.

Vlora Musliu, studente e Fakultetit të Edukimit, thotë se në këtë fakultet nuk ka shumë profesorë që merren me politikë.

“Nuk di... Në ‘edukim’ nuk ka edhe aq shumë profesorë që merren me politikë. Për fakultetet tjera, nuk e di, por te ne ka, por jo aq shumë”, shprehet Vlora.

Rrezon Balaj, student në Fakultetin e Shkencave Matematikore dhe Natyrore, e përjashton mundësinë e ndikimeve politike në fakultet.

“Pa marrë parasysh, ndikim politik nuk ka fare në fakultet. Nuk ndikon as te profesorët, e as te studentët. Profesorët janë shumë në rregull”, thotë Rrezoni.

Por, e njëjta situatë nuk është në Departamentin e Shkencave Politike, thotë Rilind Kryeziu, student në këtë departament. Sipas tij, këto ndikime janë të theksuara sidomos në fushata zgjedhore, gjë që, sipas tij, është normale.

“Në departamentin tonë, mendoj se çdo profesor e ka përkatësinë e tij partiake. Te studentët nuk ka ndikuar, por te menaxhmenti apo te vendimmarrja, mendoj se kudo ka ndikime politike. Makiavelli, filozofi i njohur, thotë se ‘duhet përdorur çdo mjet për ta arritur qëllimin’. Në këtë rast, në politikë, duhet përdorur çdo mjet".

"Me shkencë kjo është shumë e drejtë, por në praktikë neve nuk na duhen ndikime politike. Ne duhet të pretendojmë një shoqëri demokratike. Ne duhet të kemi një kulturë politike mbi bazën e kulturës së moralit”
, vlerëson Rilindi.

Ndryshe, ndikimeve politike nuk u shpëtojnë as institucionet e arsimit të mesëm. Të paktën kështu thotë Granit Geci, nxënës në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

“Në mënyrë absolute po, duke u nisur edhe prej strukturave të shkollës, të cilat janë ekskluzivisht të ardhur prej ‘iks’-partive politike, të cilat nuk është me rëndësi se a janë në pushtet ose jo, por me rëndësi është se e kanë njëfarë autoriteti aty. Domosdo, do të thotë, kanë ndikim politik edhe te nxënësit, por edhe te profesorët e tjerë".

"Për shembull, shpesh herë, unë kam qenë prezent kur është shfrytëzuar shkolla për fushatë elektorale, kur ka ardhur ‘iks’-kryetari i një partie. Janë detyruar edhe nxënësit të bërtasin për atë. Mua, ky gjest më ka penguar shumë, sepse mendoj që shkolla është një institucion i shenjtë dhe nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime politike dhe për të fituar pikë politike mbi kurrizin e nxënësve”,
tregon Graniti.
XS
SM
MD
LG