E shtunë, nëntor 01, 2014 Kosova 02:51

Bota

Bullgaria në prag të kolapsit

Protesat në Bullgari
Protesat në Bullgari
Pas një vale protestash të dhunshme kundër masave të ashpra të kursimit dhe raporteve mbi korrupsionin në Bullgari, Qeveria ka dhënë dorëheqje në këtë javë, duke shkaktuar krizë politike në shtetin më të varfër të BE-së.

Në mesin e protestuesve që brohorisnin “Mafia!” dhe që digjnin faturat e tyre të shërbimeve publike, më 20 shkurt, një protestues shprehu frustrim në një intervistë për Reutersin.

“Edhe sa gjatë duhet ta durojmë këtë? Le të zgjohemi bullgarë! Rroftë nëna Bullgari”, ka thënë protestuesi i quajtur Svetoslav.

Protestat - më të këqijat që nga kolapsi financiar i vitit 1997 - janë nxitur nga faturat e shtrenjta të shërbimeve publike të kombinuara me skandalet korruptive, përfshirë edhe një të nominuar të qeverisë për të drejtuar komisionin rregullator të energjisë - agjencia që përcakton tarifat energjetike.

Bullgarët janë të frustruar se shkurtimet buxhetore, me të cilat është dashur të jetojnë tash e disa vjet, ende nuk janë shpaguar dhe se ata po ngufaten nga çmimet në rritje të ekonomisë së ngecur.

Por, kriza këtu dallon nga krizat tjera kundër masave të kursimit, që e kanë përfshirë BE-në që nga Portugalia në Greqi.

Daniel Smilov është drejtor  i programit për Qendrën për Strategji Liberale në Sofje. Ai thotë se demonstratat e kësaj jave nuk janë shkaktuar nga masat e reja të kursimit, dhe se të gjitha qeveritë bullgare, që nga kriza e 1997-s kanë aplikuar programe të tilla të kursimit.
Boiko Borisov përshëndet përkrahësit e tij para largimit.Boiko Borisov përshëndet përkrahësit e tij para largimit.
x
Boiko Borisov përshëndet përkrahësit e tij para largimit.
Boiko Borisov përshëndet përkrahësit e tij para largimit.
“Në të vërtetë, Bullgaria nuk e ka paraqitur pakon e plotë të masave të reja të kursimit që nga 2008 dhe 2009. Çështja është se ne kemi jetuar, në të vërtetë nën rregulla të rrepta fiskale dhe financiare që nga 1997”, thotë Smilov.

Si rezultat, Bullgaria ka një deficit minimal buxhetor dhe borxh të ulët të huaj për më shumë se një dekadë. Kur goditi kriza globale financiare në vitin 2007-08, Sofja ishte në një pozicion që të mos marrë pako shpëtimi, me gjithë lidhjet e ngushta ekonomike dhe financiare me Greqinë,e cila tashmë po vuante pasojat.

Megjithëse nuk është në Eurozonë, Bullgaria në mënyrë vullnetare ka nënshkruar Kompaktin Fiskal të BE-së.

Si shumë ish-shtete të bllokut sovjetik, bullgarët kanë pasur më shumë besim në institucionet evropiane, në veçanti në BE, sesa te politikanët e vet. Nuk ka pasur rënie të entuziazmit të bullgarëve për BE-në as në muajt e fundit.

Megjithatë, kreu i Zyrës së Sofjes të Këshillit të Evropës për Relacione me Jashtë, Dimitar Bechev, thotë se përfitimet nga këto politika nuk kanë shkuar te masa.
                     
“Fundametalisht kjo ka të bëjë me varfërinë. Edhe pse Bullgaria ka qenë stabile nga ana fiskale dhe ka pasur shifra të mira financiare, në mikro-nivel, në nivelin e ekonomive familjare, të ardhurat kanë stagnuar dhe shumë njerëz nuk i kanë përjetuar përfitimet e stabilitetit”, vlerëson Bechev.

Tani shteti po hyn në një periudhë pasigurie. Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen mbase në prill ose maj. Ndërkohë, një qeveri teknike duhet të instalohet dhe kryeministri në largim, Boiko Borisov, ka thënë se nuk do të marrë pjesë.

Smilov, megjithatë, mendon se natyra e përgjithshme e frustrimit politik të publikut në Bullgari, do t’i bëjë zgjedhjet të paparashikueshme. 
                           
“Protestat publike ishin kundër Qeverisë, por ato treguan një lloj frustrimi dhe pakënaqësie me sistemin politik në tërësi. Andaj, mund të thoni se njerëzit nuk janë të lumtur me asnjërën nga partitë ekzistuese politike dhe kjo i bën rezultatet të paparashikueshme”, shprehet Smilov.

Duket se zgjedhjet do të rezultojnë me një parlament të ndarë thellë që do ta ketë shumë të vështirë të formojë qeverinë, shprehet Bechev.
                       
“Ju mund të prisni që opozita do të dalë më mirë pasi që momenti është në anën e tyre. Por, këta njerëz që po protestojnë, jo domosdo janë votues të Partisë Socialiste. Andaj, është një garë shumë e ngushtë nga ku mund të dalin shumë koalicione të mundshme”,
thekson Bechev.

Kriza politike e vendit, sipas analistëve, mund të vazhdojë me muaj.(a.isufi)
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Besi Prej : GJermani
25.02.2013 00:10
Keshtu duhet edhe te ne ,Ne KOSOV