E enjte, tetor 30, 2014 Kosova 18:29

Ekonomi

Fuqizimi i prodhuesit vendor, ul deficitin

Kampanja "Duaje tënden"
Kampanja "Duaje tënden"
Për të ulur deficitin e lartë tregtar, Kosova duhet të bëjë fuqizimin e sektorit privat, në të kundërtën, do të vazhdojë që importi të dominojë eksportin, vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Sipas të dhënave zyrtare, kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ulët, rreth 200 milionë euro në vit, kurse importi kalon shifrën e rreth 2 miliardë eurove.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se për të ulur këtë deficit të lartë tregtar, duhet të merren një varg masash nga Qeveria e Kosovës.

“Duhet të rritet punësimi në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, e sidomos në ndërmarrjet e bujqësisë dhe blegtorisë. Element primar në zhvillimin ekonomik të një shteti, është agrobiznesi. Nuk duhet të shkohet nga ajo që të vilen taksat në kufi, por të vilen brenda Kosovës. Duhet të joshen investitorët e jashtëm, të cilët dëshirojnë të bëjnë investime të drejtpërdrejta në Kosovë”, thotë Tahiri.

Ndërkohë, edhe në raportet e Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se efekt negativ në Produktin e Brendshëm Bruto në Kosovë, vazhdon të ketë bilanci tregtar, i cili në vazhdimësi po karakterizohet me shkallë të lartë të deficitit.

Profesor Tahiri thotë se normat e larta të interesit, po ashtu, janë një problem i madh për zhvillimin e bizneseve vendore. Derisa vendet e zhvilluara japin kredi për biznese me norma të ulëta, Tahiri thotë se në Kosovë ndodh e kundërta.

“Të ulen kamatat bankare dhe të mundësohet marrja e kredive me norma më të ulëta. Për shembull, në Japoni interesi bankar është 01, në Suedi ka qenë 2.1 në vitin 2008 norma e interesit me krizën botërore  ka rënë në 1.5 normë e interesit”, shpjegon Tahiri.
 
Po ashtu, sipas tij, Kosova duhet të zhvillojë industrinë e rëndë dhe të bëjë përpunimin e asaj industrie.

Lumir AbdixhikuLumir Abdixhiku
x
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku
Si problematikë të madhe deficitin e lartë tregtar e thekson edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Lumir Abdixhiku.

Ai thotë se Kosova është mbështetur  në import dhe ka rritur deficitin tregtar. Sipas tij, derisa në vitin 2008 Kosova ka pasur një deficit tregtar prej 1.7 miliardë eurosh, tani deficiti është 2.2 miliardë euro.

Për të ulur këtë deficit tregtar, Abdixhku thotë se duhet të zhvillohet sektori i prodhimtarisë në vend.

“Më e rëndësishmja është që ne duhet të krijojmë bazë të prodhimit vendor, të krijojmë vlerë të brendshme të Kosovës. Mjaft u mbështetëm në import, mjaft eksportuam para të gatshme. Është koha që vendi ynë të krijojë politika favorizuese në relacion të biznesit vendor, pra të krijojmë prodhim”, vlerëson Abdixhiku.

Gjatë vitit që lamë pas, prodhuesit kosovarë ishin ankuar për ambient të pafavorshëm biznesi. Ata kishin thënë se ky ambient afarist iu pamundëson atyre që të rrisin eksportin.

Tatimet e larta mbi Vlerën e Shtuar, taksat doganore lëndën e parë, financimi i vështirë i bizneseve, normat e larta të interesit, janë vetëm disa nga vështirësitë, të cilat ata i kishin theksuar vazhdimisht.

Luljeta Krasniqi - Veseli

krasniqiveseli+gmail.com

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum