E enjte, nëntor 27, 2014 Kosova 21:39

Kronika

Protestë: "KEK-u fut duart në xhepat tanë"!

Foto: Arton Konushevci
Foto: Arton Konushevci
Mosreagimi institucional ndaj ankesave të paraqitura për, siç thuhet, fryrjen e faturave të energjisë elektrike, për muajin janar, ka shtyrë qindra qytetarët të protestojnë për të katërtën herë, pranë ndërtesës se Korporatës Energjetike të Kosovës. 

Të irrituar edhe më shumë në kompaninë energjetike në vend, për mos shqyrtimin e të gjitha ankesave, organizatorët e kësaj proteste të hënën kanë kërkuar hetim rrënjësor në ketë institucion si dhe largimin nga detyre të drejtorëve udhëheqës të KEK-ut.

KEK-u, i ka futur duart në xhepat tonë. Ne i dokumentuam hajnitë, hajnitë u vërtetuan, na premtuan se do të marrin masa, po ato masa u ndërmorën për të na e shkyçur rrymën”, tha Luan Asllani, njëri nga organizatorët e protestës, e cila edhe kësaj radhe është organizuar dhe thirrur përmes rrjetit social Facebook.

Edhe qytetarët, shprehen të pakënaqur për, siç thonë ata, mos shqyrtimin e drejt të ankesave të tyre.

Sabri Asllani nga Prishtina shprehet:

Jemi të papunë, e kam pas djalin në punë në Han të Elezit, ka punuar pesë muaj, e kanë larguar nga puna dhe që një vjet është në shtëpi pa punë. E tash KEK-u po na vjedh në mbyten”, tha Asllani.

Kurse, Nazmi Beka shpjegon se familjen e mban me një ndihmë sociale, deri sa fatura e rrymës i ka ardhur rreth 200 euro.

Ky muaj më ka ardhur 192 euro pas pasur ndonjë makinë ose diçka të madhe që shpenzon shumë energji elektrike. Nuk mund të qëndroj, 60 euro i marr ndihmë. Askënd në punë nuk e kam. Kjo është turp çka po veprojnë më ne”, tha Beka.
 
Nga ana tjetër, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës përsërisin se nuk është bërë ndonjë gabim kolektiv, por qytetarët aq sa kanë shpenzuar rrymë, aq edhe do të paguajnë.

Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Viktor Buzhala tha për Radion Evropa e Lirë se në lidhje me rastin e faturave të janarit po veprohet konform të gjitha procedurave dhe rregullave në fuqi për shqyrtimin e tyre.

Është duke u adresuar dhe zgjidhur secila ankesë e secilit  konsumator në mënyrë individuale. KEK ka rritur kapacitetet në mënyrë që konsumatorët të mos presin në rend dhe t’u shqyrtohet ankesa sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha Buzhala.

Sipas Buzhalës, në bazë të ankesave të shqyrtuara deri më tani, gjendja paraqitet mese normale.

“Nga 3,296 ankesa, janë shqyrtuar 2,667, ndërsa raste kur konsumatorët kanë pas të drejt apo pjesërisht të drejtë janë 901 raste që do të thotë 0.2 për qind e totalit të konsumatorëve. Nëse, i referohemi këtyre të dhënave, atëherë do të thotë se nuk ka ndonjë arsye për shqetësim. Nuk ka gabim kolektiv ashtu siç pretendohet”, tha Buzhala.

Kurse, Yll Rugova po ashtu organizator i protestës tha se institucionet që kanë të bëjnë me KEK-un duhet të ndërmarrin masa për zbritjen e çmimit të energjisë elektike.

Shumë konsumatorë të KEK-ut janë duke u ankuar në përgjithësi, jo vetëm në janar. Kështu që kërkesat në bazë të qytetareve është parë që duhet të ketë ndryshmi p.sh për tarifat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Qytetarët po kërkojnë që ato tarifa të ndryshojnë. Po ashtu po kërkojnë që çmimet e rrymës të ndryshojnë, marrë parasysh gjendjen shumë të rëndë ekonomike të familjeve në Kosovë”, tha Rugova.

Veç qytetarëve, për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike ka pasur reagime dhe nga partitë politike – kryesisht ato opozitare.

Ato kanë shfaqur shqetësimin e tyre lidhur me ngritjen e faturave të energjisë elektrike për muajin janar dhe kanë thënë se faturat e muajit të fundit,  janë dy deri në tre herë më të mëdha se në muajit paraprak.

Sipas tyre, një familje kosovare e cila ka rreth 300 euro të hyra në muaj, nuk mund të përballojnë një shumë të aq të lartë të detyrimeve për energji elektrike.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum