E enjte, tetor 23, 2014 Kosova 13:05

Aktuale

Përcaktohen bazat e transformimit të veriut

Veri...
Veri...

Artikujt e ndërlidhur

Asociacion i komunave, apo “mini-parlament” serb?

Krijimi i asociacionit të komunave serbe në Kosovë, mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Pakon e Ahtisaarit, tërheqin vërejtjen përfaqësues politikë dhe analistë në Prishtinë.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq, pritet që të vazhdojnë dialogun më 4 mars në Bruksel.

Pas hapjes së çështjeve që kanë të bëjnë me strukturat paralele në veri të Kosovës në takimet e 19 dhe 20 shkurtit, të dy kryeministrat kanë dërguar delegacionet e tyre në Bruksel për harmonizimin e shumë çështjeve të mbetura hapur. 

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar shuarjen e strukturave të sigurisë që Beogradi ka ngritur në veri dhe transformimin e strukturave të administratës, arsimit e shëndetësisë në struktura legale.

Përderisa, homologu i tij serb, Ivica Daçiq ka folur më shumë për një riorganizim sesa për shuarjen e këtyre strukturave.

Publicisti dhe analisti politik Behlul Beqaj pret që në kuadër të procesit negociues, Prishtina dhe Beogradi do të nisin konkretizimin e marrëveshjeve të arritura, pasi që ato nuk janë të harmonizuara.

Ai numëron disa nga pikat të cilat palët negociuese duhet t’i harmonizojnë para se të mendohet në zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

Në një, duhet të përcaktohet se në kuadër të cilit sistem ligjor do të funksionojnë zgjidhjet nëpër komuna. Çfarë administrimi do të kenë dhe në kuadër të cilave norma do të jenë ato; dhe së dyti, ka të bëj me nivelin e kompetencave të komunave serbe, sikurse eventualisht të bashkësisë së komunave serbe, të cilat sipas ideve të zyrtarëve serb duhet të kenë edhe një nivel të parlamentin dhe fuqinë ekzekutive”, thekson Beqaj.

Nëse palët do të arrinin deri te marrëveshjet për normalizimin e gjendjes në veri, parashihet që kjo pjesë të kalojë edhe nëpër një fazë kalimtare.

Gjatë kësaj periudhe, besohet se komuniteti ndërkombëtar do të kishte një rol shtesë derisa të ngritën struktura të reja në veri.

Publicisti Beqaj thotë se KFOR-i dhe EULEX-i janë mekanizma të duhura, marrë parasysh edhe pozicionin e tyre neutral që mbajnë në raport me palët e përfshira. 

Në fazën kaluese, gjithsesi që deri sa të bëhet transformimi i strukturave paralele, duhet që këtë boshllëk ta përmbush një faktor sigurie, i cili është ta themi kushtimisht neutral, dhe nuk ka faktor më neutral sesa që janë KFOR-i dhe Policia e EULEX-it. Kjo fazë, me siguri që do të zgjas të paktën një vit”, thotë Beqaj.

Dialogu politik midis Prishtinës e Beograd, pasoi një proces paraprak të bisedimeve teknike.

Bisedimet nisën edhe me bekimin e Kuvendit të Kosovës që kaloi përmes një rezolute e cila i përcakton vijat e kuqe për Qeverinë e Kosovës.

Ismet Kryeziu drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës mendon se pala kosovare megjithatë ka shkelur në disa raste këtë Rezolutë.

Konsiderojmë që rezoluta e Kuvendit tashmë është duke u shkelur në disa pika të saj. Pika e fundit e saj parasheh që të gjitha marrëveshjet të ratifikohen në Kuvend. Ne nuk kemi parë ndonjë ratifikim të ndonjë marrëveshjeje në Kuvend".

"Po ashtu, mendojmë që raportet apo informatat të cilat i jep kryeministri para Kuvendit më shumë u ngjasojnë informatave mediatike sesa atyre substanciale. Pika e tretë e Rezolutës parasheh përfshirjen e komisioneve parlamentare në dialog. Edhe kjo nuk ka ndodhur”, thotë Kryeziu.

Konkluzionet e arritura në kuadër të dialogut që po zhvillojnë kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq kanë nxitur reagime dhe interpretime të ndryshme.

Një çështje që ka ngritur më shumë dilema është ajo e formimit të asociacionit të komunave serbe.

Ismet Kryeziu mendon se ky asociacion do të duhej formuar si një organizatë joqeveritare. në të kundërtën, ai sheh se do të mund të ketë përplasje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Nëse flasim për mekanizma të tjerë normalisht që do të bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, sepse qeverisja lokale është rendi i dytë kushtetues i qeverisjes dhe çdo mekanizëm tjetër me kompetenca vendimmarrëse e legjislative do të ishte në kundërshtim me kushtetutën dhe Pakon e Ahtisaarit".

"Por, nëse do të kishte karakterin e njëjtë me Asociacionin e Komunave të Kosovës, që e kemi aktualisht, ajo është një organizatë joqeveritare dhe do të ndihmonte në konsulta dhe çështje tjera, por nuk do të kishte kompetenca ekzekutive”, thekson Kryeziu.

Dialogu Prishtinë – Beograd po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Qëllimi i këtij dialogu është normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Por, për të arritur deri te ky normalizim, Brukseli ka ngritur disa çështje që kërkojnë zgjidhje, në mesin e tyre edhe atë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, pjesë kjo që nuk pranon autoritetin e shtetit të Kosovës dhe funksionon mbi baza të organizimit paralele të pushtetit.

Zijadin Gashi

zijadin.gashi+gmail.com

Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.

Twitter
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum