Ndërlidhjet

Qytetarët me pak informacione për dialogun


Pamje në Prishtinë...
Pamje në Prishtinë...
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjet politike dhe teknike, i cili po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të vazhdojë më 4 mars, por për zhvillimet e deritashme në këtë dialog, opinioni është shumë pak i informuar, vlerësojnë disa qytetarë të Prishtinës.

Ata thonë se informatat, të cilat deri më tash janë dhënë nga Qeveria e Kosovës, janë të cunguara dhe sipërfaqësore.



Astrit Sahiti, thotë se ajo për të cilën qytetarët janë të informuar lidhur me dialogun ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit serb, Ivica Daçiq, është fakti se tashmë ata po bisedojnë për tema që konsiderohen më të rënda, siç është çështja e veriut të Kosovës.

“Ne dimë diçka rreth dialogut vetëm ashtu siç plasohet nëpër media dhe ajo që plasohet nëpër medie është informatë e parcializuar nga vetë pjesëtarët që po marrin pjesë në negociata dhe nuk janë transparente. Gjithçka mbahet në prapaskenë dhe praktikisht informatat konkrete dhe të sakta dalin shumë më vonë, pasi që ato realizohen. Mirëpo, paraprakisht, se çfarë po ngjan atje dhe si po shkon procesi i dialogut, nuk jemi mirë të informuar”, thotë Astriti.

Musa Ahmetaj thotë se informacionet që plasohen përmes mediave për dialogun nuk zbardhin prapaskenat e saj, e që në fakt, sipas tij, janë qenësore.

“Sipas baroneshës Ashton, mund të ketë më tepër diçka, që ajo po kërkon. Janë të vështira (bisedimet) dhe këtu lind dyshimi se mund të kalojë jashtë Planit të Ahtisarit. Por, siç thuhet ‘brenda rreshtash’ dyshoj. Nuk po di më shumë, por dyshoj”, shprehet Musa.

Drita Bajrami konsideron se qytetarët janë të informuar vetëm pjesërisht lidhur me atë se çfarë po ngjan brenda dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:

“Pjesërisht... Nuk jemi aq të informuar. Ndoshta pse politika e udhëheqësve tanë është e tillë. Mirëpo, më së shumti na brengos çështja e veriut të Mitrovicës, se si do të zgjidhet. Kjo është esenciale, për mua, sepse Kosova, aq sa është e vogël, nëse edhe ajo (veriu) na humbë, atëherë është ‘non sens’. Kështu që, shumë na brengos kjo. Duhet të jenë më transparentë me popullin. Ta shpjegojnë në gjuhë të thjeshtë të popullit: kjo po ndodh ose kjo s’po ndodh”.

Një qytetare tjetër, Besforta, thotë se nuk është fare në rrjedha të asaj që po ngjan në dialogun Kosovë-Serbi:

“Lidhje nuk kam, seriozisht. Në fakt, as nuk e di se për çfarë po flitet apo për çfarë po bisedohet atje”.

Augustin Culaj thotë se qytetarët nuk kanë informacione të sakta për zhvillimet në dialogun Kosovë - Serbi, ndërkaq, deklaratat e zyrtarëve të të dyja vendeve ai i quan mashtrime.

“Qytetarët janë të informuar deri diku. Por, më shumë janë të informuar, siç thuhet, kur lexojnë ‘mes rreshtave’. Delegacioni ynë e gënjen popullin shqiptar, kinse që e ka mundur palën e kundërt për të mirën e popullit. Kurse, delegacioni serb e gënjen popullin e vet se kinse e kemi mundur delegacionin shqiptar. Aty, në fakt, të dyja delegacionet e gënjejnë njëra-tjetrën, e asgjë nuk bëjnë. Unë jam i bindur se më shumë e di populli realitetin se sa vetë Qeveria”, thotë Augustini.

Për Hatixhe Jonuzajn, informatat që plasohen lidhur me dialogun në Bruksel, janë konfuze. Sipas saj, qytetarët janë shumë pak të informuar në mënyrë të drejtë dhe kjo situatë po i shqetëson ata.

“Se çka po bisedohet atje, ne nuk dimë. Këtu vetëm vijnë dhe i japin disa informata, jo kinse sipas Kushtetutës, jo kinse sipas Pakos së Ahtisarit. Populli nuk është i informuar sa duhet. Ai dialog është duke përfunduar... vetëm nënshkrimin dhe prano çfarë të duash? Kështu siç është kjo situatë, po mendove shumë, s’të mbetet tjetër pos të dalësh malit”, shprehet Hatixhja.

Hasan Blaku thotë se në bazë të informacioneve që vijnë për dialogun, qytetarët e krijojnë përshtypjen se politikanët e involvuar në dialog, po përpiqen t’i mashtrojnë ata:

“Daçiqi, po përpiqet t’i bindë ata serbët e vetë atje, se çfarë është marrë vesh me Hashim Thaçin dhe çfarë kanë biseduar, është në rregull. Hashimi po mundohet neve shqiptarëve këtu se atë për çka biseduar, ka ngecur puna për 4 mars. Është vazhdimi i dialogut dhe si duket është dialog historik, sepse kanë për t’u marrë vesh dhe s’kanë për ta pyetur, as Thaçin, e as Daçiqin. Por, ajo ndrikulla, Eshton, me gjithë amerikanët kanë me e marrë marrëveshjen dhe kanë për ta sjellë ashtu siç ua merr mendja”.

Ndërkaq, Adem Ademi, lidhur me këtë çështje shpreh mendimin e tij:

“Në fakt, ajo që shihet në horizont ose në media, nuk ka të shkruar ose të publikuar ndonjë dokument të hapur, transparent, ndërmjet dy kryeministrave, se çka bisedohet. Tash e kemi edhe mendimin e opozitës, e cila është shumë e frikësuar ose e stresuar se Kosova po e humbë atë që e ka fituar gjatë luftës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Opinionistët dhe ato që fliten në media elektronike, japin një dozë të frikës që të mos kalohet ai kufiri i kuq. Mendoj se këto gjëra do të sqarohen dalë nga dalë, por... të shohim tani”.
XS
SM
MD
LG