Ndërlidhjet

Zbulohen 130 mijë emra me xhirollogari të fshehta


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Një hetim global gazetaresk i ka zbuluar emrat e 130 mijë njerëzve nga 170 vende, që dyshohet se i kanë deponuar paratë e tyre në xhirollogaritë e institucioneve financiare jashtë shteteve të tyre, që vlerësohen si parajsa të tatimeve.

Të dhënat e tilla janë zbuluar nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues (ICIJ), që është një rrjet i reporterëve në më tepër se 60 vende dhe medieve kryesore ndërkombëtare, me seli në Washington.

Në këtë listë përfshihen personat e ndërlidhur me bashkëshorten e zëvendëskryeministrit të Rusisë, Igor Shuvalov, presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Alijev, me gruan dhe vajzat e tij.

Michael Hudson, redaktor i rrjetit, i tha Radios Evropa e Lirë se kanë dështuar të gjitha përpjekjet për të kontaktuar bashkëshorten e Shuvalovit.

"Bashkëshortja e zëvendëskryeministrit rus Igor Shuvalov, ka një kompani në ishujt Virgin. Ne bëmë përpjekje të marrim komentet e saj, por ajo ka refuzuar. Së këndejmi ne nuk e dimë se për çfarë përdoret kompania. Fakti që dikush ka një kompani të tillë, nuk do të thotë domosdoshmërish që bëhet fjalë për diçka të keqe, por ngre çështjen e transparencës".

"Përse e keni kompaninë? Çfarë afarizmi zhvilloni? A ka para që janë nxjerrë jashtë vendit tuaj? Këto janë ai lloj i pyetjeve që ne u shtrojmë zyrtarëve tatimorë dhe atyre për sundimin e ligjit gjithandej nëpër botë, derisa ata shqyrtojnë rastet e tilla”, tha Hudson.

Ai shpalosi hollësi rreth llogarive të Alijevit.

"Ne kemi gjetur se tri kompani janë regjistruar në ishujt Virgin në vitin 2008 në emrin e të bijave të presidentit të Azerbaigjanit, Ilham Aliev. Ato ishin 19 dhe 23 vjeçare në atë kohë. Në regjistra, personi që ato e kishin emëruar si drejtor të kompanive ishte Hassan Gozal, një manjat, perandoria afariste e të cilit është ngritur mbi kontrata miliarda dollarëshe me projektet masive ndërtimore të presidentit. Ne bëmë përpjekje të kontaktojmë me familjen presidenciale dhe me zotin Gozal, por nuk arritëm të sigurojmë komentet e asnjërit prej tyre”.

Ky rrjet i gazetarëve njoftoi se afro 2.5 milionë dokumente, që kanë rrjedhur nëpër kanale sekrete, tregojnë se njerëzit e pasur i shfrytëzojnë parajsat e taksave për t’i fshehur paratë e tyre.

Një ish shef i ekonomistëve në kompaninë globale konsultuese, McKinsey&Co, ka vlerësuar se më se 2100 miliardë dollarë mund të fshihen në llogaritë e tilla të jashtme.(a.konushevci)
XS
SM
MD
LG