Ndërlidhjet

Burimet alternative të energjisë


Burimet e Ripërtërishme të Energjisë përbëjnë një element të rëndësishëm të sektorit energjetik të Kosovës. Megjithatë, për shfrytëzimin e këtyre burimeve Kosova deri më tani nuk ka pasur një organizim dhe hulumtim të duhur se sa ka resurse të këtyre burimeve.

Këto vlerësime, dolën të martën gjatë prezantimit të Planit të Kosovës për Burimet e Ripërtërishme energjetike të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Energjia e ripërtërishme synon të jetë sa me e pastër dhe sa me pak e dëmshme për mjedisin jetësor. Kjo lloj energjie nxirret nga resurse të përsëritshme si era, rrezet e diellit, uji e të tjera.

Realizimi i supozimeve të gjenerimit të energjisë prej Burime të ripërtërishme të energjisë në Kosovë paraqet një objektivë afatgjate dhe është e lidhur me detyrimet që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë (TKE).

Zëvendës ministri i Zhvillimit Ekonomik Gani Koci theksoi se Kosova është e përcaktuar për realizmin e të gjitha objektive ndërkombëtare që kanë të bëjnë me ripërtërishmërinë e energjisë.

“Burimet e ripërtërishme janë një mundësi e mirë përkundër, burimeve tjera që Kosova posedon, siç janë burime termike, në mënyrë që të sigurohet energji e mjaftueshme, stabilitet më furnizimin me energji, një stabilitet për zhvillimin ekonomik të vendit dhe nevojave të qytetarëve”, shton Koci.

Republika e Kosovës është anëtare e TKE-së dhe e Task Forcës mbi Burimet e Ripërtërishme të Energjisë, e krijuar si pjesë e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Duke qenë pjesëmarrëse aktive në këto mekanizma, Kosova ka marrë një detyrim që t'i zbatojë kërkesat e përbashkëta të palëve pjesëmarrëse në lidhje me një promovim më të mirë të përdorimit të burimeve të ripërtërishme.

Ky plan përcakton synimet e vendit në gjenerimin e energjisë, me qëllim që deri në vitin 2020 të përmbushin së paku 25 për qind të synimeve të konsumimit përfundimtar të energjisë prej burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Shoqëria civile në Kosovë, ndërkaq ka vlerësuar se para se të vendosen caqet deri në vitin 2020, të cilat ata i kanë quajtur vetëm sa për të përmbushur obligimet ligjore që dalin nga ligjet e Kosovës dhe TKE-ja, Kosova duhet të ketë një atlas për tërë territorin e Kosovës se sa janë potenciali prej erës, sa prej diellit dhe ujit.

Ajo çka jemi të interesuar si KOSID është të shohim një rritje të burimeve të ripërtërishme të energjisë në fushën e energjisë elektrike prej erës solare dhe ujore, Ajo çka na shqetëson është se Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka bërë punën për vendosjen e tarifave të cilat kishin mi promovuar burimet e ripërtërishme”, thekson Agron Demi nga Instituti GAP që është pjesë e Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm ( KOSID).

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës dhe ZRRE duhet të vendos tarifat për energjinë nga era, uji dhe dielli.

Demi ka kritikuar ZREE-në për procedurat e licencimit të investitorëve potencial për burimet e ripërtërishme të energjisë. Sipas tij, ka kompani të interesuar të cilat presin tani e 2 viteve për të marr licencën dhe për të filluar punën .

Në anën tjetër, disa hulumtime të bëra nga mekanizmat ndërkombëtarë që u thanë në këtë tryezë diskutimi ishte vlerësuar se Kosova ka potencial së paku 300 megavat prodhim vetëm prej erës.

Hamdi Malusha nga Shoqata për Energji të Ripërtërishme ka theksuar se në Kosovë ka edhe kompani të mëdha të cilat janë të interesuar për burime të ripërtërishme.

Energjitë e ripërtërishme janë prezent tek ne si në tërë Ballkanin, kapacitetet e këtyre burimeve ekzistojnë në masë më të madhe se sa vetë ne e dimë. Po pamundësia për ti hulumtuar ato nuk do të thotë që i kemi dhënë pikë këtyre kapacitete”, thekson Malusha, duke shtuar se energjia duhet parë si zhvillim ekonomik edhe në ekonominë e punësimit.

Ndryshe, sektori i energjisë në Kosovë gjendet në situatë jo të mirë. Për të dalë nga kjo gjendje, që nga viti 2001 janë bërë analiza nga më të ndryshmet, si nga institucionet vendore, ashtu dhe nga ato ndërkombëtare, për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë ndryshim dhe qytetarët e Kosovës edhe tani nuk kanë furnizim të rregullt me energji elektrike.
XS
SM
MD
LG