E premte, dhjetor 19, 2014 Kosova 13:54

Aktuale

Trenat shkarkojnë komunikacionin

Kosovë...
Kosovë...
Funksionimi i infrastrukturës hekurudhore brenda territorit të Kosovës, është i domosdoshëm, thonë disa qytetarët të Kosovës. Sipas tyre, kjo do të shkarkonte komunikacionin rrugor me vetura dhe njëherësh do të mundësonte uljen e çmimeve të biletave të autobusëve.

Në anën tjetër, zyrtarë të Hekurudhave të Kosovës, theksojnë se mundësitë buxhetore vetanake  për investime, apo rehabilitim të infrastrukturës fizike, mungojnë, por megjithatë, sipas tyre, gjendja e infrastrukturës është e pranueshme dhe mirëmbahet sipas standardeve të kërkuara.

Valton Ahmetgjekaj, është student nga Gjakova. Ai konsideron se hekurudhat kanë një rol të rëndësishëm për udhëtim. Valoni thotë se për shkak të çmimit të lartë të biletave në autobus dhe numrit të madh të udhëtarëve, është i detyruar që shumë rrallë të vizitojë familjen e tij.   

“Unë mendoj se hekurudhat kanë një rol të madh për udhëtim, pavarësisht se në cilin rajon të Kosovës. Treni ka funksion më të mirë, sepse treni ka hapësirë më shumë. Tash është më mirë të udhëtohet me tren, ne si studentë, po udhëtojmë shumë rrallë, për shkak të çmimeve të larta të biletave dhe po ka shumë tollovi në autobus. Tani edhe studentët dëshirojnë që të udhëtojnë me automjete ku ka më shumë hapësirë", thotë Valtoni.  

Edhe Besniku konsideron se funksionalizimi i trenave do të shkarkonte komunikacionin rrugor dhe njëherësh shpejtësia e lëvizjes me tren është më e madhe. 

“Nëse modernizohen hekurudhat, në masë të madhe njerëzit do t’i iknin komunikacionit rrugor dhe do të udhëtonin me tren. Dhe, e dyta, do të ulej çmimi i transportit rrugor, sepse dihet mirëfilli se udhëtimi me tren është shumë më i lirë sesa me autobus. Çmimet me autobus janë shumë të larta kur merret parasysh standardi jetësor i popullatës së Kosovës, posaçërisht studentëve”, thekson Besniku.

Aktualisht, vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionet Prishtinë - Pejë, Hani i Elezit - Fushë Kosovë dhe anasjelltas. 

Ndërkaq, linjat ekzistuese hekurudhore nuk lejojnë që të zhvillojnë shpejtësi më të madhe se 70 km në orë, thonë zyrtarë të hekurudhave, sipas të cilëve, megjithatë transporti është shumë preciz dhe i sigurt.
  
Në anën tjetër, Agron Thaçi, drejtor ekzekutiv në Hekurudhat e Kosovës, thotë se infrastruktura hekurudhore në vend, vlerësohet e mirë krahasuar me vitet e pasluftës, por jo në nivelin e dëshiruar. Ai, madje, thekson mungesa e mjeteve financiare është arsye e mosriparimit të tyre, por që siguria është në nivelin e duhur.

Megjithatë, Thaçi, tregon se tashmë janë duke zhvilluar negociata me ekzekutivin e vendit dhe institucionet financiare ndërkombëtare, konkretisht me Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e komunikacionit hekurudhor, dhe shpresohet se brenda këtij viti do të ketë një përparim të ndjeshëm.  
 
“Të fillohet hartimi i projekteve për rehabilitimin e linjave me prioritet. Ndërsa, them se në qershor të këtij viti, pritet që të aprovohet nga Komisioni Evropian një fond prej 1.5 milion eurosh, për hartimin e projekt-dizajnit për rehabilitimin e linjës Fushë-Kosovë- Hani i Elezit. Bazuar në këtë projekt, jemi duke biseduar me BERZH-in,  që të bëjë zbatimin e këtij projekti për tri vitet e ardhshme", bën të ditur Thaçi.

Ndërkaq, me Bankën Botërore zyrtarë të hekurudhave janë duke biseduar për të gjetur mundësinë për rehabilitimin e linjës Prishtinë- Podujevë.

"Nëse mendoni për linjat që janë ekzistues por që nuk janë në funksion, siç është linja Prishtinë - Podujevë, atëherë ne jemi duke biseduar me Bankën Botërore dhe pritet që brenda disa muajsh të kemi rezultate konkrete se a do të shkohet me rehabilitimin e linjës apo do të shkojmë sipas prioriteteve. Shpresojmë që të fillojmë pasi linja Fushë Kosovë- Hani Elezit është funksionale dhe është linjë ndërkombëtare”, shpjegon Thaçi.

Hekurudhat e Kosovës bëjnë lidhjen e të gjitha qendrave më të rëndësishme të Kosovës, përveç Gjakovës dhe Gjilanit.

Por, infrastruktura, siç janë binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve, gjenden në një situatë të vështirë dhe kërkojnë investime të mëdha, në mënyrë që të përmirësohet gjendja ekzistuese.

Nadie Ahmeti

nadie.ahmeti+gmail.com

Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum