E dielë, nëntor 23, 2014 Kosova 17:59

Ekonomi

Bujqësia, sektor strategjik në Kosovë

Ilustrim
Ilustrim
Zhvillimi i sektorit të bujqësisë ishte paraparë të jetë një ndër prioritetet e Qeverisë se Kosovës, në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën 2011-2014.

Ky plan, sektorin e bujqësisë e kishte konsideruar si një nga potencialet më të mëdha për zhvillim të më të hovshëm ekonomik në vend.

Megjithatë, investimi në këtë sektorë, nga ekspertë të fushës së bujqësisë vlerësohet të jetë shumë i paktë.

Profesori i politikave bujqësore në Universitetin e Prishtinës, Halim Gjergjizi thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosovës i mungon një strategji afatgjate e zhvillimit të bujqësisë në të cilën do të vendoseshin prioritet që mund të realizojnë  një rritje të prodhimit

“Bujqësia, në përgjithësi prodhimi i ushqimit duhet të jetë së paku në të ardhmen një ndër përparësitë konkurruese në Kosovë, sigurimi i ushqimit si për nevojat e vendit po ashtu edhe për eksportet. Bujqësia me të vërtetë është një resurs i cili në të ardhmen duhet të favorizohet shumë më tepër se sa që është favorizuar deri më tani”, shton Gjergjizi.

Toka pjellore dhe kushtet e volitshme atmosferike në Kosovë, sipas ekspertëve të bujqësisë mundësojnë rimëkëmbjen e shpejtë të këtij sektori, nëse institucionet e Kosovës në forma të ndryshme, përkrahin bujqit kosovarë.

Por, për të shfrytëzuar këto resurse natyrore që ka Kosova, profesor Gjergjizi thotë se kërkohet një organizim i gjithë sektorit të bujqësisë dhe mbi të gjitha, siç thotë ai, duhet të definohet statusi i fermerit dhe të mendohet se si mund të mbështet ky subjekt ekonomik.

“Një ndër prioritetet është dashur të jetë bujqësia. Te ne problemi kryesor është se na mungon një strategji afatgjate e zhvillimit të bujqësisë, ku do të definohet prioritet pra cilat do të jenë prioritet në bazë të së cilave ne mund të realizojmë një rritje të prodhimit dhe plotësimit të nevojave të tregut”, shton Gjergjizi.

Kosova, vazhdon të jetë importuese e madhe e prodhimeve bujqësore. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, misri dhe gruri janë produktet ushqimore të cilat më së shumti importohen nga shtete të ndryshme të botës dhe hyjnë në Kosovë.

Udhëheqës i Federatës së Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri konsideron se importi i prodhimeve bujqësore ndodh pikërisht për shkak të investime të vogla që bëhen nga Qeveria e Kosovës për bujqësinë.

“Faktori numër një që ndikon negativisht në zhvillimin e bujqësisë është për shkak se nuk ka investime,  maksimumi  në bujqësia Kosova investon 1.7 për qind nga buxheti i shtetit, ndërsa në rajon investohet, 5 deri në 7 për qind nga buxheti i shteteve, Maqedonia investimin e në bujqësi e  ka 4.5 për qind nga buxheti i shtetit”, thekson Tahiri.

Ndërkohë,  zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thonë për Radion Evropa e Lirë se viteve të fundit ky sektor është vendosur si prioritet i qeverisë dhe shihet si sektor strategjik dhe se vlera e mjete është duke u rritur.

“Po e marr vetëm një krahasim statistikor. Derisa në vitin 2007 prej grandeve dhe subvencioneve kemi pasur 350 – 400 mijë euro tash në vitin 2013 kemi një buxhet prej 27 milion euro. Nëse e krahasojmë këtë buxhet me vendet e rajonit dhe Ballkanit prapë është më i ulët, por nëse e bëjmë një krahasim me vitin 2007 është një rritje e madhe”, bën të ditur, Isuf Çikaqi drejtor i Departamentit të Prodhimtarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në MBPZHR.

Vendet e rajonit të cilat kanë buxhet më të madh për sektorin e bujqësisë, se sa që ka Kosova sipas Çikiqit, ato vende kanë mjete që i marrin nga Komisioni Evropian e që Kosova ende nuk gëzon atë mbështetje çfarë kanë ata.

Sipas tij, Kosova për sektorin e bujqësisë nga Komisioni Evropian merr vetëm 5 milion euro, derisa vendet e rajonit  marrin shumë më shumë.

Luljeta Krasniqi - Veseli

krasniqiveseli+gmail.com

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : FAVENIDO C.C.
08.06.2013 03:47
Kosva nuk i shfrytzon pasurit natyrore.Ajo jo vetem qe do siguronte nevojat per vete por dhe do eksportonte
Toka.klima,Blegtoria jane shume te favorshme,por po nuk mbolle nuk korre..
Kosva duhet ket projekt te specializimit e perqendrimiite jo vrtem te Bujqesisi por dhe te Blegtorise.
Pa investime nuk behet perparime nje bujqesi te mbeshtetur ne baza shkencore.
Kete e bejne specialistet kur te shofin studimin Qeveri duhet investoje.Kto investime e shpeblejn shpenzimin brenda vitit pare apo dyte.
Urime punjesve te agrobiologjise e agrkulturuseve.
FaDo
New York