Ndërlidhjet

Bisedimet për tregtinë transatlantike nisin me tensione


Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian hapin sot negociatat për krijimin e zonës më të madhe në botë të tregtisë së lirë.

Negociatat kanë për qëllim të heqin pengesat për tregtinë dhe investimet midis dy fuqive, si dhe të sjellin marrëveshje deri në fund të vitit 2014.

Negociatorët do të bëjnë përpjekje të kapërcejnë kufizimet mbi industritë e mbrojtura dhe ndalesat e BE-së për produktet ushqimore, të modifikuara gjenetikisht.

Tregtia e mallrave midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në vitin 2012 ka arritur vlerën e 500 miliardë eurove.

Bisedimet në Uashington ndodhin në kohën e ca fërkimeve midis aleatëve, në lidhje me akuzat për spiunazh.

Ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden, ka zbuluar se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar zyra diplomatike të BE-së dhe rrjete kompjuterike.

Zbulimet kanë ngritur shqetësime në Bashkimin Evropian për shkeljen e rregullave që mbrojnë të dhënat dhe privatësinë.

Snowden, 30 vjeç, besohet se ka kaluar dy javët e kaluara në zonën e tranzitit të Aeroportit Sheremetievo të Moskës.

Presidenti i Kubës, Raul Castro, ka thënë se mbështet ofertat e Venezuelës dhe të vendeve të tjera të Amerikës Latine për t’i dhënë azil Snowdenit.

Venezuela dhe Bolivia kanë bërë tashmë oferta të tilla për të, ndërsa Nikaragua është duke shqyrtuar një kërkesë për azil nga ai.

Megjithatë, gjatë fjalimit para Asamblesë Kombëtare të Kubës, Castro nuk e ka bërë të qartë nëse vendi i tij do t’i ofronte azil Snowdenit.

Ne mbështesim të drejtën sovrane të Republikës së Bolivisë, Venezuelës dhe të gjitha shteteve në Amerikën Latine për t’iu dhënë azil atyre që ndiqen penalisht për idealet e tyre ose luftën për demokraci”, ka thënë Castro.

Ai po ashtu ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kërcënojnë vendet e tjera në lidhje me rastin e Snowdenit.

Ne jetojmë në një botë, në të cilën të fuqishmit mendojnë se mund të shkelin ligjin ndërkombëtar, të shkelin sovranitetin kombëtar të shteteve të tjera dhe të shkelin mbi të drejtat e qytetarëve. Me këtë filozofi të dominimit, të gjitha vendet në jug, jemi dhe do të vazhdojnë të jemi në rrezik”, ka thënë Castro.

Autoritetet amerikane kanë akuzuar Snowdenin për spiunazh dhe vjedhje të pronës qeveritare, për shkak të materialeve sekrete që ka mbledhur dhe u ka dhënë gazetave.

Uashingtoni i ka revokuar pasaportën amerikane dhe i ka bërë thirrje që të dorëzohet, për t’u ndjekur penalisht.

Snowden raportohet se ka aplikuar për azil në mbi 20 vende, por është refuzuar nga disa shtete evropiane, ashtu si edhe nga India dhe Brazili.(v.tela)
XS
SM
MD
LG