Ndërlidhjet

Bizneset dënojnë vendimin e Shkupit


Autoritetet e Qeverisë së Maqedonisë edhe të hënën nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për mediat rreth situatës së krijuar në kufirin me Kosovën.

Ndërkohë, burime qeveritare kanë njoftuar se vetë ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraqini me një delegacion të zgjeruar po qëndron në Prishtinë, për të takuar autoritetet kosovare në përpjekje për të zgjidhur problemin e krijuar me tregtinë e mallrave nga të dy vendet.

Kundrejt heshtjes së qeveritarëve maqedonas, të hënën, pos lidhjes së Odave Ekonomike të vendit kanë reaguar bujqit e Maqedonisë duke theksuar se mbyllja e tregut kosovar rrezikon prishjen e prodhimeve bujqësore të Maqedonisë.

Grupacioni për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës dhe Maqedonisë që të zgjidhin problemin rreth këmbimit tregtarë para se të bëhet vjelja e prodhimeve bujqësore sezonale, siç janë domatet, specat e kuq dhe mollët, duke theksuar se tregu i Kosovës është shumë i rëndësishëm, e që pikërisht atje eksportohet pjesa më e madhe e pemëve dhe perimeve maqedonase.

“Sigurisht se masat e vendosura të reciprocitetit mes dy vendeve dukshëm do t`i shkaktojnë dëme sektorit të bujqësisë. Pikërisht janë prodhimet bujqësore të cilat eksportohen në tregun kosovar dhe të njëjtat nuk kanë një jetëgjatësi, dhe duke qenë se është faza e vjeljes së prodhimeve bujqësore është evidente se Maqedonia do të dalë humbësja më e madhe ndonëse edhe e vetmja nga kjo situatë absurde".

"Do të shkaktohet prishja e prodhimeve bujqësore nga Maqedonia, ndërkohë që tregu kosovar do t'u hapë dyert prodhimeve nga Shqipëria dhe Serbia”, nënvizon Arben Halili, nga grupacioni për bujqësi dhe zhvillim rural në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se Maqedonia do të pësojë humbje disa milionëshe nëse nuk arrihet sa më parë ujdi mes dy qeverive.

“Është më se evidente se në këmbimin tregtar Maqedonia do të pësojë humbje të mëdha, ngase Maqedonia eksporton dhe njëherazi ka suficit të lartë me Republikën e Kosovës. Për mendimin tim, është budallallëk nga ana e Qeverisë së Maqedonisë me masat e vendosura ndaj Kosovës me çka e ashpërson këtë garë të konkurrencës”, vlerson Izet Zeqiri, nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë.

Ai më pas thekson se veprimi i qeverisë maqedonase bëhet për qëllime politike duke vënë në hipotekë interesat ekonomike të kompanive që sadopak ndihmojnë në mëkëmbjen e ekonomisë së vendit.

“Masat populiste të cilat i vendosi Qeveria e Maqedonisë kanë synim më shumë krijimin e efektit politik, duke krijuar një klimë, veçanërisht VMRO DPMNE e kryeministrit Gruevksi, të ndëshkimit të qytetarëve të Kosovës dhe njëherësh duke mos menduar aspak për humbjet ekonomike që do të pësojë vendi".

"Në vend se Qeveria e Republikës së Maqedonisë sa më parë të vizitojë Kosovën dhe të shihen se cilat janë situatat e palakmueshme gjatë këmbimit tregtar mes dy vendeve, ajo vendos masa reciprociteti të cilat aspak nuk janë ekonomike por janë për qëllime politike”, thotë Zeqiri.

Edhe Vlladimir Gligorov nga Instituti Ekonomik i Vjenës thotë se mos marrëveshjet duhet të zgjidhen në kuadër të CEFTA-s dhe jo të dënohen qytetarët e Kosovës duke u detyruar të paguajnë taksa gjatë hyrjes në Maqedoni.

Ajo që tani është duke ndodhur nuk duhet të ndodhë, sepse të gjitha mosmarrëveshjet eventuale mes dy vendeve duhet të zgjidhen në kuadër të marrëveshjes për tregti të lirë në kuadër të vendeve të rajonit, në të kundërtën do të eskalojë e tërë situata dhe në fund, sërish në kuadër të CEFTA-s, do të detyrohen të dy palët të gjejnë një zgjidhje”, thekson Gligorov.

Edhe lëvizja qytetare “Zgjohu” ka dënuar ashpër vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për vendosjen e taksës hyrëse për qytetarët e Kosovës të cilët hyjë në Maqedoni duke theksuar se ky vendim i njëanshëm i Qeverisë në Shkup dëmton rëndë ekonominë e vendit.

“Ftojmë mediat që të denoncojnë grabitjen e djeshme të qytetarëve shqiptarë nga Kosova të cilëve për pagesën e tyre për të hyrë në Maqedoni iu jepej një fletë absolutisht e pavlefshme në vend të faturës fiskale siç parasheh ligji”, ka deklauar Astrit Imeri nga lëvizja qytetare “Zgjohu”.

Ai i bëri thirrje Qeverisë së Maqedonisë që t’i lë të qetë qytetarët shqiptarë nga Kosova dhe familjarët e tyre në Maqedoni dhe mos t'i përfshijë në përplasjen ekonomike midis institucioneve të Kosovës dhe Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG