Ndërlidhjet

Kutërbojnë sheshet e kryeqytetit


Problemet me ujërat e zeza në sheshin "Nënë Tereza", në Prishtinë.
Problemet me ujërat e zeza në sheshin "Nënë Tereza", në Prishtinë.
Në sheshet e kryeqytetit kutërbon erë ujërash të zeza, pavarësisht rregullimeve që janë realizuar.

Sheshi qendror në Prishtinë është i rrethuar me “luks”; hotele me pesë yje, kafiteri të shtrenjta, institucione bankare, ndërtesa të bukura shumëngjyrëshe, por shëtitja apo kalimi nëpër atë që njihet si bulevardi “Nëna Terezë”, bëhet me hundë të mbyllura për shkak të kutërbimit.

Qytetarët që kalojnë nëpër këtë shesh, shprehin shqetësimin e tyre. Tafil Karaçica, jeton pikërisht në sheshin “Nëna Terezë”, ndërkaq punon në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Ai thotë se era që kutërbon ka vështirësuar edhe jetën në banesën e tij.

“Era e kanalizimit të gjithëve na pengon. Sidomos kur temperaturat janë më të larta, ka shumë erë të keqe, sepse unë në këtë shesh banoj. Shkaku i erës, unë shumë herë kaloj në rrugë tjetër edhe më larg. Kjo erë ia ka humbur vlerën të gjitha punimeve të bukura që janë bërë në shesh”, thotë Tafili.

Ky kutërbim pengon shumë edhe shitësit ambulantë që shumicën e kohës qëndrojnë aty.

Fadil Makolli, 47 vjeç, prej orës 9 deri në 22 të mbrëmjes shet gështenja në këtë shesh.

“Kush kalon afër, ndjen një erë të keqe dhe drejtohet nga unë, duke menduar se ne shitësit po shesim diçka me erë të keqe dhe i mbyllin hundët gjithmonë. Ka më shumë që një vit që vjen kjo erë shumë e rëndë. Këtu dalin edhe nënat me fëmijë. Ky është tmerr - qendra e kryeqytetit të Kosovës të përballet me këtë erë?!”, shprehet Fadili.

Ky shesh është i frekuentuar shumë edhe nga fëmijët, të cilët e shfrytëzojnë si një vend për argëtim dhe shëtitje.

Komuna e Prishtinës, në planifikimet e saj ka të emëruar shumë sheshe.
Që të gjithë mbajnë emra nga më të ndryshimit, duke u nisur nga heronjtë dhe humanistët.

Sheshet kryesore të Prishtinës janë: "Nëna Terezë", "Zahir Pajaziti", "Ibrahim Rugova" dhe "Skënderbeu". Secili nga këto sheshe, ka nga një hapësirë të vogël.

Një organizatë joqeveritare e quajtur Iniciativa për Progres, që njihet më akronimin INPO, ka përcjellë vazhdimisht zhvillimet në këto sheshe.

Osman Bllaca, koordinator i programeve në këtë organizatë, thotë se përveç çmimit shumë të shtrenjtë që është paguar për rregullimin e shesheve, cilësia e ndërtimit, nuk është në nivelin e duhur.

“Kutërbimi është për shkak se kompanitë ndërtuese nuk e kanë paraparë që të ri-funksionalizohet apo të ndërrohet rrjeti i kanalizimit. Gypat e kanalizimit është dashur të ndërrohen, kjo çështje është dashur të futet në projektet e shesheve, dhe qytetarët nuk do të ishin ballafaquar me këto erëra që po ndodhin në kryeqytetin e Prishtinës”, thekson Osman Bllaca.

Në anën tjetër, udhëheqës të Komunës së Prishtinës, theksojnë se projekti është zbatuar nga qeverisja e kaluar, por qeverisja e re, që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se është duke bërë vlerësimin e situatës në sheshin “Nëna Terezë”.

Nënkryetari i komunës se Prishtinës, Dardan Sejdiu, thotë se intervenimi në atë pjesë, varet nga gjetjet e terrenit.

“Duhet gjetur përse po ndodh kjo erë, cili është shkaktari i kësaj ere. Dhe, rrjedhimisht, në momentin që të kemi këtë vlerësim dhe një plan të intervenimit, ne do të sanojmë gjendjen, për aq sa mund të sanohet. Sheshi i kryeqytetit, nuk duhet që asnjë qytetari t’i japë këtë ndjenjë, përkundrazi është një shesh që si hapësirë publike duhet të jetë e shfrytëzueshme nga të gjithë dhe në çdo kohë”, pohon Sejdiu.

Deri në marrjen e ndonjë veprimi, mbajeni frymën kur kaloni nëpër sheshin qendror të Prishtinës.
XS
SM
MD
LG