Ndërlidhjet

WP: A do ta dëgjojë Amerika thirrjen për zgjim të Ukrainës?


Autore: Condoleezza Rice, ish-sekretare amerikane e shtetit

Në fillim të artikullit të saj në Washington Post, Condoleezza Rice e përkujton vitin 2004, derisa ishte në rezidencën e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe çastin kur aty hyri Viktor Yanukovich.

“Njihu me Viktor Yanukovichin, i cili po garon për presidencën e Ukrainës”, i kishte thënë Putin zonjës Rice.

Ish-zyrtarja e lartë amerikane shkruan se Putini kishte dëshiruar që ajo ta kuptonte qëllimin e tij se “ai është njeriu im, Ukraina është e jona dhe mos e harro këtë”.

Më tutje, zonja Rice konstaton se “problemi i Ukrainës” ishte krijuar për një kohë ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë.

Prej Revolucionit të Portokalltë në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa ishin përpjekur ta bindnin Rusinë se ky territor i madh nuk duhet të jetë pion në konfliktin e fuqive të mëdha, por një vend i pavarur, i cili do ta hartoj kursin e vet.

Por, Putini kurrë nuk e ka parë në këtë mënyrë, sepse për të, lëvizja e Kievit kah Perëndimi është një fyerje për Rusinë në lojën për lojalitetin e ish-territoreve të perandorisë.

Invadimi dhe aneksimi i mundshëm i Krimesë për shkak të trumbetimeve për shqetësimet e popullatës së saj rusisht folëse është përgjigja e tij për ne, shkruan Rice në Washington Post, dhe kërkon që të shprehet shqetësim i menjëhershëm për t’i treguar Rusisë se lëvizjet e mëtejshme nuk do të tolerohen dhe se integriteti territorial i Ukrainës është i shenjtë.

Izolimi diplomatik, ngrirja e pasurive dhe ndalimi i udhëtimit të oligarkëve janë masa përkatëse.

Shpallja e ushtrimeve të mbrojtjes ajrore me shtetet baltike dhe lëvizja e luftanijes amerikane në Detin e Zi, paraqesin mbështetje për aleatët tanë. Mbështetje paraqet edhe ndihma ekonomike për liderët e Ukrainës, që duhet t’i lënë anash ndarjet e brendshme dhe ta qeverisin vendin e tyre.

Detyrë afatgjate është se duhet dhënë përgjigje deklaratës së Putinit për të ardhmen e Evropës pas Luftës së Ftohtë.

Ai thotë se Ukraina kurrë nuk do të jetë e lirë për të zgjedhur vetë, mesazh që ka jehonë në Evropën Lindore dhe shtetet baltike, dhe se Rusia ka interesa speciale, që do t’i vazhdojë me çfarëdo çmimi.

Për Putinin, Lufta e Ftohtë ka përfunduar “tragjikisht”, shkruan Condoleezza Rice në Washington Post dhe konstaton se ai do ta kthejë orën prapa, nëse kjo do t’i lejohet me kërcënim me forcë ushtarake, me masa ekonomike dhe për shkak të mosveprimit të Perëndimit.

Pasi Rusia e invadoi Gjeorgjinë në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara i dërguan anijet në Detin e Zi, i transportuan forcat ushtarake të Gjeorgjisë nga Iraku në bazat e tyre në shtëpi, dhe dërguan ndihmë humanitare.

Rusisë nuk iu lejua qëllimi i saj përfundimtar për ta përmbysur qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, këtë e pat pranuar tek unë ministri i jashtëm i Rusisë, shkruan zonja Rice.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mund të pajtohen vetëm për pak aksione për izolimin politik të Rusisë.

Por, edhe këta hapa modest në Gjeorgji nuk qëndruan. Përkundër vazhdimit të okupimit të Rusisë në Abhazi dhe Oseti Jugore, izolimi diplomatik u dobësua dhe pastaj “ripërtëritja” e administratës Obama ka çuar në rishikim të shpejtë të planeve për vendosjen e komponentëve të mbrojtjes raketore në Republikën Çeke dhe në Poloni. Bisedimet për të ardhmen e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO u ndalën. Moska brohoriti, shkruan Rice në Washington Post.

Kësaj radhe duhet të veprohet ndryshe. Putini po e luan një lojë të gjatë, duke e shfrytëzuar me mençuri çdo mundësi që e sheh.

Këtë duhet ta bëjmë edhe ne, duke praktikuar durim strategjik për ta ndalur atë.

Moska nuk është imune nga presioni dhe ky nuk është viti 1968 dhe Rusia nuk është Bashkimi Sovjetik. Asaj i duhen investimet e jashtme, shkruan zonja Rice.

Ne duhet tu afrohemi të rinjve rusë, që janë lënë anash nga Kremlini, e veçanërisht studentëve dhe profesionistëve të rinj, shumica e të cilëve studiojnë në universitetet amerikane dhe punojnë në firmat perëndimore.

Forcat demokratike në Rusi kanë nevojë ta dëgjojnë mbështetjen amerikane për ambiciet e tyre. Ata janë e ardhmja e Rusisë, e jo Putini.

Zhvillimet në Ukrainë duhet të jenë thirrje për zgjim tek ata në të dy krahët, që besojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të rrinë anash nga përgjegjësitë për të qenë lider.

Nëse kjo thirrje nuk dëgjohet, diktatorët dhe ekstremistët në gjithë globin do të forcohen, shkruan pos tjerash, në një artikull të gjatë ish-sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice në Washington Post.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG