Ndërlidhjet

Ndeshje fjalësh Rusi - SHBA


Presidenti i Rusisë e ka mbajtur një fjalim triumfues për aneksimin e Krimesë në Ukrainë, para legjislaturës ruse.

Pak kohë pas fjalimit të Vladimir Putinit, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka bërë komente në Varshavë të Polonisë, pas takimit me kryeministrin e këtij vendi, Donald Tusk.

Këto dy fjalime u bënë në periudhën e ngritjes së tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit.

Ky fjalim dukej se ishte pika më e lartë e karrierës së presidentit rus, Vladimir Putin.

Rrjedhimisht, ai i ka nënshkruar dokumentet me të cilat Krimeja dhe qyteti-port Sevastopol, në këtë gadishull, bëhen pjesë e Rusisë.

Në fjalimin e tij të ashpër dhe të pakompromis, zoti Putin e ka shfaqur pikëpamjen e Kremlinit për lidhjet historike ndërmjet Rusisë dhe Krimesë.

Ai, po ashtu, i ka numëruar zhvillimet historike prej deklaratës së Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës, e deri te ribashkimi i Gjermanisë pas Luftës së Ftohtë, për të cilat Rusia beson se e legjitimojnë aneksimin rus të gadishullit strategjik në Detin e Zi.

“Memorandumi i shkruar nga Shtetet e Bashkuara më 17 prill të vitit 2009, i paraqitur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin e Kosovës, thotë: ‘Deklarata e pavarësisë mundet, dhe zakonisht ndodhë, që ta shkel legjislacionin e brendshëm të vendit. Megjithatë, kjo nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare’".

"Ata janë të njëjtit që i vendosin gjërat, zgjerohen në gjithë botën, e mashtrojnë çdokënd dhe tash ata qenkan të shqetësuar. Për çka jeni të shqetësuar
”, e shtroi pyetjen Putini në adresë të vendeve perëndimore.

Por, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka shprehur qëndrim diametralisht të kundërt me Putinin lidhur me Kosovën dhe krahasimet me zhvillimet lidhur me Krimenë.

“Kam dëgjuar shumë për atë se si deklarata e pavarësisë së Kosovës ishte model për këtë. Nuk është kurrfarë modeli. Kombet e Bashkuara e kaluan rezolutën, ishte sanksionuar qartas nën ligjin ndërkombëtar me të drejtën e mbrojtjes së pakicës kombëtare. Askujt në Krime nuk i është dashur mbrojtje në ditën kur këto trupa ruse e shtuan numrin, përveç me gjasë, forcat ukrainase, që ishin kërcënuar me armë për t’i dorëzuar armatimet e tyre”, tha John Kerry në Uashington.

Disa orë pas fjalimit të Vladimir Putinit, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, duke folur në Varshavë, tha:

“Ukraina, kjo është pothuajse një varg i zhvillimeve të pabesueshme, që më sollën mua këtu. Presidenti Obama kërkoi që unë të udhëtoj në Varshavë për ta riafirmuar përkushtimin serioz të Shteteve të Bashkuara, përkushtimet serioze të NATO-s, dhe për tu konsultuar me liderët e Polonisë lidhur me situatën në Ukrainë”, tha Joe Biden.

Në pjesën më të madhe të fjalimeve të Putinit dhe Bidenit dukej se kishin për qëllim t’i drejtohen njëri-tjetrit dhe asnjëri prej tyre nuk tregoi asnjë shenjë të kërkimit të kompromisit.

Në disa momente, fjalimi i Putinit kishte të bënte më tepër për raportet ndërmjet Rrusisë dhe Shteteve të Bashkuara, gjatë dy dekadave, se sa për Krimenë.

“Në politikat e tyre praktike partnerët tanë perëndimorë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, preferojnë sundimin e të fortit në të drejtën ndërkombëtare. Ata besojnë në ekskluzivitetin e tyre se janë të zgjedhur. Ata ndjejnë se u lejohet sundimi i fatit të botës dhe vetëm ata gjithnjë kanë të drejtë”, tha Putin.

Më tutje, ai e ka theksuar zgjerimin e NATO-s dhe planet për instalimin e mbrojtjes raketore në Evropë si dëshmi se Perëndimi po e vazhdon politikën e “frenimit të Rusisë”, që sipas tij, e ka zanafillën qysh në shekullin e 18-të.

Joe Biden i ka hedhur poshtë argumentet e tilla dhe aneksimin e Krimesë nga Rusia e ka cilësuar si “plaçkitje e tokës”.

“Rusia ka ofruar një varg të argumenteve për ta arsyetuar atë që nuk është asgjë tjetër pos plaçkitje e tokës. Por, nëpërmjet aksionit të Rusisë bota e ka parë dhe e ka hedhur poshtë logjikën, logjikën me të meta, prapa këtyre aksioneve”, tha Biden.

Ai theksoi se kriza e Ukrainës është sfidë për NATO-n.

“Zhvillimet aktuale na përkujtojnë se themeli i aleancës sonë mbetet vetëmbrojtja kolektive siç theksohet në nenin 5 të Marrëveshjes së NATO-s. Qëllimi ynë është se NATO-ja nga kjo krizë del edhe më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë më parë”, tha Biden.

Zyrtari i lartë amerikan theksoi se planet për mbrojtjen ajrore janë ende aktuale dhe do të kompletohen.

Biden tha se aksionet e Moskës lidhur me aneksimin e Krimesë do të çojnë në më tepër sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG