Ndërlidhjet

Krimeja - test për Serbinë, me BE-në apo Rusinë?


Harta e Krimesë me ngjyrat e flamurit të Rusisë
Harta e Krimesë me ngjyrat e flamurit të Rusisë
Tradicionalisht Serbia ishte aleati më i fuqishëm i Rusisë në Ballkan, por vitet e fundit Beogradi e ka udhëhequr politikën e integrimit evropian.

Rrjedhimisht, shtrohet pyetja se tensionet ndërmjet Brukselit dhe Moskës do të ndikojnë në Serbi, ku çdo gjë është e gatshme për inaugurimin e qeverisë së re.

Rruga e ndjeshme e Serbisë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe partnerit tradicional me Rusinë, po testohet këto ditë, derisa tensionet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit lidhur me Krimenë në Ukrainë, po shtohen.

Pritet që së shpejti në Beograd të instalohet qeveria e re e udhëhequr nga kryeministri Aleksandar Vuçiq, i cili ka premtuar për të lëvizur më afër Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, Moska po përpiqet të ketë siguri për vazhdimin e ndikimit të saj në Serbi.

Alekasandar Vuçiq, i cili pas fitores bindëse të Partisë Progresive të tij në zgjedhjet e përgjithshme më 16 mars, do të jetë kryeministër i ardhshëm i Serbisë, thotë se do “t’i respektoj obligimet e tij në rrugën për në BE dhe nuk do të ketë qasje armiqësore kundër Rusisë”.

Dimitar Bechev, shef i Zyrës së Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme me seli në Sofje, thotë se qeveria e Serbisë duhet të mbajë një lloj të balancimit.

“Në Ballkanin Perëndimor është një besim në lojën e vjetër strategjike, sipas të cilës ju luani në të dy anët - Perëndimi në njërën dhe Rusia në tjetrën – për të nxjerrë më së shumti përfitime”, thotë Bechev.

Kryeministri i Serbisë në largim, Ivica Daçiq, që njëherësh e ka mbajtur edhe postin e ministrit të brendshëm, gjerësisht shihet se aleati më i afërt i Rusisë në Beograd, prandaj raportohet se Moska po lobon për të pasur siguri se ai do të mbetet në qeveri.

Javën e kaluar, Vuçiq e kishte vizituar Moskë në atë që ishte përshkruar si “udhëtim privat”, dhe sipas disa raporteve ishte i shoqëruar nga Daçiqi. Këto raporte kanë shkaktuar spekulime se çka ka dashur Rusia.

Analisti beogradas, Boshko Jakshiq, beson se Moska po përpiqet të ketë siguri se Vuçiqi e ruan një post ministror për Daçiqin në qeverinë e re.

“Moska nuk është tërhequr nga ndikimi i saj në Ballkan, e veçanërisht Rusia e Putinit, që po punon për ripërtëritjen e hapësirës sovjetike dhe përfundimisht, do të përpiqet fuqishëm për ta mbajtur Serbinë si bazë të fuqishme në Ballkan, ashtu siç po e shfrytëzon Sirinë për ta ruajtur pozicionin e saj në Lindjen e Mesme”, thotë Bashko Jakshiq.

Branko Ruzhiq, zëvendës kryetar i Partisë Socialiste të Ivica Daçiqit, i tha Radios Evropa e Lirë se Daçiqi ishte jashtë Serbisë, por ka refuzuar të japë më tepër detaje.

Sipas zotit Bechev, Rusia domosdoshmërish nuk i kundërshton ambiciet e Serbisë për integrim në BE, derisa Moska e mbanë ndikimin e saj në Beograd.

“Në fund të ditës, interes fundamental i Rusisë është për të pasur vende miqësore brenda BE-së. Pra, nëse Serbia vepron ashtu siç po bënë Qiproja këto ditë, nuk duhet të ketë probleme. Përkundrazi, Rusia do të duhej aktivisht të kërkonte që vendet si Serbia, dhe po ashtu si Mali i Zi, t’i bashkohen BE-së”, thotë Bechev.

Megjithatë, konsiderohet se raportet e Beogradit me Moskën janë tendosur për shkak të këmbënguljes së presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe zyrtarëve të tjerë rusë se ndarja e Krimesë nga Ukraina është e ngjashme me shpalljen e njëanshme të deklaratës së pavarësisë nga Serbia në vitin 2008.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila nga ana tjetër është njohur nga 107 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, sipas faqes në Internet, Kosovothanksyou.com, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe 23 prej 28 vendeve anëtare të BE-së.

Analisti Boshko Jakshiq konsideron se do të bëhet gjithnjë e më vështirë për Serbinë që ta mbajnë kursin e mesëm ndërmjet Moskës dhe Brukselit, derisa po lëvizë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e veçanërisht nëse tensionet ndërmjet BE-së dhe Rusisë ashpërsohen edhe më tepër.

“Autoritetet në Beograd duhet ta dinë se çdo ditë e re në integrimin evropian nënkupton më tepër obligime për implementimin e politikës së BE-së. Për këtë arsye nuk do të jetë e mundshme të mbahen pozicione dhe interesa të ndryshme për një kohë të gjatë, por do t’i ketë obligimet e definuara në mënyrë rigoroze".

"Ndoshta në këtë moment ne mund ta evitojmë këtë, por do të dëshiroja ta dija se a do të kemi përgjigje të qartë nëse do të jemi të detyruar nga Brukseli apo Moska për të zgjedhur. Mendoj se nuk do të kemi përgjigje të qartë”
, tha analisti Jakshiq. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG