Ndërlidhjet

Iranianët e linjës së fortë – jo zyrës së BE-së në Teheran


Ilustrim
Ilustrim
Iranianët e linjës së fortë thonë se nuk do të lejojnë që Bashkimi Evropian ta hapë një zyre në Republikën Islamike të Iranit.

Thirrja nga Parlamenti Evropian për ta hapur një zyre në Teheran, është sulmuar ashpër nga iranianët e linjës së fortë, të cilët thonë se selia e propozuar do t’i lejonte të jashtmit të përzihen në punët e Iranit.

“Populli i Iranit nuk do të lejoj një tjetër shtëpi të spiunëve, që të krijohet në vend”, tha Ajatollahu Movahedi-Kermani, gjatë faljes së Xhumasë.

Këto komente u bënë një ditë pasi Parlamenti Evropian e miratoi rezolutën, në të cilën thuhet se hapi i parë për hapjen e një zyre të delegacionit të BE-së në Iran, do të mund të bëhej deri në fund të këtij viti.

Në rezolutë, më tutje, kritikohen shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran dhe bëhet thirrje për rol më aktiv të Bashkimit Evropian në shqyrtimin e situatës së të drejtave të njeriut në këtë vend dhe për mbështetjen e shoqërisë civile.

Po ashtu, në tekstin e rezolutës, vendet anëtare të BE-së këshillohen që të fokusohen në të drejtat e njeriut në lidhjet e tyre me Iranin, rekomandim ky që i ka zemëruar iranianët e linjës së fortë, gjatë ditëve të fundit, që thonë se rezoluta, paraqet përzierje në punët e brendshme të Iranit.

Ajatollah Movahedi-Kermani, më tej, ka thënë se evropianët duhet të mësojnë nga “shtëpia e spiunëve të Amerikës”, që ishte një referencë për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Teheran, e cila ishte okupuar nga një grup i studentëve, pas revolucionit në vitin 1979.

Ai vlerësoi se rezoluta e BE-së është “e turpshme” dhe i ka hedhur poshtë shqetësimet e BE-së për shkeljet serioze të të drejtave të njeriut në Iran, duke i cilësuar si “iluzione perëndimore”.

Thuhet se liderë të faljes së Xhumasë i kishin marrë rekomandimet e fjalimit nga zyra e Liderit Suprem të Iranit, Ali Khamenei.

Një ditë më herët, shefi i forcës Basij të Iranit, gjenerali Mohammad Reza Nadqi, është shprehur me fjalë të ashpra për BE-në dhe planet për hapjen e zyrës në Teheran.

Bashkimi Evropian është shembull i mirë i mësimit të Kuranit që thotë se ata janë më të këqij se katërkëmbëshat”, tha thënë Reza Naqdi, raportoi agjencia iraniane e lajmeve, Fars.

Rezoluta e Parlamentit Evropian është hedhur poshtë edhe nga disa ligjvënës, përfshirë Hossein Naghavi Hossein, që tha se planet për hapjen e zyrës të BE-së kanë për synim të krijojnë kryengritje në Iran. Ligjvënësi tjetër, Mohammad Saleh Jokar, tha se zyra e BE-së në Teheran do të ishte ekskluzivisht për nevoja të spiunimit.

Në rezolutën e Parlamentit Evropian thuhet se hapja e zyrës së delegacionit të BE-së në Teheran do të ishte mënyrë efikase për të ndikuar në politikat iraniane dhe për nxitjen e dialogut për të drejtat e njeriut.

Por, Rouzbeh Parsi, ekspert nga Universiteti Lund në Suedi, i tha Radios Evropa e Lirë, se iranianët e linjës së fortë e kundërshtojnë çfarëdo hapjeje të Iranit me perëndimin.

“Ata nuk dëshirojnë të kenë lidhje normale me Evropën dhe vendet e tjera perëndimore. Ata e dinë se si rezultat i lidhjeve më të mira me BE-në dhe uljes së tensioneve, mund të ketë më tepër këmbime ndërmjet dy palëve. Ata janë të frikësuar nga kjo, sepse kjo nuk është ajo që ata do të dëshironin”, tha eksperti, Rouzbeh Parsi. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG