Ndërlidhjet

Pa vendim për tarifa të reja të energjisë


Ilustrim
Ilustrim
Ende nuk është marrë ndonjë vendim për rritjen apo jo të tarifave të energjisë në Kosovë. Zyrtarë të Zyrës së Rregullatorit për Energji në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bëjnë të ditur se ende janë në proces të shqyrtimit të tarifave të energjisë.

Më 1 prill është dashur të hyjnë në fuqi vendimet e reja për energji elektrike, por ka vonesa për shkak se, siç thuhet, ZRRE-ja është duke i vlerësuar me kujdes kërkesat e kompanive për kostot që do të lejohen të mbulohen nga tarifat e reja.

Zëdhënësja e Zyrës së Rregullatorit për Energji, Adelina Murtezaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bën ditur për konsumatorë se vonesat në përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara do të sigurojnë një përcaktim sa më të saktë të tarifave për shërbimet e energjisë elektrike dhe nuk do të ndikojnë në shërbimet e ofruara nga kompanitë.

“Pavarësisht afateve për përcaktimin e tarifave të reja, ZRRE-ja ende nuk e ka përfunduar vlerësimin e aplikacioneve nga të licencuarit. Sipas përgjegjësive institucionale të ZRRE-së , kjo e fundit do të vendosë për tarifat e reja për konsumatorët vetëm atëherë kur sigurohemi që tarifat e energjisë të mbulojnë vetëm kosto të arsyeshme dhe të domosdoshme për operimin efikas të sistemit energjetik”, thotë Murtezaj.

Çmimet e energjisë elektrike në Kosovë janë rritur disa herë gjatë dekadës së fundit. Vetëm në vitin 2012, faturat e qytetarëve të Kosovës për energji ishin rritur për 8.9 për qind, shtrenjtim ky i cili nga ekspertë të çështjeve ekonomike ishte konsideruar se nuk korrespondon me trendin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Adelina Murtezaj thotë se gjatë analizimit të tarifave të reja të energjisë do të kenë parasysh edhe gjendjen sociale të qytetarëve të Kosovës.

“Tarifat e konsumatorëve të energjisë elektrike, nuk do të ndryshojnë pa aprovimin e ZRRE-së dhe nga 1 prilli 2014 do të aplikohen tarifat e sezonës së ulët (apo të njohura si tarifa verore), të njëjta me tarifat e vitit të kaluar të sezonës së ulët. Gjatë muajit në vijim, ZRRE-ja do të vazhdojë të analizojë të gjitha kostot e sektorët e sektorit dhe do të vazhdojë diskutimet me ndërmarrjet e licencuara për kostot e paraqitura në aplikacionet e tyre, duke pasur parasysh edhe përballueshmërinë e pagesave të konsumatorëve”, tregon Murtezaj.

Në bazë të hulumtimeve të përfaqësuesve të shoqërisë civile, të bëra për tarifat e energjisë elektrike në Kosovë, janë dhënë vlerësime që sistemi tarifor momental të mbetet edhe më tej i njëjti.

Përfaqësues të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm e quajnë sistemin tarifor momental shumë të paqartë për konsumatorët shtëpiak. Megjithatë, ata mendojnë që ky sistem i përshtatet më së miri situatës së tanishme të konsumit të energjisë dhe situatës socio-ekonomike.

Kushtrim Puka nga KOSID, thekson se struktura tarifore, e cila është në fuqi, të mos ketë ndryshime, pasi që, sipas tij, fakti që Kosova është e varur nga termocentralet dhe nuk ka burime të mjaftueshme të ripërtërishme të energjisë, lë të kuptojmë se nëse do të ketë ndryshime të tarifave, kjo do të rëndonte gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve.

“Struktura tarifore, si e tillë që është, ku përfshihen blloqet e ndryshme tarifore, ku përfshihen tarifa e ulët, tarifa e lartë dhe sezoni gjatë verës dhe dimrit nuk duhet të ndryshojë. Këtë po e them duke bazuar në gjendjen ekonomike dhe sociale që e kemi në Kosovë. Nëse ishin ndryshuar këto struktura tarifore, ata që do të pësojnë më së shumti janë qytetarët me të ardhura më të ulëta”, thekson Puka.

Çmimet e energjisë elektrike në Kosovë sillen nga 2.54 centë deri në 10.16 centë për një kilovat.

Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë tri bllok-tarifa, në bazë të së cilave kategorizohen dhe llogariten shpenzimet e konsumatorëve të amvisërisë në baza mujore janë: 0–200 këh, 200–600 kwh, dhe më shumë se 600 kwh. Një ndarje tjetër është sezoni i ulët (i verës) nga 1 prill – 30 shtator dhe sezoni i lartë (i dimrit) nga 1 tetor – 31 mars.

Tarifat, gjithashtu, ndryshojnë varësisht nga koha ditore e konsumit të energjisë, apo siç quhen tarifa e ulët dhe tarifa e lartë.
XS
SM
MD
LG