Ndërlidhjet

Rasmussen: Inkursioni i mëtejshëm i Rusisë - gabim historik


 Anders Fogh Rasmussen
Anders Fogh Rasmussen
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, i ka tërhequr vërejtjen Rusisë se çfarëdo inkursioni i saj në pjesën lindore të Ukrainës, do të ishte “gabim historik”.

“Nëse Rusia do të intervenojë më tutje në Ukrainë, do të ishte një gabim historik. Kjo do të kishte pasoja të rënda për raportet tona me Rusinë dhe kjo do ta izolonte edhe më tutje Rusinë në përmasa ndërkombëtare”
, ka thënë Anders Fogh Rasmussen në Paris.

Më tutje, ai ka kërkuar që Rusia t’i tërheq trupat e veta dhe të angazhohet në dialog konstruktiv me qeverinë në Kiev.

“Unë vazhdoj të kërkoj që Rusia t’i tërheq trupat e veta, t’i plotësoj përkushtimet ndërkombëtare dhe të angazhohet në dialog konstruktiv me qeverinë e Ukrainës”, është shprehur Rasmussen, dhe ka shtuar se “agresioni ilegal i Rusisë kundër Ukrainës, është sfida më e madhe për sigurinë në Evropë për një gjeneratë të tërë”.

Më herët, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka vlerësuar se afër kufirit me Ukrainën gjenden “dhjetëra mijëra” ushtarë rusë.

Këto komente janë bërë derisa autoritetet e Ukrainës kanë lëvizur për t’i kundërshtuar protestuesit pro-rusë, që i kanë okupuar ndërtesat qeveritare në Harkov, Donjeck dhe Luhansk.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Rusisë, i ka tërhequr vërejtjen Qeverisë së Ukrainës se çfarëdo përdorimi i forcës kundër protestuesve pro-rusë në pjesën lindore mund ta çoj këtë vend në luftë civile.

Në kumtesën e Ministrisë së Jashtme ruse theksohet se “ne bëjmë thirrje për ndaljen e menjëhershme të çfarëdo përgatitjeve ushtarake, që përmban rrezik të luftës civile”.

Moska i ka hedhur poshtë të gjitha kritikat ndërkombëtare për aksionet e veta në krizën e Ukrainës dhe i ka akuzuar shtetet perëndimore për hipokrizi.

Protestuesit pro-rusë i kanë okupuar ndërtesat qeveritare në qytetet lindore të Ukrainës, Harkov, Luhansk dhe Donjeck, më 6 prill, dhe kanë kërkuar organizim të referendumeve për bashkim eventual me Rusinë.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov, ka thënë se një aksion antiterrorist në Harkov ka bërë që protestuesit pro-rusë të dëbohen nga ndërtesat administrative rajonale, ndërsa afro 70 “separatistë” janë arrestuar.

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandr Turchynov, e ka fajësuar Moskën për kryengritje në pjesën lindore të Ukrainës dhe ka shprehur përkushtim se autoritetet do t’i ndjekin “separatistët” , të cilët e shkelin ligjin, si “terroristë dhe kriminelë”.

Për çështjen e krizës në Ukrainë është diskutuar edhe në bisedën telefonike ndërmjet sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Zyrtarët amerikanë kanë njoftuar se Kerry i ka thënë Lavrovit se çfarëdo përpjekje e mëtejshme ruse për destabilizimin e Ukrainës do “ta shtojë më tutje çmimin për Rusinë”.

Kerry i ka thënë kolegut rus se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara nuk besojnë se çfarëdo zhvillimi në pjesën lindore të Ukrainës ishte “spontan”, duke sugjeruar se ato janë pjesë e planit të mbështetur nga Moska.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se ekziston “dëshmi e fortë” se disa prej protestuesve pro-rusë “ishin të paguar dhe nuk ishin banorë lokalë”.

Departamenti amerikan i shtetit ka njoftuar se John Kerry dhe Sergei Lavrov kanë diskutuar për mbajtjen e bisedimeve direkte gjatë 10 ditëve, ndërmjet Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për t’i ulur tensionet.

Prej aneksimit të Krimesë në Ukrainë nga ana e Rusisë, NATO-ja e ka pezulluar bashkëpunimin praktik me Rusinë dhe ka filluar ta shtoj numrin e forcave të veta në kufirin lindor të shteteve anëtare të aleancës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë imponuar sanksione kundër individëve të Rusisë.

Rusia, në shenjë të masave kthyese, ka imponuar sanksione kundër individëve të Shteteve të Bashkuara dhe e ka tërhequr të dërguarin e saj nga NATO-ja. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG