Ndërlidhjet

Jacobson: Themelimi i gjykatës, shenjë pjekurie për Kosovën


Tracy Ann Jacobson
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:29 0:00

Video: Gresa Kraja

Kosova duhet të dërgojë sinjal se është e gatshme të marrë përsipër për t'u marrë me akuzat që i kanë qëndruar mbi kokë qe sa vite në një mënyrë plotësisht transparente dhe që ka kredibilitet ndërkombëtar, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja ambasadore, përse është e domosdoshme që Kosova ta themelojë gjykatën për krime lufte?


TRACEY ANN JACOBSON
Më lejoni të them që qeveria ime, së bashku me Bashkimin Evropian, kanë investuar më shumë se tri vjet në hetime të plota, transparente dhe të mira, të pretendimeve që janë ngritur në raportin e senatorit Marty në Këshillin e Evropës në 2010-tën.

Gjatë kësaj kohe, në rradhë të parë jemi përqëndruar që t’i mundësohet Task Forcës për hetime speciale që ta kryejë hetimin e vet, që siç e kam kuptuar ka përfunduar, me bashkëpunimin e qeverive të rajonit. Tash kemi arritur në atë pikë, saqë ky hetim po përfundon dhe pres që diku në qershor, prokurori special, ambasadori Williamson, ish-ambasadori ynë për krime lufte... nuk e di saktë çka do të bëjë, por atëherë ai do t’i japë disa informata rreth përfundimeve të hetimeve të tij para qershorit.

Është shumë me rëndësi që para asaj kohe, Kosova të dërgojë sinjal se është e gatshme të marrë përsipër këto akuza që i kanë qëndruar mbi kokë qe sa vite në një mënyrë plotësisht transparente dhe që ka kredibilitet ndërkombëtar.

Në të vërtetë kjo ka të bëjë me besueshmërinë e Kosovës dhe duke themeluar një gjykatë speciale të Kosovës, me gjykatës ndërkombëtarë, me seli në Kosovë, si dhe një seli jashtë Kosovës, ku do të mund të shqyrtoheshin çështjet e ndjeshme, siç janë intervistat me dëshmitarë, atëherë kjo do të thoshte që Kosova merr përsipër përgjegjësinë e saj ndërkombëtare dhe e ndërton kredibilitetin e saj ndërkombëtar.

Mendoj se është punë sfiduese, sepse në këtë çast çdo gjë që kërkon 2/3 e votave në Kuvend është sfidë, por megjithatë mendoj se kjo është njëra prej gjërave më të rëndësishme – të paktën gjatë kohës sa jam këtu – që ia kemi kërkuar Kosovës për ta bërë.
RADIO EVROPA E LIRË
A i keni parë këto sinjale pozitive? Çka nëse Kuvendi dështon ta miratojë këtë?


TRACEY ANN JACOBSON
Besoj se njerëzit kanë filluar ta kuptojnë se në realitet, nëse kjo gjë nuk ka sukses, opsionet tjera janë shumë më të këqija. Nëse e kemi një gjykatë të Kosovës, një gjykatë ndërkombëtare, me dy seli, që kërkohet nga Kosova dhe miratohet nga Kuvendi, atëherë kjo e dërgon atë sinjal që ia mundëson Bashkimit Evropian dhe SHBA-së që të themi se qeveria e Kosovës është angazhuar për një proces ndërkombëtar transparent dhe të besueshëm.

Nëse Kosova nuk është në gjendje që të lëvizë përpara me këtë ide, atëherë ajo që më së shumti ka gjasa të ndodhë është që kjo çështje të mirret përsipër nga ndonjë trup tjetër ndërkombëtar, siç janë Kombet e Bashkuara. E dini se sa herë që mbahen këto takimet tremujore në Nju Jork, ku kryeministri Daçiq dhe kryeministri Thaçi flasin për përparimin në dialog, gjithnjë është një anëtare e Këshillit të Sigurimit, Rusia, e cila e shfrytëzon mundësinë për ta kritikuar Kosovën bazuar në këto pretendime.

Ne mendojmë se do të ishte shumë më mirë për Kosovën që të ketë një gjykatë, mbi të cilën do të ketë njëfarë ndikimi, të cilën e ka kërkuar, e cila është ndërkombëtare sa i përket personelit të saj, se sa që ta ketë një proces p.sh. në Kombet e Bashkuara, i cili mund të ketë fushë-veprim më të gjerë dhe i cili ndoshta nuk do të kufizohej vetëm në pretendimet e ngritura në raportin e Marty-t, por do të mund të zgjerohej më shumë dhe i cili do të ishte plotësisht i shkëputur nga Kosova.

Ne mendojmë se një proces i tillë do të mund ta dëmtonte shumë më shumë kredibilitetin e Kosovës dhe do t’i jepte mundësi të gjithë atyre që duan ta vënë në pyetje legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Disa argumentojnë se vetë gjykata vë në pyetje pavarësinë dhe integritetin e Kosovës dhe ata e krahasojnë këtë me shtetet e tjera të rajonit që nuk kanë pasur gjykatë të tillë?


TRACEY ANN JACOBSON
Dëshiroj të theksoj se kjo gjykatë, ky propozim për këtë gjykatë, assesi nuk është ndonjë tregues për mungesën e përgjegjësisë apo mungesën e përparimit këtu në Kosovë. Përkundrazi.

Mendoj se propozimi i tashëm për letër-këmbimin ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian përfshin dy elemente: përfshin vendosjen e gjykatës speciale për t'u marrë me hetimet nga Task Forca për hetime speciale dhe gjithashtu përfshin ndryshimin e mandatit të EULEX-it që e njeh përparimin e arritur nga Kosova, duke treguar që Kosova do të ketë më shumë kompetenca ekzekutive, si p.sh. kryesimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, apo që EULEX-i rëndom nuk do të marrë përsipër raste të reja, përveç nëse Qeveria e Kosovës nuk ia kërkon këtë.

Ata do ta kryejnë vetëm punën që e kanë tash. Prandaj, mendoj se kjo tregon pjekurinë e sistemit të drejtësisë të Kosovës.

Dëshiroj po ashtu të theksoj se kam dëgjuar në media këtë idenë që e pasqyron këtë si tribunal për UÇK-në, gjë që është plotësisht e pavërtetë. Është gjykatë që ka mundësi që do të gjykojë akuzat kundër individëve. Nuk është vlerësim i luftës së 1999-ës, apo vlerësim i ndonjë grupi të caktuar; fushë-veprimi i saj në të vërtetë është i kufizuar në pretendimet e ngritura në raportin e Marty-t.

Ne e shohim këtë si mundësinë më të mirë të Kosovës për t’i qartësuar të gjitha çështjet dhe për të lëvizur përpara me çështjet tjera më të rëndësishme, pa e pasur këtë njollë të këtij raporti që i qëndron mbi kokë më gjatë se sa është e nevojshme.
RADIO EVROPA E LIRË
Sa po e kuptoj unë, ju nuk mendoni se autoritetet kosovare duhet të fajësohen, por në anën tjetër e kemi misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë. Kë duhet fajësuar?

TRACEY ANN JACOBSON
Nuk më takon mua që të tregoj me gisht ndaj askujt. Ne jemi përqendruar më së shumti në atë që hetimet të vazhdojnë. Kosova ka punuar me shumë mund, të paktën gjatë kësaj kohe sa jam unë këtu. Por, ditëve të fundit na është dashur që të përballemi me faktin se qershori po vjen më shpejt se që presim; po vjen edhe fundi i periudhës së hetimeve dhe tash duhet të merremi me mekanizmat për të shkuar përpara.

Mendoj se Qeveria e Kosovës ka punuar me shumë mund me Bashkimin Evropian për t'u munduar për ta gjetur zgjedhjen më të mirë të mundshme dhe ne e mbështesim këtë zgjedhje që e kemi para nesh tash. Ne e shohim këtë si mënyrën e vetme të Kosovës për të shkuar përpara.
RADIO EVROPA E LIRË
Kë duhet ta mbajë përgjegjës gjykata dhe kujt duhet t’i japë llogari? Pse duhet selia të jetë në Prishtinë dhe diku tjetër? Cili do të jetë mandati dhe detyrat e tij? A do të duket si raporti i Dick Marty-t apo si gjykata apo Tribunali i Dick Marty-t?


TRACEY ANN JACOBSON
Kjo do të jetë gjykatë me personel ndërkombëtar. Do të jetë gjykatë e themeluar me kërkesë të Qeverisë së Kosovës. Ku do të jetë selia jashtë vendit, këtë s’e dimë ende... ka diskutime të ndryshme dhe kjo do të jetë temë e një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe qeverisë së vendit që pajtohet për ta pritur selinë e dytë të gjykatës.

Sa e kam kuptuar unë, fushë-veprimi i gjykatës – nëse kjo gjykatë themelohet – do të jetë i kufizuar në pretendimet e raportit të Marty-t.
RADIO EVROPA E LIRË
Po thoni se Kosova duhet ta kërkojë këtë dhe që vetë Kosova duhet ta miratojë atë. A ka afat të caktuar kohor për t’i kryer këto punë?

TRACEY ANN JACOBSON
Ky është proces, i cili po ndodh në disa faza. Mendoj se faza e parë duhet të kryhet nga ky Kuvend para se të shpërbëhet. Po dëgjojmë thashethëme të vazhdueshme se kur mund të votohet shpërbërja e Kuvendit për t’ua hapur rrugën zgjedhjeve. Pra, letër-këmbimi është çelësi kryesor për ta vendosur atë nivel të mirëkuptimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian para ardhjes së qershorit dhe fundit të periudhës së hetimeve.

Më vonë, Kuvendi i ri do të duhet të merret me çështjet si legjislacioni, marrëveshja me shtetin ku do të vendoset selia e dytë... me siguri, këto çështje duhet ta presin Kuvendin e ardhshëm. Por, na duhet një letër-këmbim i mirë tash për të vënë bazën ligjore dhe mirëkuptimin për të lëvizur tutje.
RADIO EVROPA E LIRË
Kur ambasadori Williamson ta përfundojë raportin, e siç thatë ju, ndoshta e ka kryer atë, atëherë kujt duhet t’ia dorëzojë atë raport të atyre hetimeve? A do të jetë kjo gjykatë që do ta shohë e para atë? Kush do të jetë kombi i parë që do ta shohë atë?

TRACEY ANN JACOBSON
Do të jetë kjo gjykatë që do të merret me ato hetime derisa të kryhen, nëse 2/3 e Kuvendit votojnë në favor të këtij propozimi.
RADIO EVROPA E LIRË
Pra, raporti nuk do të bëhet publik pa u themeluar gjykata?
TRACEY ANN JACOBSON
Nuk e di se çka synon saktësisht të bëjë ambasadori Williamson në qershor. Ai po udhëheq një proces të pavarur gjyqësor dhe a do të mbajë ndonjë konferencë për shtyp apo... nuk e di tash për tash. Do t’na njoftojë kur të jetë gati.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka nëse Kosova dështon ta miratojë themelimin e kësaj gjykate në Kuvend?

TRACEY ANN JACOBSON
Në atë rast, ma merr mendja që do të ketë thirrje për proces të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, dhe SHBA-ja – edhe pse ne jemi miq shumë të mirë të Kosovës dhe e përkrahim zhvillimin e Kosovës – nuk do të ishte në pozitë që të vë veto ndaj një kërkese të tillë.
RADIO EVROPA E LIRË
A e dinë këtë udhëheqësit e Kosovës?

TRACEY ANN JACOBSON
Po, e dinë. E kemi këtë shumë të qartë, në veçanti javën e kaluar kur kemi pasur bisedën e parë të mirëfilltë në shtëpinë time me udhëheqësit politikë rreth kësaj teme.

Po ashtu kemi pasur takime me ta edhe me kolegun tim nga Uashingtoni, Jonathan Moore. Të hënën në mëngjes kemi pasur edhe një takim tjetër me udhëheqësit politikë së bashku me ambasadorët e shteteve të Quint-it dhe përfaqësuesin special të BE-së. Mendoj se pozita jonë është shumë e qartë.
XS
SM
MD
LG