Ndërlidhjet

Zemërimi i SHBA-së dhe Turqisë me gazetarin


Gazetari Seymour Hersh
Gazetari Seymour Hersh
Një gazetar i nderuar amerikan i është nënshtruar një vale të kritikave lidhur me raportin e tij, që sugjeron se Turqia kishte dorë në sulmin kimik në Siri, më 21 gusht të vitit të kaluar, i cili i solli Shtetet e Bashkuara në teh të aksionit ushtarak kundër Damaskut.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe ata të Turqisë i kanë hedhur poshtë pretendimet e gazetarit Seymour Hersh, në raportin e tij, se kryengritësit sirianë e kishin ndërmarrë sulmin vdekjeprurës me ndihmën e inteligjencës së Turqisë, për ta nxitur Uashingtonin në ndërmarrjen e sulmeve kundër regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

Nga ana tjetër, analistët, e kanë kritikuar besueshmërinë e burimeve kryesore dhe të individëve në tregimin e fituesit të çmimit prestigjioz gazetaresk Pulitzer, Seymour Hersh, të publikuar aktualisht në “London Review of Books”, duke e akuzuar atë se i ka injoruar dëshmitë, për të cilat thonë se e konfirmojnë pozicionin e Shteteve të Bashkuara për fajësinë e regjimit të Bashar al-Assadit.

Për më tepër, “lehtësuesit kimikë” me seli në Turqi dhe Arabinë Saudite, “ishin përpjekur të zhvillonin sarin në masë prej dhjetëra kilogramësh, me gjasë, të parapara për shkallë më të gjerë të përpjekjeve prodhuese në Siri”, e ka cituar Hersh një dokument në raportin e tij.

“Ju keni raporte të brendshme të shkruara në qershor, ishin katër ose pesë atë pranverë, të gjitha për kërcënimin me sarin dhe për involvimin e Turqisë në të, të gjitha të njohura për komunitetin amerikan”, i ka thënë gazetari Hersh, Radios Evropa e Lirë.

Nga sulmi me gaz më 21 gusht të vitit të kaluar në lagjen lindore Ghuta afër Damaskut, kanë mbetur qindra të vdekur. Kjo ka shënuar përshkallëzimin kryesor në luftën civile në Siri.

Presidenti amerikan, Barack Obama, pat thënë se vendosja e armatimit kimik nga ana e forcave të Assadit do të paraqiste linjë të kuqe, e cila do ta nxiste Uashingtonin për të intervenuar në këtë konflikt të përgjakshëm.

Derisa zyrtarët amerikanë kanë folur hapur për përgatitjen e përgjigjes ushtarake, Obama u tërhoq dhe përfundimisht zhvilloi negociata me Rusinë për një marrëveshje, sipas së cilës, Assadi do ta vendoste armatimin e tij kimik nën kontroll ndërkombëtar për shkatërrim final.

Por, gazetari Hersh e citon një ish-zyrtar të paidentifikuar të inteligjencës,që ka thënë se operativistët e inteligjencës ruse kishin gjetur mostra të elementeve kimike të shfrytëzuar afër lagjes Ghuta dhe ishin marrë nga ana e amerikanëve nëpërmjet britanikëve.

Këto mostra kishin hedhur dyshim në pretendimet amerikane për përgjegjësinë e Assadit, dhe kjo i kishte shtyrë liderët e lartë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara, për t’ia tërhequr vërejtjen presidentit Obama kundër intervenimit.

Në raport, po ashtu, pretendohet se Shtetet e Bashkuara në mënyrë sekrete kishin dërguar armatim nga Libia nëpër Turqi, për kryengritësit në Siri, dhe kanali i dyshuar i armatimit ishte ndalur pas sulmit vdekjeprurës kundër kompleksit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Bengazi të Libisë, më 11 shtator 2012.

Gazetari Seymour Hersh e ka cituar një ish-zyrtar të inteligjencës amerikane që ka thënë se sulmi kimik më 21 gusht, ishte aksion i fshehtë turk për ta detyruar Uashingtonin për të intervenuar dhe se qeveria e Turqisë ishte e shqetësuar se ndalja e armatimit nga Libia do të ishte gjë vdekjeprurëse për kryengritësit sirianë.

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Bulent Arinc, në një konferencë për gazetarë më 7 prill, tha se akuzat për involvimin e Ankarasë në sulmin me gaz helmues janë “gënjeshtër dhe shpifje”, ka raportuar “Hurriyet Daily News” me seli në Stamboll.

Shawn Turner, zëdhënës i Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, po ashtu, i ka hedhur poshtë pretendimet e raportit të gazetarit Hersh, se qeveria e Sirisë nuk ishte përgjegjëse për sulmin në Ghuta.

“Ne nuk do të komentojmë secilin aspekt të pasaktë të këtij tregimi, por të jetë e qartë: regjimi Assadit, dhe vetëm regjimi i Assadit, do të ketë qenë përgjegjës për sulmin me armatim kimik, që ndodhi më 21 gusht”, tha zotit Turner nëpërmjet një kumtese, dhe ka shtuar se “ideja që Shtetet e Bashkuara po dërgonin armatim nga Libia te ndokush, është e falsifikuar”.

Analistët, po ashtu, ishin kritikë ndaj gazetarit Hersh lidhur me bazën e pjesës së raportit për mostrat e armatimit kimik të siguruara nga oficerët e inteligjencës, që punonin për, siç thuhet, “spiunët e Rusisë në Siri”, që zëshëm e kanë kundërshtuar intervenimin e Shteteve të Bashkuara në Siri dhe e kanë mbështetur qeverinë e Assadit.

Gazetari Hersh i ka hedhur poshtë kritikat, duke i thënë Radios Evropa e Lirë, se mostrat e citura në raportin e tij ishin verifikuar nga një aleat amerikan, para se t’i kalonin Uashingtonit.

“Pika është se nuk kanë ardhur vetëm nga rusët. Kanë adhur nga Shtetet e Bashkuara nëpërmjet komandës së lartë britanike, nëpërmjet analizave laboratorike, kanë shkuar te presidenti, nëpërmjet kryesuesit të shtatmadhorisë", thotë Hersh, dhe shton se “kjo e bën atë më të komplikuar se sa vetëm çështje ruse”.

Gazetari Seymour Hersh e ka fituar Çmimin Pulitzer në vitin 1970 për raportimin e tij për masakrën May Lai, në të cilën ushtarët e Shteteve të Bashkuara, i vranë qindra civilë vietnamezë. Ai ka fituar edhe shumë çmime prestigjioze gazetareske.

Gjatë viteve të fundit, ai e ka kritikuar ashpër administratën Obama, të cilën vitin e kaluar e ka akuzuar se ka gënjyer për detajet e vrasjes së Osama bin Ladenit. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG