Ndërlidhjet

SHBA: Sanksione të reja për Krimenë


 Kompania e gazit "Chernomorneftgaz"
Kompania e gazit "Chernomorneftgaz"
Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sanksione të reja të ndërlidhura me aneksimin e Krimesë në Ukrainë nga ana e Rusisë dhe kanë tërhequr vërejtjen se Uashingtoni dhe partnerët e tij, janë të gatshëm për të ndërmarrë masa të mëtejshme kundër Rusisë.

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara mbrëmë vonë ka njoftuar se në sanksione përfshihen kompania e gazit "Chernomorneftgaz", gjashtë separatistë të Krimesë dhe një ish-zyrtar i Ukrainës, i involvuar në ndarjen e rajonit të Krimesë dhe aneksimit të nga ana e Rusisë.

Me këtë vendim të fundit, bllokohet çfarëdo pasurie e tyre brenda juridiksionit të Shteteve të Bashkuara dhe u ndalohet shtetasve amerikanë që të bëjnë transaksione me ta.

Kompania "Chernomorneftgaz" është sanksionuar për dyshime se është bashkëfajtore për keqpërdorimin e pasurive shtetërore të Ukrainës.

David Cohen, zëvendës sekretar i Departamentit amerikan të thesarit për terrorizëm dhe inteligjencë financiare, tha se “Krimeja është territor i okupuar. Ne do të vazhdojmë të imponojmë çmim për ata që janë të involvuar në shkeljet aktuale të sovranitetit të Ukrainës dhe integritetit territorial”.

Individët që janë sanksionuar janë: zyrtari i qytetit Sebastopol, Aleksei Chaliu, i cili e ka nënshkruar marrëveshjen e marsit për bashkimin e Krimesë dhe të Sebastopolit me Rusinë; personat Rustem Temirgaliev, Yuriy Zherebtsov, Mikhail Malyshev dhe Valery Medvedev, që janë të akuzuar se kanë pasur rol në referendumin për ndarje të mbajtur në muajin mars; ish-shefi i sigurisë, Pyotr Zima, i cili ishte shkarkuar nga udhëheqja e përkohshme e Ukrainës për shkak se ishte betuar për tu shërbyer autoriteteve të reja në Krime; Sergey Tsekov, ish-zëvendës kryetar i Parlamentit të Ukrainës, i cili dyshohet se ishte përgjegjës për mbajtjen e referendumit.

Kjo është vala e tretë e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara lidhur me krizën në Ukrainë.

Sekretari amerikan i thesarit, Jack Lew, duke folur në Uashington, në mbledhjen e përbashkët vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë, nëse Moska nuk tërhiqet.

“Në takimet e mia, përfshirë edhe atë me ministrin e financave të Rusisë, kam theksuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të imponojnë sanksione të mëtejshme për Rusinë, për okupimin ilegal dhe të paligjshëm të Krimesë, dhe për më tepër, Uashingtoni është plotësisht i përgatitur për imponim të sanksioneve shtesë kundër Rusisë, nëse ajo vazhdon ta përshkallëzoj situatën në Ukrainë”, tha Jack Lew.

Ai përsëriti se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e vet në grupin G7 janë të gatshëm për ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm.

“Unë do të theksoj se është një unitet i gjerë brenda grupit G7 për shtimin e sanksioneve dhe të çmimeve në përgjigje të përshkallëzimit të aksionit nga ana e Rusisë”, tha Jack Lew. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG